Lutja (duaja) ndryshon caktimin

Hadithi në vijim na zbulon qartazi shumë gjëra të rëndësishme: “Dyert e mëshirës do t’i hapen atij që i hapen dyert e lutjes (duas)! Për Allahun më e dashur është që nga Ai të kërkohet shëndeti! Në të vërtetë duaja është e dobishme për atë çka të ka ndodhur, por edhe për atë që nuk të ka ndodhur! Andaj, luteni Allahun!” (Imam Tirmidhiu)

Në disa hadithe në vend të fjalëve “dyert e mëshirës” qëndron “dyert e xhenetit”. Me këto fjalë tregohet një nderë i vençatë për lutjen, sepse ai që lutet gjithmonë e përkujton Zotin dhe i kthehet Atij.

Fjalët: “Duaja është e dobishme për atë çka të ka ndodhur” mund të kuptohen se ai që lutet më lehtë i përballon sprovat dhe fatkeqësitë që i ndodhin, si dhe lutjen e sheh si zbutje dhe largim të sprovës. Me fjalët  “edhe për atë që nuk të ka ndodhur!” mund të aludohet se lutja ishte shkak që njeriut të mos i ndodh diçka. Në një hadith tjetër nga Tirmidhiu qëndron: “Caktimin e Allahut e ndryshon vetëm duaja, ndërsa jetën e zgjat vetëm bamirësia.”  Me këtë hadith argumentohet se Allahu e fshin atë që e ka caktuar për robin e vet për të cilën flasin edhe shumë hadithe të tjera dhe vërtetohen  me ajetin Kuranor të sures Ra’d (39): “All-llahu shlyen (nga ajo evidencë) çka të dojë, edhe forcon (çka të dojë). Vetëm tek Ai është baza e librit (Levhi Mahfudhi)”

Duaja pranohet

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (El-Bekare, 186)

Edhe ky ajet, mes të tjerëve, tregon se i Madhërishmi pranon lutjen e atij që lutet. Në këtë nuk ka asnjë dyshim! Ai që lutet duhet të jetë i bindur se Allahu do t’ia pranojë lutjen. “Luteni Allahun e madhërishëm dhe jini të bindur se do t’ua pranojë dhe do t’u jap atë që kërkoni. Dijeni se Allahu nuk pranon lutjen që vjen nga një zemër e pakujdesshme.” I Dërguari i Allahut në mënyrë të veçantë i ka përmendur disa kategori njerëzish që nuk u kthehet lutja mbrapsht:

1) Atij që i është bërë padrejtësi,  

2) Agjëruesit derisa të bëj iftar,

3) Udhëheqësit të drejtë dhe

4) Prindit që lutet për fëmijët e vet.

Kushtet e lutjes

Që duaja të pranohet duhet të plotësohen kushtet e saj themelore siç janë: Lutja e sinqertë e Allahut me nënshtrim dhe përulësi; të mos lutesh për të bërë gjynah dhe të shkëputësh lidhjet farefisnore; nafaka të mos meret haram; dhe të mos  shpejtosh në pranimin e lutjes.

Në bazë të kësaj që përmendëm mund të themi se lutja është shfaqje e nënshtrimit  dhe adhurimit tonë ndaj Allahut të Madhërishëm dhe argument i besimit tonë të sinqertë në Atë. Lutja shëron mendjemadhësinë, largon fatkeqësitë, shfaq  tevekkulin, shton dashurinë e Allahut dhe largon zemërimin e Tij, përmirëson dashurinë vëllazërore mes muslimanëve dhe është shenjë e robërve të sinqertë të Zotit.

Pertkheu: Arsim Dauti

(Islampress.ch)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *