• Fri. Apr 19th, 2024

Janë dy grupe – cili është grupi yt?

Bylexopress

Apr 13, 2020

Rruga për në xhenet këtu është e hapur për të gjithë. Të gjithëve ju është dhënë furnizimi sipas caktimit të Allahut. Të gjithë, duke ecur përgjatë dynjasë drejtohemi atyre rrugëve që vetë i zgjedhim. Begatitë janë në dispozicion edhe të atyre që e duan Allahun, edhe të atyre që nuk e duan. Kur të vijë vdekja, secili do ta shohë rrugën e tij dhe do ta shohë vendbanimin e tij të përjetshëm.

Në Berzah, në jetën në varreza, secili do të mbetët me veprat e veta. Kurse kur ta dëgjojmë zërin shurdhues, i cili do të jetë zëri që bën thirrje për tu ngritur nga varrezat, ne do të ngrihemi dhe do të nxitojmë kah Ai që na thërret. Disa do të shkojnë me kuaj garues, disa me deve, të tretët në këmbë, kurse të katërtit duke u zvarritur me fytyrat e tyre për tokë.

Katade regjistron nga Enesi (r.a.), se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut, si do të shkojë jobesimtari në Ditën e Gjykimit duke u zvarritur me fytyrën e tij!” Pejgamberi (savs), thotë: “Ai i Cili e ka bërë në këtë botë që të eci me këmbë, a nuk është në gjendje ta bëjë atë, që në Ditën e Gjykimit të shkojë i kthyer me fytyrë në tokë?” Katade e komentoi këtë bisedë kështu: “Po, kjo është e mundur, betohem në fuqinë e Zotit tim! Në këtë kuptim është edhe ajeti: “Na, do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit (duke i tërhequr zvarrë) me fytyrat e tyre të verbëta, shurdhe e memece. Vendbanimi i tyre është xhehenemi. Kurdo që të zbehet ai (zjarri), Na ia shtojmë flakën.” (el-Isra, 97)

Disa do të shikojnë në dritë, kurse të tjerët do të jenë të verbër në errësirë. Disa do të nguten drejt të Mëshirshmit, ndërsa të tjerët do të hyjnë në zjarr. Disa do të bartin krahore nga argjendi dhe do të pinë pije të pastër nga Zoti i tyre, ndërsa të tjerëve do tu vihen pranga. Disa do të veshin veshje nga mëndafshi, kadifja dhe nga materiale të tjera të shtrenjta, ndërsa të tjerët do të veshin këmisha nga zjarri dhe katrani. Disave Zoti do tu thotë: “Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar, e sa përfundim i bukur që është ky!” (err-Rra’d, 24), kurse disa të tjerëve, do tu thotë: “Qëndroni të përbuzur në zjarr dhe mos thoni asgjë”.

Atëherë e vërteta do të dalë në dritë. Rrugët e tyre do të ndryshojnë dhe do të ndahen në dy grupe. Ajo që ishte e fshehur do të shihet, ajo që ishte e fshehtë do të bëhet publike, gjithçka do të bëhet e qartë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “A do të sillemi me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira si me ata që bëjnë çrregullime në Tokë; apo, vallë do të sillemi me njerëzit e mirë si me njerëzit e këqij?” (Sad, 28)

“A mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija se, Ne, do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa gjykim i keq që është ky! (el-Xhathije, 21)

– Sa shumë ka nga ata të cilët në këtë botë kanë veshur rroba të shtrenjta të shumëllojshme, kurse atë ditë për gjatë kohë do të mbeten lakuriq?

– Sa shumë ka nga ata të cilët në këtë botë kanë ngrënë nga ushqimet më të ndryshme, kurse atë ditë për gjatë kohë do të vuajnë nga uria?

– Sa shumë njerëz ka nga ata të cilët në këtë botë kanë pirë çka kanë dashur, kurse atë ditë për gjatë kohë do të vuajnë nga etja?

– Sa ka prej atyre të cilët në këtë botë kanë shijuar të gjitha kënaqësitë, kurse atë ditë do të bëhen të varfër?

Allahu i Lartësuar thotë: “Atë shtëpinë e botës tjetër, Na do ta bëjmë për ata që nuk dëshirojnë madhështi e as ngatërresa në Tokë. E, përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (el-Kasas, 83)

Sa ndryshim i madh midis këtyre dy grupeve, sa ndryshim i madh midis dy rrugëve të tyre.

Disa do të vijnë në ahiret para Zotit të hipur dhe do të hyjnë në kopshtet e xhenetit, ndërsa të tjerët do të tërhiqen zvarrë me fytyra për toke dhe do të hidhen në xhehenem, ku do të jenë në mundime dhe vuajtje të përhershme. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “(Kujtoju atyre) kur do t’i tubojmë besimtarët te Mëshiruesi, si të ftuar. – Ndërsa mëkatarëve u grahim në xhehenem të etshëm.” (Merjem, 85-86)

Ali ibn Ebu Talibi (r.a.), duke i komentuar këto ajete, thotë: “Betohem në Allahun, robërit e mirë të Zotit nuk do të mblidhen duke shkuar në këmbë, por hipur mbi deve me shalë të artë dhe mbi kuaj të racës fisnike me shalë me gurë të çmueshëm, të cilët kur të duan shkojnë në trok, ndërsa kur të duan fluturojnë. Kurse fjalët e të Lartësuarit: ‘Ndërsa mëkatarëve u grahim në xhehenem të etshëm’, kjo domethënë, do të jenë aq të etur, sa që nga etja do tu pëlcet fyti, por ata përsëri nuk do të vijnë te burimi, por në xhehenem do të pinë ujë të vluar.”

Në të gjashtë koleksionet e hadithit, është regjistruar nga Pejgamberi (savs) se jobesimtarët dhe mëkatarët do të pyeten: “Çka dëshironi?” Ata do të bërtasin: “Ujë, po vdesim për ujë!”

Pastaj do t’u tregohet atyre xhehenemi si mashtrim, do t’u duket atyre se është ujë, por në fakt do të jetë një zjarr që grumbullohet mbi njëri-tjetrin dhe atyre do t’u thuhet: “A nuk doni të pini?” Pra, nuk do të ketë ujë për ata që në dynja sillën me madhështi dhe bëjnë çrregullime në Tokë.

Ujë, ushqim, veshmbathje të ngrohtë, shtëpi të sigurt kërkojnë me mijëra nga vëllezërit dhe motrat tona, të cilët duke ikur nga lufta, nga padrejtësia dhe tirania, nga varfëria janë ulur para dyerve të Evropës së pasur. Së pari, këta evropianët e pasur, për interesa të veta i dëbuan nga shtëpitë dhe vendet e tyre, dhe më pas i lanë pa ndihmë. Hapni zemrat dhe shtëpitë tuaja, hapni kufijtë tuaj për këta njerëz nevojtarë, për ata fëmijë që qajnë dhe për ato gra të rraskapitura. Edhe Libri juaj, prej të cilit e mësoni fenë, ju bën thirrje për bamirësi, për dashuri për njeriun.

Nuk do të ketë ujë për ata që në dynja sillën me madhështi dhe bëjnë çrregullime në Tokë.

Kënd nuk e lejon arroganca që të bie në sexhde, me çka do ta shuaj ai etjen në ahiret?

Kënd nuk e lejon arroganca që të pendohet dhe ta zgjedh grupin e shpëtuar, ku do ta shuajë ai etjen në ahiret?

O njeri, shejtani ta zbukuron mëkatin tënd. Ky është mashtrim. Kur njeriu nuk dëshiron asgjë tjetër përveç ujit, ata që kanë bërë mendjemadhësi dhe çrregullime, do të mendojnë se po e shohin ujin. Por, jo, ai do të jetë mashtrim, ata do ta shohin zjarrin.

O Zoti i Lartësuar, na përfshi neve në grupin e atyre që nuk do të qajnë për ujë. Amin!

Autor: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *