11 miresite e muajit te Ramazanit

VLERAT DHE MIRËSITË E MUAJIT TË RAMAZANIT

Muaji i Ramazanit ka vlera dhe mirësi të mëdha ndër të cilat janë:

1- Në muajin e Ramazanit është shpallur Kurani Famëlartë.

Allahu i Madhëruar në Suren El Bekareh ajeti:185 ‘’Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin u shpall Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)’’

Allahu i Madhëruar e ka dalluar muajin e Ramazanit në mesin e gjithë muajve të tjerë duke e përzgjedhur atë për të shpallur në të Kuranin e Madhërueshëm. Shpallja e tij nisi në natën e Kadrit e cila gjendet në dhjetë netëshin e fundit të Ramazanit. Në suren El Kadr thuhet: ‘’Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit’’ (El Kadr:1)

2- Edhe librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj.

Sipas një transmetimi tjetër (mbi saktësinë e të cilit ka diskutim) edhe librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj:  ‘’Broshurat e Ibrahimit (Paqja e Zotit qoftë mbi të) u shpallën në natën e parë të Ramazanit. Teurati u shpall në natën e gjashtë të Ramazanit. Ungjilli u shpall në natën e trembëdhjetë të Ramazanit. Ndërsa Kurani u shpall në natën e katërmbëdhjetë të Ramazanit. (Musnedi i Imam Ahmedit: 16984. Albani e ka konsideruar të mirë ndërsa Shuajbi të dobët)

3- Në Ramazan hapen dyert e Xhenetit.

4- Mbyllen dyert e Xhehenemit.

5- Lidhen rebelët e xhindëve.

6- Një engjëll thërret: O kërkues i së mirës përkushtohu! O kërkues i së keqes frenohu!

7- Në ç’do natë të tijën Allahu liron njerëz nga zjarri.

Këto gjëra janë të përmendura në hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) ku Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Kur hyn nata e parë e Ramazanit shejtanët dhe xhindët rebelë lidhen. Ndërkaq dyert e Xhehenemit mbyllen, asnjë nga ato nuk hapet, dhe dyert e Xhenetit hapen, asnjë nga ato nuk mbyllet. Një thirrës thërret: O kërkues i së mirës përkushtohu! O kërkues i së keqes frenohu! Në ç’do natë të tijën Allahu liron njerëz nga Zjarri. (Tirmidhiu:682)

8-Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se njëmijë muaj.

Bëhet fjalë për natën e Kadrit e cila siç cilësohet në suren El Kadr ajeti i tretë është më e mirë se një mijë muaj.

Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Ai njeri i cili privohet nga mirësia e kësaj nate është privuar nga të gjitha mirësitë.(Ibën Maxheh: 1644)

9- Muaji Ramazanit është muaji në të cilin pranohen lutjet:

Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Padyshim, Allahu liron nga Zjarri çdo ditë e çdo natë, çdo njëri prej tyre ka një lutje që i pranohet.(Musnedi i Imam Ahmedit: 7450)

10- Muaji i Ramazanit është muaji i kalitjes së durimit:

Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe tri ditë në çdo muaj, eliminojnë mllefin e kraharorit. ( Musnedi i Imam Ahmedit:3070 dhe Bezzari:1057)

11- Muaji i faljes së mëkateve:

Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) Ka thënë: Namazet e pesta si dhe xhumaja deri te xhumaja tjetër si dhe Ramazani deri te Ramazani tjetër shlyejnë mëkatet e bëra ndërmjet tyre, nëse janë evituar mëkatet e mëdha.(Muslimi:233)

Poashtu Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të)  ka thënë: Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë i falen mëkatet e kaluara.(Buhari:38)

Përktheu Rexhep Milaqi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *