• Fri. Apr 19th, 2024

MOS U MËRZIT,PËRDERISA BËN MIRË

Bylexopress

Apr 2, 2020

Mos u mërzit, përderisa bën mirë!

Cilësitë e tilla, si të mendosh vetëm për veten, janë armiku i lumturisë. Kur Allahu i përshkruan armiqtë e Tij, përdor shprehjen:

“Një grup i dhënë pas interesave të jetës së tyre.”

Jini shumë të kujdesshëm nga kjo cilësi. Këta lloj njerëzish pandehin se bota rrotullohet rreth tyre. Nuk mendojnë për askënd përveç vetes së tyre, nuk u japin rëndësi të tjerëve dhe jetojnë vetëm për vete. Por lumturia nuk arrihet duke u interesuar vetëm për vete. Ajo arrihet duke u interesuar edhe për hallet e të tjerëve.

Për këtë arsye, nëse dëshiron që të ndjesh lumturi dhe qetësi në zemrën tënde, jepi të varfrit, ndihmoje të dhunuarin, ngushëlloje të brengosurin, ushqeje të uriturin, vizitoje të sëmurin dhe zgjatja dorën atij që është në vështirësi. Ja, atëherë do të shohësh se të ka rrethuar zëri i lumturisë së vërtetë…

Për një mysliman, asgjë nuk është më e rëndësishme se kënaqësia e Allahut të madhëruar dhe se fitimi i dashurisë së Tij. Përgjatë gjithë jetës së tij, besimtari bën vepra që e afrojnë te Allahu Teala.

Allahu Teala në Kuranin Fisnik u ka dhënë besimtarëve sihariqin se ato që japin për hir të Tij do të afrohen te Ai. Prandaj, të dhënët prej gjërave të dashura dhe prej atyre që kanë tepruar pas plotësimit të nevojave, për myslimanin nuk është një vështirësi, por një mundësi shumë e vlefshme për të shfaqur sinqeritetin dhe dashurinë ndaj Allahut të Madhëruar. Allahu (xh.xh.), në Kuran thotë:

“Ka nga beduinët të atillë që besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe shpenzimin (në rrugë të Allahut) e quajnë si mjet për t’iu afruar Allahut dhe për të merituar bekimin e të Dërguarit. Vërtet që kjo do t’u sjellë afrimin. Allahu do t’i pranojë ata në mëshirën e Vet. Njëmend, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”(et-Teube, 99.)

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ka thënë:

“Ditën e Kiametit Allahu Teala do të thotë:

-O biri i Ademit! Unë u sëmura, por ti nuk më vizitove!

Robi do t’i thotë:

-O Zot! Si të të vizitoj kur Ti je Zoti i Botëve? Zoti do t’i thotë:

-A nuk e dije se filani, robi im u sëmur, por ti nuk e vizitove! A nuk e dije se po ta vizitoje, do më gjeje Mua pranë tij!

Zoti do të thotë:

-O biri i Ademit! Unë të kërkova ushqim, por ti nuk më ushqeve.

Robi do t’i thotë:

-O Zot! Si të të ushqej unë Ty! Ti je Zoti i botëve.

Zoti do t’i thotë:

-Filan robi Im kërkoi ushqim nga ti, por t’i nuk e ushqeve. A nuk e dije se po ta kishe ushqyer, do ta gjeje atë pranë Meje!

Zoti do të thotë:

-O biri i Ademit! Unë të kërkova ujë, por ti nuk më dhe!

Robi do t’i thotë:

-O Zot! Si mund të të jap unë ujë Ty! Ti je Zoti i botëve!

Zoti do t’i thotë:

-Filan robi Im të kërkoi ujë, por t’i nuk i dhe. A nuk e dije se, po t’i jepje ujë, do ta gjeje atë te Unë!” (Muslim, Birr 43, 2569.)

Dija sjell lumturinë

Edhe një mënyrë tjetër për të arritur qetësinë dhe lumturinë është marrja e dijes, sepse dija është dritë. Ajo e ndriçon të fshehtën dhe hap horizontet. Për këtë arsye, Allahu Teala thotë në Kuranin Fisnik:

“A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë.” (el-En’am, 122.)

Ndërsa injoranca është mërzi dhe dëshpërim, sepse injoranca nuk sjell gjë të re në jetën e njeriut. Për injorantin, e sotmja është si e djeshmja dhe e djeshmja është si e sotmja.

Prandaj, nëse dëshiron të jesh i lumtur, mëso! Nxito për te dija dhe te mësimi! Zgjeroje dijen, në mënyrë që të shpëtosh nga brengosja dhe mjerimi. Allahu Teala e urdhëron të Dërguarin e Tij dhe ne që të lutemi duke thënë:

“O Zot! Ma shto dijen!” (Taha, 114.)

Është e vërtetë se brengosjen nuk mund ta fshijmë plotësisht nga jeta jonë, sepse jeta kështu është krijuar. Allahu Teala thotë:

“Në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi (për të dy jetët)!” (el-Beled, 4.)

Në një ajet tjetër, thotë:

“Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.” (el-Insan, 2.)

Brengosja është diçka që nuk do të ekzistojë vetëm në xhenet. Për këtë arsye, ata që do të hyjnë në xhenet, do të thonë:

“Falënderimi i takon Zotit, që na e hoqi brengosjen.” Edhe nga ajeti fisnik kuptojmë se jeta pa brengosje dhe pa vështirësi, do të jetë vetëm aty, domethënë në xhenet. Por ajo që kërkohet, është lehtësimi i kësaj brengosjeje dhe vështirësie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *