• Thu. Apr 25th, 2024

Burri që vraponte t’i ikte luanit

Bylexopress

Dec 2, 2020

“Një miku im po më tregonte: “Kam një xhaxha në moshë të thyer. Ai dhe fëmijët e tij nuk faleshin dhe as që e kishin parë derën e xhamisë! Madje xhaxhai im ndonjëherë tallej me besimtarët e mirë e të devotshëm, të cilët rregullisht e falin namazin.
Një ditë, i thashë xhaxhait tim: O xhaxha, a e ke dëgjuar ndodhinë e atij burrit i cili vraponte që t’i ikte luanit?
Tha: Jo!

I thashë: Ndërkohë që një burrë po ecte në pyll, dëgjoi një zhurmë! Ktheu kokën, kur ç’të shihte! Një luan i madh po e ndiqte pas për ta ngrënë. Nisi të vraponte me sa fuqi që kishte, ndërsa luani hungërinte dhe vraponte pas tij.

Kur luani gati sa nuk e kishte zënë, ky sheh një pus të vjetër, në të cilin gjendej edhe litari i kovës. Pa u menduar dy herë, mbërtheu litarin dhe futet në thellësi të pusit.
Luani nisi të sillej vërdallë pusit; zgjaste kokën dhe hungërinte. Pas pak, hungërima e tij u qetësua, e njëkohësisht, të rrahurat e zemrës së burrit nisën të normalizoheshin.

Atëherë kur mendoi se më e keqja kishte kaluar, burrin e befasoi diçka e tmerrshme. Ai hodhi shikimin në fundin e tharë të pusit, kur ç’të shihte, një gjarpër i tmerrshëm e priste gojëhapur.
O Zot! Në dalje të pusit luani, ndërsa në fund të tij gjarpëri helmues. Burri mbeti ashtu i kapur për litari pa ditur se çfarë të vepronte. Por, vështirësitë s’kishin të sosur! Dy minj sipër tij, njëri i zi e tjetri i bardhë, ishin hedhur në litar dhe me dhëmbët e mprehtë po brenin litarin e vjetër.
Burri u përpoq t’i trembte minjtë që të largoheshin nga litari, por më kot. Ata vazhdonin punën e tyre dhe as që e prishnin terezinë.
Duke qenë në atë gjendje kritike dhe tepër të vështirë, burri vëren se në murin e pusit bletët kishin braktisur hojet të mbushura plotë me mjaltë. Burri e provoi dhe shija i pëlqeu shumë. Ai nisi të mblidhte mjaltin dhe i harroi rreziqet që i kanoseshin…

Xhaxhai që po më dëgjonte me vëmendje tha: Çudi e madhe me këtë njeri! I varur në fije të perit dhe e ka mendjen te mjalti! Litari po i këputet!
I thashë: Ai burrë je ti o xhaxhai im!

Më pa i habitur: E si qenkam unë?!

Thashë: Luani është vd’e’k’ja, ajo po të ndjek ty, ashtu siç po na ndjek të gjithëve.

Gjarpëri është va’r’ri, i cili po na pret dhe nga i cili nuk mund të shpëtojmë.
Dy minjtë, i ziu dhe i bardhi janë nata dhe dita, të cilat e brejnë pa mëshirë litarin e jetës tonë derisa të këputet, ndërsa mjalti, është jeta e kësaj bote dhe kënaqësitë që gjenden në të.
Nga bukuritë dhe kënaqësitë që gjenden në të, ne harrojmë se na pret vd’e’k’ja, e më pas llogaria.

Xhaxhai im u ngrit dhe u largua pa folur asnjë fjalë.

Të nesërmen e pashë atë, dhe fytyra e tij mu duk më e çelur se kurrë më parë. Besimi kishte gjetur vend në zemrën e tij.
Ai mori abdes dhe u nis për të shkuar në xhami. Fëmijët e tij u kthyen në rrugë të mbarë dhe nisën ta falin rregullisht namazin.
Që nga ajo ditë, xhaxhai garonte me ne për të zënë rreshtin e parë në xhami, si dhe për punë të mira. Ai jepte lëmoshë për nevojtarët duke mos u kursyer aspak. Allahu e begatoftë dhe ia shtoftë mirësitë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *