Me përsosjen e namazit tonë edhe jeta jonë do të jetë e përsosur

Për ata që duan ta kthejnë jetën e tyre, pika e kthesës fillon me përqendrimin dhe përsosjen e namazit. Atëherë kur namazin e vendosim si prioritet – para shkollës, punës, argëtimit, shoqërisë, blerjeve, TV, lojës me top, vetëm atëherë mund ta kthejmë jetën tonë.

Ironia e kësaj të vërtete është se shumë njerëz janë të mashtruar, duke menduar se duhet së pari ta kthejnë jetën e tyre para se të fillojnë të falen. Ky mendim është një mashtrim i rrezikshëm i shejtanit, sepse ai e di se namazi është ai që e siguron energjinë dhe udhëzimin, të cilët janë të nevojshëm për ta kthyer jetën tonë. Kjo është si shembulli i një shoferi, makina e të cilit ka mbetur pa karburant, kurse ai këmbëngul që ta përfundojë udhëtimin para se ta mbushë rezervuarin. Ai person nuk do të mbërrijë askund. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit e tillë me vite të tëra mbetën në të njëjtin vend: as nuk falen as nuk e ndryshojnë jetën e tyre.

Shejtani i ka sfiduar dhe i ka mposhtur.

Duke vepruar kështu, ne i kemi lejuar atij që të vjedhë nga ne, atë që është tepër e shtrenjtë. Shtëpitë tona dhe makinat tona janë aq të shtrenjta për ne saqë kurrë nuk mendojmë që t’i lëmë të pambrojtura. Ne shpenzojmë qindra dollarë në sistemet e sigurisë për të qenë të sigurt. E megjithatë, zemrat tona kanë mbetur të pambrojtura, janë lënë që t’i vjedhë hajduti më i keq – hajduti i cili i premtoi Zotit, se do të jetë armiku ynë i palodhshëm deri në fund të kohës. Hajduti, i cili nuk do ta vjedh vetëm simbolin e metaltë të Mercedesit mbi të, por hajduti, i cili e vjedh shpirtin tonë të përjetshëm dhe biletën e përjetshme për xhenet.

Jasmin Muxhahid

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *