• Thu. Apr 25th, 2024

Kutia e mbushur përplot me puthje

Bylexopress

Dec 25, 2020

Një baba, tepër koprrac dhe dorështrënguar, kur e pa vajzën e tij të vogël se si e çonte dëm ngjitësen për ta paketuar një kuti, u xhindos dhe e humbi toruan. Ai i bërtiti asaj si i çmendur, ia mori ngjitësen nga dora ndërsa kutinë e hodhi jashtë dhomës.

Me gjithë çfarë ndodhi, vajza doli jashtë, mori kutinë e mbështjellur me ngjitëse ia solli babait dhe i tha:”Kjo është për ty babi!”

Në moment atij i erdhi turp nga reagimi i tij i mëparshëm. Por, kjo nuk zgjati shumë. Kur e hapi kutinë, e pa se kutia ishte bosh. I nervozuar, me zë të lartë i tha vajzës:”Akoma nuk e di se kur t’i japësh dikujt dhuratë, ajo duhet të ketë diçka, e jo të jetë bosh.” E mori kutinë dhe e hodhi në mbeturina dhe u ul në divan, me fytyrë të mbuluar me duar.

Vajza me lot në sy, iu afrua dhe i tha: ”Por babi, kutia ishte e mbushur përplot me puthje, të cilat i paketova për ty!”

Këto fjalë e dërrmuan babanë, i cili e shtrëngoi fort vajzën e tij dhe me lot në sy i kërkoi falje. Edhe ajo e përqafoi dhe i dha shumë puthje.

Babai u ngrit, mori kutinë e hedhur tek mbeturinat, filloi ta pastrojë dhe të shtirret sikur po i nxjerr puthjet që vajza e tij i kishte paketuar në kuti, gjë që e bëri vajzën të qeshte me gjithë zemër. Të dy, mbetën të kënaqur atë ditë, me lojërat dhe shakatë me njëri-tjetrin. Që nga ajo ditë, babai u betua se do t’i kushtonte më shumë kohë dhe vëmendje vajzës së tij. Dhe ashtu bëri. Sa më shumë vite kalonin, aq më shumë forcohej dashuria mes tyre.

Por, një ditë, një aksident tragjik e shkëputi vajzën e tij nga jeta e përditshme. Thuhet se babai në fjalë, e kishte ruajtur kutinë e artë gjatë gjithë atyre viteve. Pas aksidentit, ai e kishte nxjerrë kutinë dhe e mbante gjithmonë mbi tavolinën pranë krevatit të tij. Sa herë që ndihej i dëshpëruar dhe i mërzitur, ai afrohej tek kutia, kujtonte dashurinë e pakushtëzuar të së bijës dhe rrëmbente ndonjë puthje imagjinare, të cilat e bija ia kishte paketuar që nga ajo ditë e paharruar.

Secili prej nesh e ka një kuti të artë të mbushur përplot me dashuri të pakushtëzuar nga fëmijët, familja dhe miqtë. Nuk ka gjë më të shtrenjtë që mund të zotërojë dikush, sesa një kuti të tillë.
Ne duhet ti mirëkuptojmë njerëzit përreth, t’ju shprehim dashurinë tonë dhe t’i trajtojmë me dashuri dhe butësi. Atëherë do të kuptojmë sa shumë na duan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *