• Thu. Apr 18th, 2024

Djaloshi i mençur musliman

Bylexopress

Apr 11, 2020

Para shumë vitesh, gjatë kohës së tabiinëve (brezi pas Pejgamberit a.s. dhe sahabëve), Bagdadi ishte i njohur për nga Islami. Në fakt, ai ishte kryeqyteti i Perandorisë Islame, kurse për shkak të numrit të madh të shkencëtarëve që jetuan aty, ai ishte gjithashtu edhe qendër e dijes islame.

Një ditë, sundimtari i Romës në atë kohë e dërgoi të deleguarin e tij në Bagdad me tri sfida për muslimanët. Kur i deleguari mbërriti në hyrje të qytetit, ai e njoftoi halifin (sundimtarin e Shtetit islamik) se ai i kishte tri pyetje dhe po i sfidonte muslimanët që t’u përgjigjen atyre. Halifi i mblodhi të gjithë dijetarët e qytetit.

I deleguari i Romës pastaj u ngjit në platformën e lartë dhe tha:

“Kam ardhur me tri pyetje. Nëse u përgjigjeni atyre, atëherë unë do t’ju lë një pasuri të madhe që e kam sjellë nga Mbreti i Romës. Sa i përket pyetjeve, ato janë:

(1) Çka ka ekzistuar para Allahut?

(2) Në cilin drejtim është i kthyer Allahu?

(3) Çka po bën Allahu në këtë moment?”

Një grup i madh njerëzish që ishin të pranishëm heshtën. Në mesin të këtyre dijetarëve dhe studentëve të shkëlqyer ishte edhe një njeri vëzhgues me djaloshin e tij.

“Baba! Unë do t’i përgjigjem dhe do ta hesht!” – i tha djaloshi babait të tij. Djaloshi kërkoi leje nga halifi që t’i përgjigjet, për çka halifi i dha leje.

Romaku u kthye kah djaloshi musliman dhe e përsëriti pyetjen e tij të parë:

(1) “Çka ka ekzistuar para Allahut?

Djaloshi e pyeti: “A dini ju të numëroni?”

“Po”, – tha njeriu.

“Atëherë numëroni nga 10 e poshtë!” – i tha djaloshi.

Romaku filloi të numërojë: “10, 9, 8, …” derisa arriti në 1 dhe u ndal së numëruari.

“Po çka vjen para 1?” – pyeti djaloshi.

“Nuk ka asgjë para 1 – kjo është e tëra!”, – tha njeriu.

“Epo mirë, nëse është e qartë se pas njëshit matematikor nuk ka asgjë, atëherë si mund të presësh të ketë diçka përpara Njëshit që është e Vërteta e plotë, i Përjetshëm, i Përhershëm dhe Përgjithmonshëm?”

Tani njeriu ishte i befasuar nga kjo përgjigje e drejtpërdrejtë, për të cilën ai nuk mundi të përgjigjej për asgjë. Kështu që ai kaloi te pyetja e dytë:

(2) “Atëherë më thuaj, në cilin drejtim është i kthyer Allahu?”

Djaloshi tha: “Sillni një qiri dhe ndizeni, pastaj më thoni se në cilin drejtim është e kthyer flaka?!”

“Por flaka është vetëm dritë – ajo përhapet në të katër anët: në Veri, në Jug, në Lindje dhe në Perëndim. Jo vetëm në një drejtim, ” – tha burri krejtësisht i befasuar.

Djaloshi duke qarë tha: “Epo, nëse kjo dritë fizike përhapet në të katër drejtimet, ashtu që nuk mund të më thuash se në cilin drejtim është e kthyer, atëherë çka pret nga Nurissemawati – (Drita e qiejve dhe Tokës – Allahu i Plotfuqishëm), Nurun ala nur – (Dritë mbi Dritat)!? Allahu është i kthyer në të gjitha drejtimet në çdo kohë.”

Romaku mbeti pa fjalë dhe i mahnitur që ky djalosh po u përgjigjet sfidave të tij në atë mënyrë, sa që ai nuk po mund të thotë asgjë kundër provave. Kështu që me dëshpërim deshi ta provojë edhe pyetjen e tij të fundit.

Por para se ta bënte pyetjen, djaloshi i tha: “Prit! Ti je ai që i shtron pyetjet, kurse unë jam ai që u jep përgjigje këtyre sfidave. Është e drejtë që ti të zbresësh poshtë ku po qëndroj unë, kurse unë të ngjitem atje ku je ti tani, me qëllim që edhe përgjigjja të dëgjohet qartë sikurse pyetja.”

Kjo iu duk e arsyeshme romakut, kështu që zbriti nga vendi ku qëndronte, kurse djaloshi e zuri vendin në platformë.

Atëherë njeriu e përsëriti pyetjen e fundit:

(3) “Më thuaj, çka po bën Allahu në këtë moment?”

Djaloshi u përgjigj me krenari: “Në këtë moment, kur Allahu e gjeti në këtë platformë të lartë një gënjeshtar, i cili po tallet me Islamin, Ai bëri që të zbresë dhe ta ulë poshtë. Kurse sa i përket atij që beson në Njëshmërinë e Allahut, Ai e ngriti lartë atë dhe e vendosi të Vërtetën.

“Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.).” (err-Rrahman, 29)

Romaku nuk pati asgjë për të thënë, përveç se të shkonte dhe të kthehej në vendin e tij, i mposhtur dhe i mundur.

I lutemi Allahut që ta zbresë mëshirën e Tij mbi fëmijët e sotëm muslimanë. Amin!

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *