• Wed. Apr 24th, 2024

Ajetul-kursija – ajeti me leximin e të cilit fitojmë 1850 sevape dhe mbrojtjen prej shejtanit

Bylexopress

Mar 18, 2020

Ajetul-kursija – ajeti me leximin e të cilitfitojmë 1850 sevape dhe mbrojtjen prej shejtanit

Dijetarët islamë besojnë se ajeti 255, i sures el-Bekare, i njohur ndryshe si Ajetul-Kursija, është ajeti më madhështor në Kuran. Ajetul-Kursija ka 50 fjalë, 185 shkronja dhe në të përmenden 5 prej emrave të bukur të Allahut: Allah, El-Hajj, El-Kajjum, El-Alijj dhe El-Adhim.

Ky ajet, atij që e lexon, i siguron mbrojtje të jashtëzakonshme nga shejtani i mallkuar dhe nga veprimet e tij.

Transmeton Ibn Mesudi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush e lexon një harf nga libri i Allahut, për të do të ketë shpërblim, dhe shpërblimi mund të jetë deri 10 herë. Unë nuk them se ‘elif-lam-mim’ është një harf (shkronjë), por elifi është një harf, lami është një harf dhe mimi është gjithashtu një harf i veçantë.”

Vlera e leximit të Ajetul-Kursisë

Pra, me leximin e Ajetul-Kursisë, sipas hadithit të Pejgamberit (savs), rreth vlerësimit të leximit të shkronjave të Kuranit famëmadh, i fitojmë 1850 sevape dhe mbrojtjen e Allahut të Plotfuqishëm, në përputhje me transmetimin të cilin për këtë çështje e thekson Ibn Kajjimi, dhe i cili është i regjistruar në koleksionin e Buhariut dhe të tjerëve. Aty, sahabiu i famshëm Ebu Hurejre (r.a.), transmeton:

“Pejgamberi (savs), një herë më autorizoi që ta ruaj zekatin e ramazanit, dhe mua më erdhi një njeri dhe filloi të rrëmbejë ushqim. Unë e zura dhe i thashë: ‘Do t’i tregoj për ty Pejgamberit (savs),’

Njeriu tha: ‘Unë jam nevojtar, kam familje, këtë e kam të domosdoshme!’

Ebu Hurejre thotë: ‘Unë e lëshova, dhe kur agoi dita, Pejgamberi (savs), më tha: ‘O Ebu Hurejre, çka bëri mbrëmë i arrestuari yt?’

I thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, ai mu ankua se është në nevojë urgjente dhe ka familje, kështu që bëra mëshirë dhe e lëshova.’

Pejgamberi (savs), atëherë më tha: ‘Të ka gënjyer, ai me siguri përsëri do të kthehet?’ ”

Kur Pejgamberi (savs), ma tha këtë, unë isha i sigurtë se ai do të vij përsëri. Ia vendosa atij një pritë, dhe kur erdhi dhe filloi të grabisë ushqim, unë e kapa përsëri. I thashë atij: ‘Unë për ty do t’i tregoj Pejgamberit (savs)!’

Ai më tha: ‘Lërmë të shkoj, unë jam nevojtar, kam familje. Nuk do të kthehem përsëri.’

Unë shpreha keqardhje për të dhe përsëri e lejova që të shkojë.

Kur u zgjova, Pejgamberi (savs), më pyeti: ‘O Ebu Hurejre, çka ndodhi me të arrestuarin tënd?’

I thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, ai mu ankua se është në nevojë urgjente dhe ka familje, kështu që bëra mëshirë dhe e lëshova.’

Pejgamberi (savs), tha: ‘Të ka gënjyer! Me siguri përsëri do të kthehet?’

I vendosa pritë edhe për të tretën herë, dhe kur erdhi dhe filloi të grabisë ushqim, unë e kapa dhe i bërtita: ‘Unë do t’i tregoj Pejgamberit (savs), për ty! Kjo është hera e tretë që po thua se nuk do të kthehesh, dhe përsëri je kthyer!’

Ai më tha: ‘Lërmë të shkoj, dhe unë do t’i mësoj disa fjalë, në të cilat ty Allahu i Plotfuqishëm do të japë përfitim të madh.’

Unë i tash: ‘Cilat janë ato fjalë?’

Ai tha: ‘Kur do të shtrihesh në shtratin tënd para gjumit lexoje Ajetul-Kursinë, dhe pranë teje do të dërgohet një roje nga Allahu, kështu që shejtani nuk do të mund të afrohet deri sa të zgjohesh.’

Pas kësaj, unë e lëshova.

Kur agoi dita, Pejgamberi (savs), më pyeti se çka ka ndodhur natën e kaluar dhe pasi unë i tregova atij, ai më tha: ‘E ka thënë të vërtetën, edhe pse ai gënjen shumë! A e di ti, o Ebu Hurejre, se me kënd ke biseduar tash tri net?’

Pasi që i thash se unë nuk e di, i Dërguari i Allahut (savs), tha: ‘Ai ka qenë shejtani.’ ”

Pra, ky transmetim, në një mënyrë të veçantë, na tregon se sa i rëndësishëm është leximi i Ajetul-Kursisë, me qëllim të mbrojtjes nga shejtani i mallkuar dhe nga veprimet e tij.

Akos.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *