• Thu. Apr 25th, 2024

Dashuria ndaj xhematit dhe xhamisë

Bylexopress

Nov 7, 2020

Transmetohet nga Ebu Seid El-Hudri se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Namazi i kryer me xhematë është më i vlefshëm se namazi që falet vet për 25 shkallë.(Buhariu)

“Kush e fal jacinë me xhemat, (është njëjtë) sikur ta ketë kaluar gjysmën e natës në namaz, ndërsa kush e fal edhe namazin e sabahut me xhemat, sikur ta ketë kaluar tërë natën në namaz. (Muslimi)

Këto dy transmetime janë tregues të mjaftueshëm për rëndësinë dhe vlerën e namazit me xhematë dhe janë tregues të përparësisë së faljes së namazit në mënyrë kolektive mbi atë individual.

Gjithsesi, krahas transmetimeve të përmendura ekzistojnë edhe në numër i madh i haditheve që tregojnë rëndësinë e xhematit dhe dobitë e shkuarjes në mënyrë të rregullt në xhami.

Padyshim se xhemati dhe xhamia kanë një rol shumë të madh në krijimin e cilësive pozitive njerëzore. Sidomos kur mes pjesëtarëve të një xhemati ekziston një dashuri e pakushtëzuar vëllazërore dhe një respekt i veçantë mes tyre.

Në kohën e sahabëve dhe tabiinëve xhamia shërbente për shumëçka. Në të janë bërë shumë aktivitete të dobishme shoqërore.

Edhe tani në kohën tonë xhaminë duhet ta kthejmë në rolin e saj origjinal, ndërsa xhemati do të duhej të shfrytëzohet për zgjidhjen e shumë problemeve brenda një lagjeje, rruge apo të ngjashme. Në asnjë rast nuk guxojmë të lejojmë që në xhematin tonë të ketë të sëmurë, të uritur dhe njerëz me nevoja të ndryshme, ndërsa ne si xhemat aktiv, nëpërmjet imamit tonë të mos jemi të njohur me këtë.

Besimi që kanë xhemati ndaj imamit të tyre duhet të jetë në dobi të madhe kur janë në pyetje problemet dhe nevojat e xhematit. Imami si pika më e ndritur, mund të luaj një rol të madh në përhapjen e dashurisë dhe besimit mes xhematlijve.

Imami është ai i cili viziton njerëzit që i takojnë xhematit të tij dhe e di gjendjen e muslimanëve në xhematin e tij, pa marrë parasysh  a janë aktiv apo nuk janë aktiv si xhemat.

Ne jemi të obliguar ta ndihmojmë imamin dhe mexhlisin tonë aq sa mundemi. Po, vallë, si të  ndihmojmë dhe të marrim pjesë në aksionet e xhematit të xhamisë sonë nëse vetë nuk jemi vizitorë të shtëpive të Allahut në tokë – xhamive.

Andaj, të marrim seriozisht rëndësinë e miqësisë sonë nëpërmjet xhematit dhe xhamisë, ndërsa krahas kësaj asnjëherë të mos harrojmë shpërblimet që na presin për faljen e namazeve me xhematë.

Nuk është mirë të lëmë anash xhaminë tonë ndërsa të shkojmë në ndonjë xhami tjetër. Xhamia më e afër e lagjes sonë duhet të jetë prioriteti ynë.

E kanë pyetur  Hasan el-Basriun se a mundet që ta lëmë xhaminë tonë dhe të shkojmë në ndonjë xhami tjetër, ai është përgjigjur:

– As’habët kanë dashur që çdo njeri të shkoj në xhaminë e tij për t’u rritur numri i falësve me xhematë.

Dashuria ndaj xhamisë duhet të jetë si pikë referimi në aktivitetet e përbashkëta të bashkësisë sonë që gradualisht të ndërtojmë një xhematë të fortë dhe stabil.

Uniteti është një imperativ, andaj nuk kemi të drejtë në asnjë ndarje. Xhemati duhet mësuar për të gjitha dispozitat sheriatike, ndërsa njerëzve duhet t’u tregohet gjithçka që një xhematë duhet të dijë. Këtu e kam fjalën për faljen e atyre që vonohen në namazet me xhemat, lutjet pas ezanit, dhikret gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia, rregullat e faljes së tehijjetul mesxhid etj. Gjithashtu xhematit duhet t’i tregohet rëndësia e faljes së namazit me xhematë si dhe disa detaje që janë të lidhur me ekzistencën e muslimanëve që falen sipas mënyrës së medhhebeve tjera të pranuar në jurispodencën islame.

Nëpërmjet një sjellje të bukur të mundohemi që njerëzve t’ua mësojmë gjërat që nuk i dinë. Është shumë e rëndësishme të kemi kujdes me sjelljen tonë në xhami si zhurma, përgojimi, shitblerja …

Fqinjëve tanë që i takojnë xhematit tonë jemi të obliguar që në mënyrë të sjellshme t’ua tregojmë rëndësinë e namazit dhe për shpërblimet që na presin për faljen e rregullt të namazit.

Si për fillim le të mësojnë të falen në shtëpi, sidomos farzet, ndërsa më vonë me ta në mënyrë të bukur të punojmë të jenë aktiv në xhami dhe anëtarë të dobishëm të bashkësisë sonë lokale.

Duhet të respektohet shkalla e arsimit të çdonjërit prej nesh, sidomos njerëzit me përvojë dhe të moshuarit prej të cilëve mund të mësojmë shumë.

Të respektojmë zanatin dhe profesionit e secilit prej nesh dhe ta dimë se xhamia dhe xhemati gjithmonë janë të më të bukur kur mes tyre kemi më shumë inxhinjera,  profesorë, doktorë me përvojë, jurist, sportist dhe mjeshtër të zanateve të ndryshme si dhe disa gjysh dhe gjyshe tona. Të përhapim dhe shtojmë xhematin me çdo qenie njerëzore që vendos të na bashkëngjitet në xhami dhe xhematë.

Allahun ynë, forcoji saffet dhe xhematet  tona, dhe bëre që në xhamitë dhe mesxhidet tona të shkëlqejë dashuria vëllazërore. Ndihmoji imamët tonë që edhe më shumë t’i njohin qëllimet e dispozitave Tua, ndërsa neve na jep urtësi të dëgjojmë imamët tonë dhe të ndjekim ata në rrugën e Kuranit dhe Sunetit!

Përshtati: Arsim Dauti 

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *