A është varfëria e përcaktuar (kader)?

Sipas një aspekti varfëria nuk është Kader, por e vlerësuar nga disa kritere të tjera ajo është e paracaktuar. Nëse mbajmë parasysh vullnetin e njeriut themi që nuk kemi të bëjmë me caktim, ndërsa për sa i përket Vullnetit Hyjnor varfëria është pjesë e Kaderit. Çështja që mund të duket shumë e ngatërruar është në fakt kaq e thjeshtë: e lehtë aq sa syri i besimit të gjithsecilit të lejojë, mjafton që të shihet me këtë sy.

Së pari, le ta shqyrtojmë çështjen për sa i përket Kaderit hyjnor; Allahu është i pakufizuar nga koha dhe hapësira. Është Pronar i dijes absolute. Për Të, konceptet që ne i lidhim me kohën, si: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja, janë një e vetme. Sepse ashtu siç di të djeshmen, Ai di të sotmen, e edhe të nesërmen. Falë njohurisë së Tij për çdo gjë, e ka të qartë se çfarë kemi bërë ne dje, sot, apo ç’do të bëjmë ditën tjetër. Fakti që dija e Tij përfshin se ku, kur dhe si do të veprojmë ne, nuk i dikton kufij vullnetit tonë. Thënë ndryshe, njerëzit nuk veprojnë në një mënyrë të caktuar meqenëse Ai e di qysh më parë. Vetëm se, ngaqë është i Gjithëdijshëm, Ai i di të gjitha rrethanat vendore e kohore që do të ngjasin. S’ka dyshim se midis këtyre dy situatave ka dallim sa largësia mes maleve. Prandaj, kur nisemi nga këndvështrimi i dijenisë hyjnore themi se varfëria është një caktim.

Megjithatë, nuk është kështu po t’i referohemi vullnetit tonë. Sepse njerëzit në dallim nga kafshët, bimët, apo gjallesat e tjera janë qenie me vullnet. Fundja, është ky vullnet që i bën ata përgjegjës para urdhëresave të Zotit. Kur vjen puna te llogaridhënia, pyetja “Përse e bëre këtë?” ka kuptim vetëm për ata të cilët kanë një liri për të zgjedhur. Xheneti, Xhehenemi, peshorja, grumbullimi, Ura e Siratit, shlyerja e hesapeve po ashtu, ekzistojnë veç për ta. Në të kundërt, nëse do të ishim qenie robotike që fluturojnë si gjethet nëpër erë, as kjo botë nuk do ishte një vend përgjegjësish dhe as Xhenetit e Xhehenemit nuk do t’u mbetej pikë kuptimi!

Pasi e sqaruam themelin e kësaj çështjeje le të kthehemi tek tema kryesore; në një nga lutjet e Tij I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi Të!) kërkon mbrojtje tek Allahu nga varfëria. Përmes kësaj Ai i bëhet dhe njëherë shembull popullit të vet. Nëse pasurinë do ta përkufizojmë si të pasurit aq sa të të mjaftojë për vete në jetën e kësaj bote, duke kuptuar me këtë rrethanat në të cilat nuk je nevojtar as ndaj të mirit, as ndaj të ligut, atëherë sipas kësaj Profeti kërkon që çdokush të jetë i pasur. Ai këshillon dhe urdhëron që të jemi gjithnjë në kërkim të furnizimit hallall. Nga shpjegimi del në pah se sa e rëndësishme është pasuria në kornizat e përkufizimit të mësipërm; për individin sa i përket paqes së zemrës dhe qëndrueshmërisë së mendjes, si dhe për shoqërinë, sa i takon qetësisë së përgjithshme dhe ekuilibrit socio-ekonomik. Në këtë kuptim, detyra jonë si rob është shfrytëzimi i mundësive, ndërmarrja e hapave që tani duke i dhënë përparësi të ardhmes dhe përpjekja në këtë drejtim. Sigurisht me kusht që të jetë në rrugë hallall dhe me kushtin që të mos ndalojmë detyrat tona thelbësore që kemi ndaj Zotit tonë, familjes, mjedisit përreth dhe njerëzimit.

Kohët e fundit në një gazetë shkruhej se “varfëria e përjetuar në fëmijërinë e hershme është helmuese për trurin e njeriut”. Ky informacion, i cili paraqitet si një fakt shkencor, mbështetet në faktorin e mosushqyerjes së mjaftueshme gjatë kësaj periudhe. Nga kjo pikëpamje, edhe në SHBA që cilësohen sot ndër shtetet më të pasura të botës, niveli i varfërisë është 17.4%. Pra, kjo është përqindja e familjeve që nuk arrijnë të gjejnë mjaftueshëm burime ushqimore për fëmijët në kohën e rritjes, që bëhet pengesë për zhvillimin e trurit. Nëse në SHBA është kështu pjesën tjetër e llogarisni ju.

Patjetër që në këtë paraqitje luajnë rol edhe politikat ekonomike, qeverisëse dhe ushtarake, qofshin këto të nivelit kombëtar apo ndërkombëtar. Sigurisht, edhe mosrespektimi i drejtësisë në shpërndarjen e të ardhurave është për t’u marrë parasysh. Po ashtu, disa faktorë kontribues, si: kushtet gjeografike, klimatike, etj., dalin jashtë vullnetit të njeriut. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne ta marrim me një mendje të lehtë, të themi “Qenkësh thënë të jemi të varfër (!)” e për pasojë të dembelosemi krejtësisht.

Edhe në kohët më të këqija ka shumë gjëra që mund të bëhen në planin personal. Mjafton që të mos ia hedhim fajin fatit tonë dhe të njohim rrugët e fitimit dhe shpenzimit përmes së lejuarës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *