• Thu. Apr 25th, 2024

Mos bëni gjykime të shpejta për njerëzit

Bylexopress

Nov 8, 2020

Në një vend të vogël jetonte një piktor i vjetër, i cili kryesisht pikturonte natyrën. Pikturat e tij ishin shumë të bukura dhe me cilësi të lartë, por përkundër kësaj, ai i shiste me një çmim të volitshëm dhe prej saj jetonte mirë.

Një ditë, një njeri i varfër i atij vendi shkoi tek ai dhe i tha: “Ti po fiton shumë para nga puna jote, pse nuk ju ndihmon njerëzve tanë të varfër? Pse nuk e ndjek shembullin e kasapit tonë, i cili nuk ka shumë para, por çdo ditë ju shpërndan falas mish njerëzve të varfër në fshatin tonë.”

Piktori nuk iu përgjigj, por vetëm buzëqeshi. Njeriu i varfër u largua nga shtëpia e piktorit me zemërim, dhe filloi të përhapë lajme në të gjithë fshatin se piktori ishte njeri i pasur, por shumë koprrac. Vendasit u pajtuan me konstatimin e njeriut të varfër dhe donin të hakmerreshin ndaj piktorit për koprracinë e tij.

Pas një kohe, piktori i vjetër u sëmur, por askush nga vendasit nuk shkoi ta vizitonte. Jo shumë kohë pas kësaj, piktori vdiq i vetëm në shtëpinë e tij.

Ditët po kalonin dhe vendasit vunë re, se kasapi nuk po u shpërndante atyre mish falas siç kishte bërë më parë. Kur u pyet për arsyen, ai u tha atyre: “Derisa piktori ynë i vjetër ishte gjallë, ai çdo muaj më jepte një sasi të hollash dhe më thoshte, që në vlerë të asaj shume, të shpërndaja mish tek vendasit e varfër. Mirëpo, pasi që ai vdiq, unë më nuk jam në gjendje të shpërndaj mish falas.”

Prandaj, mos të bëjmë gjykime të shpejta për një njeri në bazë të asaj që shohim, sepse ndoshta në jetën e tij ka diçka që, nëse e zbulojmë, do ta ndryshonim mendimin tonë për të.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *