• Thu. Apr 25th, 2024

Mos u dëshpëro para se ta kuptosh çfarë vlere ke

Bylexopress

Dec 26, 2020

Një djalosh i dëshpëruar shkoi te një njeri i urtë dhe i tha: “Kam ardhë të kërkoj këshillë nga ju. Po më mundon ndjenja e pashpresës dhe nuk dua të jetoj më. Të gjithë më thonë se jam një i dështuar dhe budalla. Ju lutem, më ndihmoni!”

Njeriu i urtë e vështroi djaloshin dhe i tha: “Më fal…. jam shumë i zënë. Ka një gjë urgjente që duhet të bëj. Por, nëse pajtohesh që të më ndihmosh, unë me kënaqësi do ta kthej mirësinë”. “Sigurisht – tha djaloshi me entuziazëm, por me mendime të hidhura se shqetësimet e tij u neglizhuan përsëri.
“Mirë”, tha njeriu i urtë dhe nga gishti i tij hoqi një unazë të vogël me gurë të çmuar.
“Urgjentisht kam nevojë ta shesë këtë unazë për t’i shlyer borxhet. Prandaj merre dhe shko në treg! Mundohu ta shesësh me një çmim sa më të mirë, por mos prano më pak se një monedhë ari! Shko dhe kthehu sa më shpejt që të jetë e mundur!”

Djaloshi mori unazën dhe shkoi. Kur arriti në treg, ua tregoi unazën shitësve të ndryshëm, të cilët menjëherë e vështruan me interesim. Por, kur dëgjuan se ai e shiste vetëm për një monedhë ari, ata shpejt e humbnin interesimin. Disa shitës e përqeshën të riun në fytyrë, ndërsa të tjerët thjesht ia kthyen shpinën. Vetëm një shitës i moshuar ishte mjaft i sjellshëm dhe ia shpjegoi se një monedhë ari është çmim shumë i lartë për një unazë të tillë, dhe se ka gjasa që të merr vetëm këmbim nga bakri apo eventualisht nga argjendi. Kur i dëgjoi këto fjalë, djaloshi u mërzit shumë, i kujtoi fjalët e njeriut të urtë që mos të pranojë asgjë më pak se një monedhë ari. Ai tashmë kishte kaluar gjithë tregun… Shumë i dëshpëruar për shkak të mossuksesit të tij, u kthye te njeriu i urtë dhe i tha: “Më vjen shumë keq, por nuk munda ta plotësoja kërkesën tuaj. Më e mira që munda të arrija është argjendi, por ju më thatë që mos të pajtohem me diçka më të vogël sesa një monedhë ari! Ata më thanë se kjo unazë nuk është aq e vlefshme.”

Njeriu i urtë i tha: “Biri im, është një gjë shumë e rëndësishme. Para se ta shesësh unazën, do të ishte mirë që së pari të përcaktosh vlerën e saj të vërtetë! Po kush mund të bëjë këtë më mirë sesa argjendari? Shko tek ai dhe mësoje sesa është çmimi i vërtetë i saj. Por, mos ia shit atij, pa marrë parasysh sa ofron! Pastaj, menjëherë eja tek unë.”

Djaloshi e dëgjoi njeriun e urtë dhe shkoi te argjendari. Ai nëpërmjet një xhami zmadhues e kontrolloi unazën dhe pastaj e peshoi. Në fund, u kthye kah djaloshi dhe i tha: “Thuaj mësuesit tënd se unë momentalisht nuk mund t’i japë atij më shumë se 58 monedha ari për këtë unazë. Mirëpo, nëse më jep pak kohë, do t’ia blejë unazën për 70 monedha ari.”
“70 monedha ari?”, bërtiti djaloshi i befasuar.

E falënderoi argjendarin dhe nxitoi të kthehej te njeriu i urtë, i cili kur e dëgjoi tregimin nga djaloshi mjaft i ngazëllyer, i tha atij: “Mos harro djalosh, se ti je si kjo unaza. I çmuar dhe unik! Vetëm eksperti mund ta vlerësojë vlerën tënde. Pse atëherë, po e humb kohën tënde duke humbur nëpër treg dhe duke dëgjuar mendimet e çdo budallai?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *