• Thu. Apr 25th, 2024

ALLAHU E PRANON PENDESËN E ATIJ QË PENDOHET

Bylexopress

Mar 17, 2020

Bujaria dhe mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij manifestohet, kur Ai ia pranon pendesën atij që pendohet dhe kthehet tek Ai. Në këtë hadith, profeti (a.s) shprehet shumë qartë duke thënë: “Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet”. Kjo do të thotë, se Allahu ia pranon pendesën njeriut që pendohet, megjithëse ai ka një ves shumë të keq, që është dëshira e madhe për të pasur sa më shumë pasuri. Në një ajet kuranor, Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Taha: 82. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Veten e Tij si Falës që i fal robërit e Tij, sa herë që ata gabojnë. Sa herë që ata gabojnë dhe më pas pendohen, aq herë Ai i fal ata.
Pranimi i pendesës nga Allahu tregon për mëshirën e Allahut ndaj robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre, që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë. Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi nga rruga e drejtë. Allahu dëshiron t’ju lehtësojë. Por megjithatë, njeriu është krijuar i dobët.” Nisa: 26-28.
Pendesa e njeriut për mëkatet që ka bërë, është hapi i parë për kurimin e sëmundjeve dhe një mekanizëm i mirë për pastrimin e shpirtit. Njeriu i cili e pranon se ka bërë mëkat, e ka hedhur hapin e parë dhe ai vazhdon të hedhë hapat e tjera i sigurt, derisa largohet përfundimisht nga mëkati. Në këtë rast ai dëshiron të fitojë kënaqësinë e Allahut duke bërë vepra të mira. Ky është programi, në të cilën fton feja Islame, ndryshe nga sklolastikat e psikologjisë që mjaftohen thjesht me pranimin e fajit nga njeriu. Prandaj, vërejmë se feja Islame e fton njeriun që të pendohet sinqerisht tek Allahu, sepse kështu ai pastrohet nga mëkati. Në Kuranin Famëlartë ka shumë ajete, që e ftojnë besimtarin që të pendohet tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “O, ju që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” Tahrim: 8. “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin.” Nur:31. Njeriu nuk duhet që të vonohet për t’u penduar, edhe nëse mëkatet e tija janë të shumta. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirplotë.” Nisa: 110. Allahu e do atë njeri, që pendohet dhe kjo është një dëshmi për vlerën e lartë të pendimit si një ilaç kurativ i sëmundjeve të njeriut. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” Bekare: 222.
Në të vërtetë, pendesa lë gjurmë të mira tek njeriu, si për shembull:
1 – I hap njeriut rrugën e shpresës për pastrimin e shpirtit nga mëkatet. Kjo shpresë e re e qetëson atë shpirtërisht dhe tashmë ai e shikon jetën në një këndvështrim ndryshe, ku mbizotëron optimizmi në vend të pesimizmit dhe jetës së zymtë.
2 – Pendesa e bën njeriun që ta respektojë dhe ta vlerësojë veten. Kjo është një shtysë e mirë në formimin e personalitetit të njeriut, që gëzon një qetësi shpirtërore.
3 – Pendesa e çliron njeriun nga ndjenja e frikës, sepse njeriu mëkatar është i shqetësuar dhe kjo e pengon atë që të ecë përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *