• Wed. Apr 24th, 2024

Lumturia njerëzore i ka rrënjët në Islam

Bylexopress

Apr 8, 2020

Njeriu duke qenë trup dhe shpirt ka zemër, mendje, ndjenja, logjikë dhe gjymtyrë. Ai është i lumtur e i shpëtuar nëse do të ketë një balancim të të gjithë këtyre përbërësve, balancim me parametra të drejtë e të qëndrueshëm.

Nuk mund të bëjmë fjalë për një qytetërim të shëndetshëm e të mbarë nëse nuk kemi siguruar një mjedis të pastër fetar, edukativ, moral e kulturor. Kjo do të arrihet në ato shoqëri ku drejtimin e jetës dhe administrimin e qytetërimit do ta marrin në dorë ata që besojnë paralelisht edhe te lënda edhe te shpirti.
Islami nuk e sheh jetën në tokë si kafaz të hekurt apo me pranga në qafë, po ashtu nuk e sheh atë si një mundësi për shfrenim dhe argëtim pa fre. Islami nuk e sheh këtë jetë si një sofër të shtruar… as tokën si një depo të mirash e begatish materiale, si pasuri pa zot për t’u derdhur drejt saj, kush e kush për të rrëmbyer sa më shumë. Islami e sheh këtë jetë si mirësi dhe shkak të çdo lumturie. Njeriu shfrytëzon mundësitë për të qenë sa më pranë Allahut duke arritur përsosmërinë e tij humane.

“Gjithë ç’ka në tokë Ne e kemi krijuar si zbukurim për të, që t’i sprovojmë cili prej tyre bën vepra më të mira!” (Kur’an 18:7)
‘Thuaj: ‘Kush i ka ndaluar stolitë e Allahut dhe ushqimet e mira, të cilat Ai i ka bërë për robërit e Vet?” (Kur’an 7:32)

Allahu e bëri njeriun dëshmues ku të ketë nën vëzhgim gjithçka që njerëzit veprojnë, duke i orientuar drejt së mbarës në sjelljet, qëndrimet dhe dëshirat e tyre. Duke orientuar të humburin e duke kthyer të larguarin e të degdisurin, duke ndrequr të prishurin e duke drejtuar të shtrembrin. Duke riparuar të çarat e duke i dalë në mbrojtje të dobëtit para të fuqishmit. Duke vënë drejtësi e duke marrë hak për të nëpërkëmburin ndaj mizorit…
Studiuesi mysliman gjerman, prof. Muhamed Esed (i lindur në Austri) pranoi Islamin duke hequr dorë nga besimi i tij hebre më 1926. Ai ndryshoi emrin e tij (Leopold Weiss) dhe thotë: “Islami nuk e sheh botën me syze të errëta, përkundrazi, ai na mëson që të mos jemi shpërdorues në vlerësimin e jetës në tokë, as të mos e teprojmë me vlerat dhe kapacitetet e saj, siç ndodh në qytetërimet perëndimore… Islami e sheh jetën me qetësi dhe respekt. Ai nuk adhuron jetën, por e llogarit si një periudhë kalimtare në të cilën ecim drejt një jete tjetër, më të lartë. Dhe meqë kjo jetë është thjesht një etapë, që nuk bën pa të, atëherë njeriut nuk i takon ta nënvleftësojë, apo t’i pakësojë rëndësinë që ka ajo. Islami e ndan të vërtetën nga e pavërteta duke e lartësuar të vërtetën e duke hedhur poshtë të pavërtetën, të kotën. Vlera dhe mirësia do të ekzistojë e do të mbeten në qoftë se njeriu lufton për ta shtrirë pushtetin në tokë, e do të humbasin nëse i braktis ato.

“Po ka prej tyre edhe që thonë: ‘O Zot, na jep mirësi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër dhe ruana prej dënimit me zjarr!” (Kur’an, 2: 201)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *