• Thu. Apr 18th, 2024

Edukimi i fëmijëve përmes edukimit të vetvetes

Bylexopress

Mar 20, 2020

Islame8 Mars, 2020

Edukimi i fëmijëve përmes edukimit të vetvetes

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi (a.s.) është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kiametit.

Vëllezër të nderuar!

Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, karburante (lëndë djegëse) të të cilit janë njerëzit dhe gurët.“ (et-Tahrim, 6)

Kurse Pejgamberi ynë (savs), në hadith porosit: “Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë do të jeni përgjegjës për kopenë tuaj.” (Muttefekun alejhi)

Vëllezër të dashur!

Një nga detyrat më të rëndësishme në jetën tonë është edukimi i fëmijëve tanë. Që t’i edukojmë, jo t’i ushqejmë, siç mendojnë shumë njerëz. Sepse, nuk është problem që fëmijëve tu blejmë rroba, këpucë, ushqim, pajisje shkollore, lodra dhe gjithçka tjetër që u nevojitet. Mirëpo, ta mësojmë fëmijën për tu falë, dhe të adaptohet të falet rregullisht, kjo vëlla, është një sfidë e madhe. Ky është problem edhe në shtëpitë ku prindërit falen rregullisht, e lëre më në shtëpitë ku ata nuk falen rregullisht ose, nuk falen aspak.

Ju me siguri mund të pyesni se, çfarë lidhje ka namazi me edukimin e fëmijëve?

Po si nuk ka, kur nga namazi varet rregullsia e të gjitha veprave të tjera. Prandaj, mesazhi i fundit i Jakubit (a.s.), kur në prag të vdekjes i mblodhi djemtë e tij, ishte: “Kënd do ta adhuroni pas meje?” – Ata u përgjegjën: “Na do ta adhurojmë Zotin tënd (i cili është) edhe Zoti i baballarëve tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakit, një Zotit të vetëm, dhe ne i bindemi vetëm Atij!” (el-Bekare, 133)

Xhemat i respektuar!

Edukimi i fëmijëve fillon para lindjes së tyre.

Me lutje. Në këtë na udhëzon Zekerija (a.s.), i cili e luti Allahun e Plotfuqishëm: “Zoti im! Dhuromë mua nga ana Jote pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je dëgjues i lutjes!” (Alu Imran, 38)

Kjo është përgjithësisht lutje për fëmijë të hajrit, por edhe shpresë e sinqertë, për ato çifte të martuara që janë kohë të gjatë në martesë, por që ende nuk kanë fëmijë.

Pastaj edukimi vazhdon me mësimin dhe këshillimin e vazhdueshëm të fëmijëve. Po nëse aty shfaqen probleme, sepse udhëzimi nuk është në dorën tonë por në dorë të Allahut, atëherë përsëri duhet të vazhdojmë me lutje. Për këtë na udhëzon Ibrahimi (a.s.), i cili e ka bërë këtë lutje: “O Zoti im, bën që unë të kryejë përherë namazin ashtu edhe pasardhësit e mi! O Zoti ynë, pranoje lutjen time!” (Ibrahim, 40)

Kurse pastaj, edukimi vazhdon dhe përsoset me shembullin tonë personal. Kjo do të thotë, ne nuk mund të presim që fëmija ynë të falet, nëse ne nuk falemi, se do ta agjërojë ramazanin, nëse ne nuk agjërojmë, se ai do të shkojë në xhami, nëse ne nuk shkojmë … Nga ana tjetër, nuk mund të presim që fëmija ynë nuk do të pijë cigare, nëse ne pimë duhan, se ai nuk do të pijë alkool, nëse ne pimë, se ai nuk do të shkojë në imoralitet (zina, kurvëri) nëse ne shkojmë atje…

Pra, për t’i edukuar fëmijët tanë, së pari ne duhet ta edukojmë vetveten.

Tregimi në vijim, le të na shërbejë si shtytës për ne.

Konkretisht, pohohet se një rob i çliruar i quajtur Mubarek, ishte punësuar si rojtar i pemishtes tek një njeri i pasur. Një herë, ky njeri kalon pranë pemishtes me musafirët e tij, kështu që i thotë Mubarekut që t’ua vjelë nga një shegë të ëmbël. Mubareku i voli, por shega ishte e hidhur. Pronari e pyeti me zemërim: -Ti a nuk bën dallim midis të ëmblës dhe të hidhurës?

Mubarek i thotë: – Ti më ke punësuar mua si roje, dhe nuk më ke autorizuar që t’i provoj se cila shegë është e ëmbël dhe cila nuk është.

Pronari e pyeti: – Për kaq vite që punon tek unë, ti a nuk ke vjelë asnjë shegë?

Mubarekuu përgjigj: – Po, ashtu është.

I mahnitur nga ndershmëria e tij, pronari e pyeti: – O Mubarek, nga pasardhësit, unë e kam vetëm një vajzë, andaj çka po më këshillon, me kënd ta martoj atë?

Mubareku i tha: – Me sa di unë, hebrenjtë kryesisht martohen me vajza për para, të krishterët shikojnë më shumë në bukuri sesa në pasuri, arabët e shikojnë origjinën, kurse muslimanët e vërtetë e shikojnë devotshmërinë e atij për të cilin e martojnë vajzën, kështu që ti shiko se për kë do ta martosh atë.

Pronari atëherë tha: – O Mubarek, unë e favorizoj devotshmërinë, dhe meqenëse nuk njoh askënd më të devotshëm se ti, unë dua ta martoj vajzën time me ty!

Fryt i kësaj martese është djali i tij Abdullah ibn Mubarek, dijetari i njohur islam, i cili ka shkruar shumë vepra në fusha të ndryshme islamike.

Në lidhje me këtë, Muhamed b. Munkedir ka thënë: – Për mirësinë e ndonjë robi të Tij, Allahu i mbron fëmijët e Tij dhe pasardhësit e tyre, e madje edhe lagjen përreth tij, dhe ata janë vazhdimisht nën mbrojtjen e Allahut për sa kohë ai njeri të gjendet në mesin e tyre.

Prandaj, në fund, unë i lutem Allahut të dashur, që neve dhe fëmijët tanë, të na udhëzojë në Rrugën e drejtë, që për shkak të mirësisë sonë, edhe pasardhësit tanë t’i mbrojë nga belatë dhe mashtrimet, si dhe, neve, prindërit dhe fëmijët tanë me mëshirën e Tij, të na shpërblejë me xhenet. Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *