• Fri. Apr 19th, 2024

Kështu më mësoi namazi

Bylexopress

Apr 15, 2020

Falënderimi i qoftë Allahut i Cili ka përcaktuar për muslimanët që ta falin namazin 5 herë në ditë, dhe për këto 5 veprime ka premtuar 50 shpërblime. Paqja dhe salavatet qofshin për Muhamedin (savs), i cili ka thënë: “Gëzimi im më i madh është në namaz.”

Namazi ka vend të madh dhe të pazëvendësueshëm në Islam dhe është obligim i secilit musliman dhe muslimane, të cilët duhet sa më shumë dhe sa më mirë, të depërtojnë në sekretet e namazit, për të zbuluar aty shumë përfitime, prioritete, mençuri dhe vlera, në mënyrë që t’i qasen dhe ta kryejnë, ashtu siç ka vepruar Pejgamberi (savs) dhe pasuesit e tij të sinqertë.

Përfitimet dhe prioritetet e namazit në jetën tonë nuk mund të numërohen as me mendje të kuptohen, kështu që unë këtu do të ndalem vetëm në disa nga përfitimet që mi ka mësuar namazi, e të cilat, çdo musliman i cili e praktikon rregullisht namazin mund t’i zbulojë dhe konfirmojë.

1. Namazi më ka mësuar vlerën dhe rëndësinë e kohës në jetën e njeriut, sepse namazi është përcaktuar në kohë të caktuar dhe nuk mund të falet as para asaj kohe, as pas asaj kohe, përveç për ndonjë arsye të justifikuar.

2. Namazi më ka mësuar ta kuptoj rëndësinë e ndarjes së veprave, punëve dhe llojllojshmërinë e tyre. Në fakt, muslimanëve ju janë përcaktuar 5 namaze, por ato ndryshojnë për nga numri i rekateve dhe për nga forma e tyre, sepse në disa namaze Kurani lexohet me zë të lartë, kurse në disa lexohet në vetvete.

3. Namazi më ka mësuar vlerën dhe rëndësinë e diturisë, sepse kush nuk ka dituri, ai nuk mund të bëjë një punë të caktuar në mënyrë të plotë dhe të saktë.

4. Namazi më ka mësuar ta kuptoj rëndësinë e aktivitetit, të iniciativës së vazhdueshme dhe nxitimit për të bërë vepra të mira, si dhe rëndësinë e rrezikut të pakujdesisë, koncesionit dhe vonesës në përmbushjen e detyrës personale.

5. Namazi më ka mësuar edhe një gjë të rëndësishme, e ajo është që umeti islamik nuk mund të arrijë sukses të vërtetë dhe rilindje në jetën e tij, pa e pasur një udhëheqës të përbashkët, dhe është i detyruar që t’i bindet një udhëheqësi musliman. Nëse ne do ta falnim namazin bashkërisht, por pa imam, ose nëse namazi do të udhëhiqej nga më shumë imamë, atëherë namazi nuk do të ishte falur siç duhet.

6. Namazi më ka mësuar se forca jonë qëndron në bashkësi, unitet, xhematë, sepse, edhe vetë pamja në rreshta të ngjeshur fort nga muslimanët në namaz pas një imami, shtinë frikë në zemrat e njerëzve.

7. Namazi më ka mësuar se sa më afër njëri-tjetrit që të jemi, shejtani dhe shoqëria e tij e mallkuar kanë gjithnjë e më pak shanse që të hyjnë në mes dhe të mbjellin konfuzion, urrejtje dhe armiqësi mes nesh.

8. Namazi më ka mësuar se shpirti i njeriut kërkon vetë-llogaritje, kështu kur më shumë njerëz marrin pjesë në të, atëherë suksesi është shumë më i madh, si dhe ata që ngrihen në namaz të sabahut – janë fitues të sigurt.

9. Namazi më ka mësuar ta kuptoj vlerën e Kuranit dhe Sunetit, sepse përparësinë që të jetë imam dhe të udhëheq namazin, e ka ai që di më shumë nga Kurani dhe Suneti.

10. Namazi më ka mësuar që t’i respektoj muslimanët e moshuar, sepse në rast të njohjes së barabartë të Kuranit dhe Sunetit, përparësia për imam i jepet atij që është më i moshuar.

11. Namazi më ka mësuar që të garoj në vepra të mira dhe të përpiqem që me kohë ta zë një vend në rreshtin (saffin) e parë.

12. Namazi më ka mësuar se për çdo vepër të madhe, më parë duhet bërë përgatitje të plotë. Kështu që imami nuk mund ta shqiptojë tekbirin fillestar dhe ta fillojë namazin pa këndim paraprak të ezanit, ikametit dhe formimit të rreshtave.

13. Namazi më ka mësuar se shkaku objektiv dhe i arsyeshëm, mund të jetë falje dhe arsyetim për mos kryerjen e ndonjë veprimi të caktuar.

14. Namazi më ka mësuar për pastërtinë shpirtërore dhe fizike dhe për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për to.

Këto janë vetëm disa nga përfitimet për të cilat më ka mësuar namazi, kurse shumicën prej tyre ndoshta edhe vetë ju i keni zbuluar dhe përjetuar. Prandaj, le të vazhdojmë me namaz, në mënyrë që të zbulojmë sa më shumë përfitime dhe mençuri.

I lutem Allahut që gëzimi ynë më i madh të jetë në namaz.

Përkthim: Miftar Ajdini

Muslih bin Zuvejd el-Utejbi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *