• Wed. Apr 24th, 2024

Kush i bindet Profetit alejhis-selam ai i është bindur Allahut

Bylexopress

Jan 20, 2021

Kush i bindet Profetit alejhis-selam ai i është bindur Allahut

Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë: Na ka treguar Ebu Muavijeh dhe Uekiu: Nga El-Eamashi: Nga Ebu Salih: Nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush më bindet mua ai është bindur Allahut dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar.”[1]

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!): Hadithi i Ebu Hurejrës radijAllahu anhu lidhet me temën, e cila ka të bëjë me pasimin e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush më bindet mua ai është bindur Allahut dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar.”

Pra, bindja ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është prej bindjes ndaj Allahut të Lartësuar. Ngase i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kumton (përcjell Mesazhin Hyjnor) nga Allahu Lartësuar. Dhe se hadithet e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem janë Shpallje nga Allahu Lartësuar me të cilin ka zbritur (ardhur) Xhibrili te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Shpallja është dy pjesë:

-Kuran.

-Sunet.

Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush më bindet mua ai është bindur Allahut dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar” (tregon se) Allahu Lartësuar është Ai i Cili e ka dërguar atë (Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e urdhëroi për kumtim (përcjellje të Mesazhit Hyjnor). Prandaj bindja ndaj tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ndërsa kundërshtimi i tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është kundërshtim ndaj Allahut të Lartësuar. Ngase i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka gjë në dorë përveçse kumtimin (përcjelljen e Mesazhit Hyjnor). Kush i beson të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me atë që ka ardhur, ai ka besuar Atë (Allahun), i Cili e ka dërguar atë. Kush i bindet të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me atë që ka ardhur, ai i është bindur Atij që e ka dërguar atë. Dhe kush largohet nga ajo që i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar, ai është ka zbatuar atë që ka ardhur nga Ai (Allahu), i Cili e ka dërguar.

Prandaj në shumë vende në Kuran tregohet urdhëri për bindjen ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindjen ndaj të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Bindje ndaj Allahut të Lartësuar në atë që ka ardhur në Librin e Tij dhe bindje ndaj të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në atë që ka ardhur në Sunetin e tij.

Bindja ndaj të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në atë që ka ardhur në Sunetin e tij është bindje ndaj Allahut të Lartësuar, sepse (ajo me të cilën ka ardhur Profeti alejhis-selam) është prej Allahut të Lartësuar dhe jo nga vetë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Siç thotë Allahu Lartësuar: ” Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” En-Nexhm, 3-4

Burrat e zinxhirit:

Fjala e tij: “Na ka treguar Ebu Muavijeh” emri i të cilit është Muhamed bin Khazim ed-Darijr el-Kufij. Është i njohur më së shumti me kunjën (llagapin) e tij. Ai është i besueshëm, nga i cili kanë transmetuar të gjashtë autorët e suneneve.

Fjala e tij: “dhe Uekiu” emri i të cilit është Ibën el-Xherrah er-Ruvasij el-Kufij. Ai është i besueshëm, nga i cili kanë transmetuar të gjashtë autorët e suneneve.

Me shkurtime nga “Sherh Kitab es-Sunneh min Suneni Ibën Maxhe”

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Buhariu (2957), Muslimi (1835), “El-Irvau” (394) dhe “Tuhfeh” (12547), (12477).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *