• Fri. Apr 19th, 2024

Mos e privo vetveten nga nafaka me mëkate

Bylexopress

Nov 6, 2020

(Ndikimi i mëkatit në jetën e njeriut)

• Mëkatet e pengojnë dhe zvogëlojnë furnizimin. Nuk ka dyshim se njeriu privohet nga furnizimi për shkak të mëkatit që bën, kurse devotshmëria e fiton furnizimin. Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë: „ …Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Kiametit, e kush i dron Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, – dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij. Allahu, me të vërtetë, i zbaton deri në fund punët e Tij; Allahu, për çdo gjë ka caktuar afatin.“ (et-Talak, 2-3)

Gjithashtu, lënia e devotshmërisë sjell varfëri. Kjo kuptohet nga ky ajet. Ai që nuk ka frikë nga Allahu, Ai nuk do t’i japë rrugëdalje dhe nuk do ta furnizojë atë prej nga nuk shpreson, kurse fitimi i furnizimit bëhet duke e braktisur mosbindjen.

• Mëkatet i inkurajojnë armiqtë kundër njeriut. Ky është ndëshkim për ata që i bëjnë ato. Gjithashtu, edhe shejtanët bëhen të guximshëm, dhe e shqetësojnë atë, e joshin, i pëshpërisin, e frikësojnë, e pikëllojnë dhe e bëjnë të harrojë se ku është përfitimi i tij. Kundër tij trimërohen shejtanët njerëzorë, për shqetësimet që mund t’ia bëjnë atij si në mungesë ashtu edhe në praninë e tij. Ia bën të guximshme kundër tij familjen, shërbëtorët, fëmijët, fqinjët. Kjo është e mjaftueshme për shëmtinë e mëkatit. Allahu qoftë në ndihmë.

• Mëkatet e dobësojnë trupin. Fuqia e besimtarit vjen nga zemra. Kurdoherë që forcohet zemra e tij, forcohet edhe trupi i tij. Edhepse jobesimtari mund të jetë me trup të fortë, ai është më i dobët kur është e nevojshme, dhe forca e tij e tradhton atë kur i nevojitet më shumë. Imam Ibnul-Kajjimi thotë: “Mendoni për forcën e Persianëve dhe Romakëve, sesi ata dështuan kur u nevojitej më së shumti, kur besimtarët i tejkaluan me fuqinë e trupave dhe zemrave të tyre.”

• Zhdukja e begative. Mosbindja i largon begatitë dhe e sjell mjerimin. Asnjë begati nuk largohet nga njeriu përveç për shkak të mëkatit, dhe nuk i vjen asnjë fatkeqësi përveç për shkak të mëkatit, siç thekson Ali ibn Ebi Talibi (r.a.): „Asnjë mjerim nuk ka ardhur përveçse me mëkate, dhe as nuk ka shkuar, përveçse me pendim.” Allahu i Lartësuar thotë: „Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, kjo është për shkak se e keni fituar vetë, e Ai edhe falë shumë.“ (esh-Shura, 30)

Dhe ai thotë: „Kjo është për arsye se Allahu nuk ia prishë popullit mirësitë që ia ka dhuruar – për derisa ata të mos i prishin sjelljet e veta, – se Allahu, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.“ (el-Enfal, 53)

Allahu nuk do ta ndryshojë begatinë që i ka dhënë një personi, derisa ai person të ndryshojë, dhe bindjen ndaj Allahut ta ndryshojë në mosbindje, falënderimin në mosmirënjohje, shkaqet e kënaqësisë së Tij në shkaqe të zemërimit të Tij. Kështu që, kur ai të ndryshojë, do t’i ndryshohet edhe ndëshkimi i tij, sepse Zoti ynë nuk u bën padrejtësi robërve. Nëse mosbindja zëvendësohet me bindje, Allahu do ta zëvendësojë dënimin e Tij me falje, poshtërimin me krenari.

„Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. Po, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zmbrapsë. Ata, (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij.“ (err-Rra’d, 11)

Kur të jeni në begati, ruajini ato. Sepse mëkatet i largojnë begatitë. Ruajini ato me bindje ndaj Zotit të robërve, sepse Zoti i robërve hakmerret shpejt.

• Mëkatet e shlyejnë bereqetin e jetës, furnizimin, diturinë, veprat dhe bindjen. Në përgjithësi, ato e shlyejnë  bereqetin e fesë dhe të dynjasë. Tek ai i cili i bën mosbindje ndaj Allahut, nuk do ta gjejmë as bereqetin më të vogël, as në jetën e tij, as në fenë e tij dhe as në dynjanë e tij. „E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e Toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.” (el- Araf 96)

Mëkatet janë shkak i shlyerjes së begative në gjithçka. Muslimani duhet të ik nga mëkati derisa t’i fitojë bereqetin në fe, në dynja dhe në ahiret.

• Mëkatet e dobësojnë njeriun para shpirtit të tij. Ky është një nga dënimet më të mëdha për shkak të mëkateve. Ato e tradhtojnë njeriun kur ai ka më shumë nevojë për veten e tij. Të gjithë kanë nevojë të dinë se çka i sjell dobi atij dhe çka i bën dëm në jetën e tij, por gjithashtu edhe në botën tjetër. Më të dijshmit janë ata që këtë e kanë kuptuar më mirë në detaje. Mëkatet e tradhtojnë njeriun gjatë tubimit të diturisë dhe favorizimit të lumturisë së vazhdueshme mbi lumturinë e përbuzur dhe kalimtare. Mëkatet e mbulojnë atë nga përsosmëria e kësaj diturie dhe preokupimi i tij me atë që është më parësore dhe më e dobishme për të në të dy botët. Kur njeriu bie në vështirësi dhe dëshiron të shpëtojë prej saj, atëherë zemra e tij, shpirti dhe organet trupore e tradhtojnë.

Atëherë është në nivelin e njeriut i cili ka me vete një shpatë, por është i mbuluar me ndryshk dhe futur në mbulesë, dhe nuk e tërheq kurrë. Pastaj e pengon armiku dhe ai dëshiron ta vrasë atë, dhe e vendos dorën në dorezën e shpatës dhe përpiqet për ta nxjerrë atë, por ajo nuk del. Armiku e befason dhe e mposhtë. Po ashtu, zemra ndryshket nga mëkatet dhe sulmohet nga sëmundja, dhe kur lind nevoja për të luftuar me armikun, nuk gjen asgjë. Robi lufton, reziston dhe ekspozohet me zemrën dhe pjesët tjera të trupit sipas vullnetit të zemrës.

Kjo do të thotë se, kur robi bie në fatkeqësi ose sprovë, zemra, gjuha dhe gjymtyrët e trupit të tij e tradhtojnë atë ndaj asaj që është më e dobishme për të. Zemra e tij nuk i dorëzohet bindjes ndaj Allahut, pendimit ndaj Tij, përuljes dhe përkushtimit para Tij, dhe as gjuha e tij nuk e nxit në dhikër.

• Një nga pasojat e mëkateve është se Allahu kurdis intriga kundër atij që i kurdis ato, se do ta mashtrojë atë që tenton ta mashtrojë Atë, se do të tallet me atë i cili tallet, se do ta lajthisë zemrën e atij që ia ka kthyer shpinë të Vërtetës. Të gjitha këto janë dënime për mëkatet. E lusim Allahun për shpëtim.

• Mëkatet shkaktojnë jetë të vështirë në dynja dhe në berzah, kurse në botën e ardhshme shkaktojnë vuajtje. Të gjitha këto janë dënime për mëkatet. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “E, ai që shmanget nga Libri Im, ai do të ketë jetë të vështirë dhe, Na në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër atë.” (Ta-ha 124)

Ibnul-Kajjimi thotë: “Jeta e vështirë do ta shoqërojë atë i cili largohet nga ajo që Allahu i ka shpallur Pejgamberit të Tij (savs) dhe ajo do të jetë në dynja, në berzah dhe në Ditën e kthimit. Syri nuk është i gëzuar, zemra nuk është e qetë, dhe as shpirti nuk është i qetë, përveçse me Zotin e tij që është e Vërteta e Vetme, kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij është gënjeshtër. Syri i atij që ndjen lumturi me Allahun, tek ai do të ndiejë lumturi çdo sy, ndërsa kushdo që nuk ndjen lumturi me Allahun, ai shpirtin e tij do ta thyej nga pikëllimi për dynjanë.”

• Vështirësohen të gjitha gjërat. Kjo është një nga pasojat më të mëdha që prek mëkatarin. Secilën punë që ia mësynë për ta bërë, ose i mbyllet rruga ose i bëhet shumë e vështirë. Kush i frikësohet Allahut, Ai çdo gjë do t’ia bëjë më të lehtë, ndërsa kushdo që e lë pas dore devotshmërinë, për të çdo gjë do të jetë e vështirë. Është befasuese sesi robi gjen rrugën e mirësisë dhe përfitimit, kurse përfitimet i janë mbyllur dhe rrugët i janë vështirësuar, kurse në të njëjtën kohë ai nuk e di se prej nga i është dhënë.

• Jeta e mëkatarit shkurtohet dhe bereqeti i tij zhduket, dhe ashtu duhet të jetë. Sikurse bamirësia që e zgjat jetën, mëkati e shkurton jetën. Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë, kështu që një grup i tyre thotë: Shkurtimi i jetës së mëkatarit, do të thotë, largim dhe shlyerje e bereqetit të jetës së tij. Kjo është e vërtetë dhe kjo është një nga ndikimet e mëkatit.

Grupi i dytë thotë, se me të vërtetë e shkurton jetën ashtu siç shkurtohet furnizimi. Allahu i Plotfuqishëm ka dhënë shumë arsye për bereqet në furnizimin, të cilat e shumëfishojnë dhe zmadhojnë. Bereqeti në gjatësinë e jetës ka shumë shkaqe të cilat e zgjasin. Nuk përjashtohet mundësia që jeta të zgjatet me një arsye, kurse të shkurtohet me arsye të tjera. Furnizimi, çasti i vdekjes, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria, edhepse janë të përcaktuara nga Allahu i Plotfuqishëm, Ai megjithatë përcakton atë që dëshiron përmes shkaqeve që Ai i bën që ato shkaqe të kërkojnë.

Grupi i tretë thotë: Efekti i mëkatit në shkurtimin e gjatësisë së jetës së një personi përfshihet në atë se, esenca e jetës është në jetën e zemrës.

Jeta e njeriut është vetëm koha e jetës së tij që jeton me Allahun. Këto janë orët e jetës së tij. Bamirësia, devotshmëria dhe bindja i rritin këto kohë që janë esenca e jetës së tij, dhe nuk ka jetë tjetër veç kësaj. Kur robi largohet nga Allahu dhe preokupohet me mëkate, i humbet ato ditët e vërteta të jetës së tij.

• Allahu i Plotfuqishëm e largon devotshmërinë për mëkatarin nga zemrat e krijesave. Ky është një nga dënimet për mëkatet. Nuk ka dyshim se bëhet i përçmuar prej tyre, ata e nënvlerësojnë atë, sikur që ai e la pas dore dhe e nënvlerësoi veten e tij. Aq sa njeriu e do Allahun, edhe njerëzit aq e duan atë. Aq sa e respekton ai Allahun dhe ndalesat e Tij, aq e respektojnë njerëzit atë. Si mundet robi t’i shkelë ndalesat e Allahut, ndërsa në të njëjtën kohë dëshiron që njerëzit të mos i shkelin ndalesat e tij. Si mundet që ai ta përçmojë ligjin e Allahut, e që Allahu mos ta bëjë të përçmuar atë tek njerëzit.

Si mundet që ai ta nënvlerësojë mosbindjen ndaj Allahut, kurse atë njerëzit mos ta nënvlerësojnë? Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“A nuk po sheh ti, se, me të vërtetë, Allahut i bëjnë sexhde: ata që gjenden në qiej dhe ata që gjenden në Tokë, edhe Dielli edhe hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drunjtë edhe shtazët dhe shumë nga njerëzit, por shumë (njerëz) meritojnë dënimin. E, kë ta poshtërojë Allahu, atë askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, punon çka të dojë.” (el-Haxhxh, 18) 

Perkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *