• Fri. Apr 19th, 2024

Mesazhe në kohë të ‘Corona Virus’

Bylexopress

Mar 13, 2020

Në emër të Allahut Mëshirues Mëshirëbërës

Falënderimet janë për Allahun xh.sh. Krijuesin e njeriut dhe të gjithçkaje tjetër, e dukshme dhe e padukshme, e dobishme apo e dëmshme, Krijues i vdekjes dhe i jetës, për të na sprovuar se kush prej nesh është më punëmiri. Salavatet janë për Pejgamberin tonë a.s që na ftoi të pastrojmë shpirtin që është fole e besimit tonë dhe të kujdesemi për trupin që është amanet i Zotit tonë, na mësoi se mbështetja te Zoti dhe zbatimi i ligjeve dhe rregullave që Ai ka krijuar janë që të dyja porosi prej Tij që nuk bien ndesh me njëra-tjetrën.
Në këto kohë, kur gati e gjithë bota është duke përjetuar një panik real ose artificial nga Corona Virus, desha të ndaj me ju disa mesazhe, me shpresën që Zoti të na qetësojë sadopak zemrat tona e të bëjmë atë që është me e mira si për dynjanë ashtu edhe për ahiretin tonë.

1- Mbështetja te Zoti

Ajo që duhet të na karakterizojë në këto kohë të trazuara është pikërisht ajo që na dallon. Pra, Besimi te Zoti dhe mbështetja te Ai. Besimi te Krijuesi i jetës dhe i vdekjes, i të dukshmes e të padukshmes, i virusit dhe i tërmetit, i gjithçkaje tjetër që ne e dimë apo shumë çkaje tjetër që ne nuk e dimë. E të besosh te Zoti dmth te mbështetesh te Ai, dmth të jesh me i qetë, më i vetëkontrolluar. Thonë se në rast shtyrje të turmave njerëzish ajo që vret më shumë është vetë turma, në rast emergjence zjarri dhe tërmeti ajo që vret më shumë janë vetë njerëzit që mbysin njëri-tjetrin. Ajo që rrezikon të vrasë më shumë në përballje me këtë virus është paniku i tepruar, frika se çdo gjë përreth nesh është një rrezik që na kanoset, demoralizimi, pesimizmi dhe dorëzimi shpirtëror. Le t’i kujtojmë vetes tonë se ka një Zot që ne i besojmë, se ka një kader (përcaktim) që nuk mund t’i shmangemi, dhe se streha më e sigurtë ne këto kohë është streha e Krijuesit që di gjithçka dhe bën çfarë të dojë.

قُل لَّن يُصِيبَنَا إِلَّا مَا كَتَبَ اللَّـهُ لَنَا هُوَ مَوْلَانَا  وَعَلَى اللَّـهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ ﴿٥١

Thuaj: “Do të na godas vetëm ajo që na ka caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Allahu le të mbështeten besimtarët!” (et-Tevbe, 51)

2- Marrja e masave është prej besimit

Të mendosh se marrja e masave të siguron nga çdo lloj rreziku dhe të garanton jetën është në kundërshtim me besimin te Zoti dhe me caktimin e Tij. Por të lësh pas dore marrjen e masave, të përballesh me rrezikun duke menduar se çfarë është caktuar do të ndodhë është përsëri në kundërshtim me besimin te Zoti dhe me udhëzimin e Tij.
Për ketë arsye, ndalimi i hyrjes në zonën e infektuar me epidemi, dhe po ashtu ndalimi i daljes prej saj, pastërtia trupore dhe e ambientit, respektimi i rregullave të karantinës dhe procedurës përkatëse, kontrolli mjekësor në rast dyshimi dhe njoftimi i autoriteteve, evitimi i çdo lloj veprimi të panevojshëm i cili mund të çojë në marrjen apo përhapjen e virusit etj, janë rregulla jo vetëm shëndetësore por edhe fetare. Larg panikut dhe ekzagjerimit, besimtarët duhet të japin shembullin e respektimit të rregullave shëndetësore si porosi fetare dhe si bindje ndaj autoriteteve kompetente.

3- Lutja te Zoti për mbrojtje dhe shërim

Nëse besojmë me të vërtetë se duaja është thelbi i ibadetit, se ajo na afron te Zoti, se ajo mund të jetë shkak edhe për kthimin mbrapsht të caktimit, atëherë më shumë se kurrë ne jemi të ftuar të kthehemi te lutjet përkatëse dhe përjetimi i tyre me shpirt e me zemër. Dhe në fakt falë Zotit, Pejgamberi ynë (a.s.), që prej më shumë se 1400 vitesh na ka mësuar si të lutemi në këto situata. Këto me poshtë janë vetëm disa prej lutjeve (duave) të pejgamberit në përshtatje me situatën që po kalojmë:

“Me emër të Zotit, të atij Zoti që pranë emrit te të Cilit nuk ka gjë që të dëmton në qiell e në tokë dhe Ai (Zoti) është Dëgjues dhe Shikues.” (3 here)

“O Zot, më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja dhe epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.”

“O Zot, na ruaj nga largimi i të mirave Tua, nga kthimi i shëndetit në sëmundje, nga sprovat e papritura dhe nga çdo zemërim Yti.”

Ashtu siç duhen lexuar sa me shpesh ajeti Kursija, surja el-Ihlas dhe suret mbrojtëse (el-Felek dhe en-Nas), salavate mbi Pejgamberin (a.s.) dhe dua të tjera si La havle ve la kuvvete il-la bil-lah.

Zoti na dhuroftë qetësi në besim, shëndet në trup dhe na ruajt nga dënimi i Tij!
Të gjithë popullit tonë dhe mbarë njerëzimit i qoftë e lehtë dhe e kaluar! (FB- Ferid Piku)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *