ATA QË E DUAN NJËRI TJETRIN PËR HIR TË ALLAHUT

Ata që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu ka robër të atillë që, edhe pse nuk janë prej pejgamberëve dhe dëshmorëve, pejgamberët dhe dëshmorët do t’i lakmojnë kur të shohin nderimin e tyre te Allahu në Ditën e Kiametit.” Atij i thanë: “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, tha: “Ata që i duan të vetmuarit vetëm për hir të Allahut duke mos pritur ndonjë shpërblim prej tyre. Fytyrat e atyre do të jenë dritë. Ata do të jenë në minbere prej drite. Ata nuk do të kenë frikë kur njerëzit do të frikësohen dhe nuk do të mërziten kur njerëzit do të mërziten.”

“Ata do të lakmohen nga pejgamberët dhe dëshmorët” është një përshkrim i gjendjes së tyre të lakmueshme me anë të përngjasimit. Në këtë shprehje letrare është përdorur mënyra figurative. Kuptimi i cili synohet është: “Nëse mund të imagjinohet një grup me këto cilësi, atëherë mund të jenë vetëm këta.” Përndryshe, është e padiskutueshme që askush nuk mund ta arrijë gradën e pejgamberëve.

“Për ata ka sihariqe në jetën e kësaj bote.”

Në momentet e vdekjes engjëjt u vijnë atyre me mëshirë. Ndërsa në Ahiret, engjëjt i presin ata duke i përshëndetur me selam dhe duke u dhënë përgëzim për shpëtim. Përgëzimi më i madh që do t’u vijë atyre në Ahiret do të jetë hapja e perdeve nga Allahu i Madhëruar dhe realizimi i takimit me Të si një mëshirë prej të Lartësuarit kur të shkëlqejë drita e përhershme dhe kur të zhduket errësira.

I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Atij që shkon për të vizituar një vëlla mysliman për hir të Allahut, një engjëll i thotë nga pas: “Edhe vetë je i mirë, edhe vizita jote është e mirë. Edhe Xheneti është përgatitur për ty si një vend i mirë.”

Abdullah ibn Umeri (r.a.), thotë:

“Nëse agjëroj përgjatë gjithë jetës, nëse e kaloj të gjithë natën me adhurim pa fjetur aspak, nëse e dhuroj të gjithë pasurinë time pjesë-pjesë në rrugë të Allahut dhe nëse vdes në këtë gjendje, por ndërkohë nuk kam në zemër dashuri kundrejt atyre që i binden Allahut dhe urrejtje ndaj atyre që nuk i binden Atij, nuk mund të kem dobi nga të gjitha këto që bëj.”

Allahu Teala dërgon një engjëll në rrugën e atij që shkon për të vizituar vëllain e tij në fe për hir të Allahut.

Engjëlli: Ku po shkon?

Burri: Po shkoj të vizitoj filan vëllain tim.

Engjëlli: Mos ke ndonjë punë që do ta bësh me atë?

Burri: Jo.

Engjëlli: Mos ke lidhje farefisnore me atë?

Burri: Jo.

Engjëlli: Mos vallë ai ka diçka te ti?

Burri: Jo.

Engjëlli: Atëherë, përse po shkon ta vizitosh?

Burri: Atë e dua për hir të Allahut, andaj po shkoj ta vizitoj.

Engjëlli i thotë: Allahu Teala më ka dërguar këtu për të të njoftuar se edhe Ai të do ty dhe se ke fituar Xhenetin ngaqë e do atë njeri.

Jepi përparësi vëllait ndaj vetes tënde

Njëri prej kushteve të dashurisë për hir të Allahut Teala është që t’i japësh përparësi vëllait ndaj vetes në çdo çështje, qoftë fetare apo në lidhje me këtë botë, aq sa të kesh mundësi. Shenja që tregon se dashuria është e pastër për hir të Allahut, është fakti që të mos presësh gjë prej mirësive dhe të mos kesh ndonjë interes prej tyre. Nëse dashuria është e njollosur me një sëmundje të tillë, ajo mund të pastrohet vetëm me shërimin e asaj sëmundjeje. Ai që nuk e ka miqësinë dhe vëllazërinë të mbështetur në ndonjë interes të kësaj bote, mund të ketë vazhdimësi në vëllazërinë dhe miqësinë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *