• Fri. Apr 19th, 2024

Ilaçi i ankthit, hidhërimit dhe pikëllimit, ja si ti largosh ato

Bylexopress

Nov 8, 2020

Njeriu në këtë botë goditet me brenga të ndryshme, në zemrën e tij bien shumë brenga, të cilat i shkaktojnë vuajtje dhe dhembje dhe i sjellin pikëllim. Këto brenga janë të caktuara dhe të shkruara, gjë që njeriu patjetër do t’i përjetoj në këtë botë; por Allahu i ka dhuruar njeriut disa shkaqe madhore dhe gjëra të rëndësishme, që nëse kujdeset për praktikimin e tyre, atëherë atij do t’i largohet pikëllimi, dhembja dhe vuajtja, dhe do të realizohet lumturia e tij në këtë botë.

– Ekzistojnë disa brenga që shkaktojnë dhembje dhe vuajtje në zemër, disa prej tyre lidhen me gjëra të së kaluarës, lidhen me disa përkujtime që kanë kaluar, ku zemra pikëllohet dhe vuan kur i përkujton ato.

– Gjithashtu disa brenga dhe vuajtje lidhen me gjëra të së ardhmes, të cilat bëjnë që njeriu të ketë ankth dhe të vuaj për shkak se nuk e di se si do të jetë gjendja e tij me to.

– E gjithashtu ekziston edhe brenga e hidhërimit, e cila lidhet me situatën momentale të njeriut.

Pra këto janë tri brenga:

PIKËLLIMI është brengë që lidhet me gjërat e së kaluarës.

ANKTHI është brengë që lidhet me gjërat e së ardhmes, si dhe

HIDHËRIMI që lidhet me gjendjen momentale të njeriut.

Këto tri brenga mund të largohen nga njeriu nëse ai kthehet sinqerisht tek Allahu, i nënshtrohet dhe dorëzohet Atij, duke besuar në kaderin e tij, duke njohur emrat dhe cilësitë e Tij, duke besuar, medituar dhe praktikuar Librin e Tij. Përndryshe, vetëm në këtë mënyrë largohen këto brenga dhe realizohet lumturia e njeriut.

Lidhur me këtë, Imam Ahmedi dhe Ibnu Hibbani transmetojnë nga Ibën Mes’udi, i cili tregon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Çdo njeri që e godet ankthi dhe pikëllimi, e më pas e lut Allahun me këto fjalë:

‘O Allah, unë jam robi Yt, i biri i robit dhe robëreshës Sate.
çështja ime është në dorën Tënd, vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm, caktimi yt mbi mua është i drejtë.

Të lutem me çdo emër Tëndin, me të cilin ke emërtuar Veten,
apo e ke zbritur në librin Tënd, apo ia ke mësuar dikujt nga robërit e Tu,
apo e ke mbajtur fshehur në diturinë Tënde,
bëje Kuranin pranverë për zemrën time, dritë për gjoksin tim,
largim të pikëllimit dhe ankthit tim’.

Allahu do t’ia largojë ankthin dhe pikëllimin e tij dhe do t’ia zëvendësoj me gëzim”.

Më pas, kur sahabët e dëgjuan Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) duke i drejtuar dhe udhëzuar tek kjo dua madhështore, atij i thanë: “Vërtetë ne duhet t’i mësojmë mirë këto fjalë?”.
Atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ua ktheu: “Gjithsesi, ai që i dëgjon këto fjalë duhet t’i mësoj”.

Këto janë disa fjalë madhështore, të cilat duhet t’i mësoj muslimani dhe të përpiqet t’i thotë sa herë që goditet nga brenga e ankthit, hidhërimit dhe pikëllimit. Por duhet ta dijë se këto fjalë do t’i bëjnë dobi vetëm nëse realizon dhe praktikon kuptimin dhe qëllimin e tyre. Ndërsa, nëse ai citon dua të ndryshme duke mos i kuptuar dhe duke mos realizuar qëllimin e tyre, atëherë ato nuk do të kenë ndikim e as dobi.

Nga: Dr. AbduRrezak el Bedr hafidhehullah
Përktheu: Jeton Bozhlani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *