• Sat. Apr 20th, 2024

Çka është dynjaja në krahasim me Ahiretin?

Bylexopress

Nov 6, 2020

Në një rast Pejgamberi (savs), ua mbajti një fjalim shokëve të tij, dhe kur dielli ishte gati për të perënduar, pothuajse ishte duke dalë nga horizonti, Pejgamberi (savs), tha:

“Nga kjo dynja nuk ka mbetur më shumë se sa që ka mbetur nga kjo dita juaj e cila po mbaron.” (Pjesë e një hadithi të gjatë, të cilin e shënojnë, ndër të tjerët Tirmidhiu dhe imam Ahmedi, kurse Tirmidhiu dhe Ibn Haxheri e konsiderojnë hasen, të mirë).

Çdo njeri që ka arsye, që ia dëshiron të mirën vetvetes, duhet të mendojë mirë rreth këtij hadithi, duhet ta pyes veten se çka mund të fitojë nga kjo kohë e mbetur e dynjasë.

Duhet ta dijë njeriu se vetëm është duke ecur dhe ëndërruar, dhe se lumturinë e përjetshme dhe begatitë e përhershme i ka dhënë për gjëra që nuk kanë vlerë.

Ndërkaq, nëse do ta kërkonte Allahun dhe botën tjetër, Allahu, me siguri, do t’ia dhuronte edhe dynjanë me të gjitha bukuritë dhe plotësimet, siç thuhet në disa transmetime: “O biri i Ademit, shite dynjanë për ahiretin, dhe do t’i fitosh të dyjat, por mos e shit ahiretin për dynjanë, se do t’i humbasësh të dyjat.” (Ebu Nu’ajm këto fjalë i transmeton nga Hasan el-Basriu)

Dikush nga brezi i parë ka thënë: ‘O biri i Ademit, ti ke nevojë për hisen tënde në dynja, por ke edhe më shumë nevojë për hisen tënde në ahiret. Nëse fillon me hisen tënde të dynjasë, do ta shkatërrosh hisen tënde të ahiretit, por edhe ajo e dynjasë do të jetë në rrezik, ndërsa nëse së pari fillon me hisen tënde të ahiretit, do të kesh sukses edhe në njërën edhe në tjetrën.’

Omer b. Abdulazizi në një fjalim të tij ka thënë: ‘O njerëz, ju nuk jeni krijuar pa qëllim dhe nuk jeni lënë në dëshirën tuaj. Ju e keni ditën e kthimit, në të cilën Allahu do t’ju tubojë për t’ju gjykuar dhe për t’ju ndarë juve. I palumtur dhe i dështuar është çdo njëri, të cilin Allahu e ka nxjerrë nga mëshira e Tij, që i përfshin të gjithë, të cilit ia mohon xhenetin, që është sa qiejt dhe Toka. Siguria dhe e ardhmja është e garantuar për atë, i cili sot ka frikë nga Allahu dhe e ka Atë në mendje, për atë që ka dhënë pak për shumë, të përkohshëm për të përjetshmen, fatkeqësinë për lumturinë. A nuk po e shihni se jeni në kolonën e të vdekurve, pas jush mbeten të gjallët. A nuk po shihni se çdo ditë, mëngjes e mbrëmje, ju po i varrosni ata që po kthehen tek Allahu! Shpresa e tyre është ndërprerë, ju po i lëshoni në brendinë e tokës, pa dyshek dhe pa jastëk, pa asgjë, i kanë lënë të dashurit kurse po i pret llogaridhënia.’

Ibn Kajjim el-Xhevzijj; „El-Vabil es-sajjib

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *