• Fri. Apr 19th, 2024

Fudajl ibn Ijadi: Gënjshtar më i madh është ai që vazhdimisht kthehet në një mëkat të caktuar

Bylexopress

Apr 15, 2020

Transmetohet se Fudajl ibn Ijadi ka thënë: “Nëse dijetarët islamë do të kishin pak më shumë vetëvlerësim, nëse do të ishin vërtet të përkushtuar ndaj fesë, nëse do ta respektonin shkencën dhe ta vendosnin në shkallën që e vendosi Allahu i Plotfuqishëm, para tyre do të ishin përulur edhe më të fuqishmit, kurse masat do t’i ndiqnin pa asnjë fjalë. Mirëpo, ata i keqpërdorën njohuritë dhe profesionin e tyre dhe e rafinuan shkencën islame, duke e përdorur si mjet për arritjen e pasurisë së kësaj bote, dhe kështu nxitën mbi vete zemërimin dhe mallkimin e popullit.” [Et-Tedhkire el-hamdunijje, II/96]

Ai gjithashtu ka thënë: “Frika nga Allahu është më e mirë për njeriun sesa shpresa, derisa njeriu është i shëndetshëm, mirëpo, kur njeriut i vjen vdekja, atëherë më mirë për të është që ta mbipeshojë shpresa frikën.“ [Et-Tedhkire el-hamdunijje, III/136]

I pyetur në lidhje me thelbin dhe urtësisë së asketizmit dhe heqjes dorë nga dynjaja (për zuhdin), ai është përgjigjur: “Urtësia e asketizmit fshihet në dy fjalë të Allahut në këtë ajet kuranor: “Për të mos u dëshpëruar për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë juve.“ (el-Hadid, 23) [Et-Tedhkire el-hamdunijje, I/225]

Ai ka thënë: „Betohem në Allahun, nuk e ke të lejuar që padrejtësisht ta shqetësosh një qen dhe një derr, e lëre më një musliman.“ [Sijer el-e’alam en-nubela’, VIII/428]

Ai gjithashtu ka thënë: “O njeri i gjorë, ti je mëkatar i madh – ndërsa veten e sheh si bamirës, ti je injorant – ndërsa veten e konsideron dijetar, ti je koprrac – ndërsa veten e konsideron si fisnik dhe bujar. Jetën e ke të shkurtër, ndërsa shpresën e ke të gjatë.“ [Sijer el-e’alam en-nubela’, VIII/440]

Ai ka thënë: „Janë pesë shenja të fatkeqësisë dhe shkatërrimit: (1) ngurtësia e zemrës, (2) syri që vështirë loton, (3) mungesa e turpit, (4) lakmia për dynjanë dhe (5) shpresa e gjatë.” [Err-Risaletul-kushejrijje, fq. 108]

Duke folur për moralin e bukur dhe të keq, ai ka thënë: “Më shumë preferoj të shoqërohem me një mëkatar me moral të bukur, sesa me një të devotshëm me moral të keq. Mëkatari që është me moral të bukur, është i dashur midis njerëzve, ndërsa i devotshmi që është me moral të keq, është i vështirë për njerëzit dhe njerëzit nuk e duan.” [Siraxhul-muluk,fq. 253]

Në një rast ai ka thënë: “Gënjeshtari më i madh është ai, i cili vazhdimisht kthehet në një mëkat të caktuar; injoranti më i madh është ai, i cili mburret me bamirësinë e tij; njeriu më i ditur është ai, i cili ka frikë më shumë nga Allahu. Njeriu nuk do ta plotësojë besimin e tij, derisa t’i japë besimit përparësi mbi pasionin, dhe njeriu nuk do të shkatërrohet derisa t’i japë përparësi pasionit mbi besimin.” [Sijer el-e’alam en-nubela’, VIII/427]

I pyetur se si është ai dhe cila është gjendja e tij, Fudajl ibn Ijadi është përgjigjur: “Në çfarë gjendje mund të jetë ai, i cili ka shumë mëkate dhe pak dituri, jeta e të cilit gati ka kaluar, ndërsa ai për udhëtimin nga kjo botë nuk e ka përgatitur pajisjen për rrugë.” [Sijer el-e’alam en-nubela’, VIII/440]

Kur e kanë pyetur Fudajl ibn Ijadin, se çka është njerëzia dhe edukata e bukur, ai është përgjigjur: “Kulmin e njerëzisë njeriu e arrin me bamirësi ndaj prindërve, me fitim hallall, me ndarjen e pasurisë në emër të Allahut, me moral të bukur, me fisnikëri ndaj vëllezërve muslimanë dhe me shikimin e punëve të veta.” [Zuhd el-kebir, br. 150]

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *