Mosmirënjohja ndaj Allahut

Mjeku një herë në jetë ma ka larguar dhimbjen dhe i jam mirënjohës pamasë, ndërsa sa herë Allahu mi ka larguar vuajtjet dhe unë nuk i jam mirënjohës!

Plaku në vitet e 80-ta të moshës kishte bllokim të kanalit urinar dhe pengesë të urinimit, kështu që djemtë e tij me nxitim e dërguan në spital. Sapo mjeku ia vendosi kateterin, iu mundësua urinimi. Plaku psherëtiu thellë në shenjë lehtësimi, sepse i pushuan dhimbjet e padurueshme.

Djemtë e tij iu afruan mjekut dhe e falënderuan për ndërhyrjen e suksesshme, pastaj u kthyen te babai i tyre, të cilin e gjetën me sytë e mbushur me lot.

Djemtë filluan ta qetësojnë, duke i thënë se problemi tashmë ishte zgjidhur, andaj pse po qante kaq shumë?

Plaku u qetësua për një moment, pastaj tha: “O djemtë e mi, mjeku më ndihmoi vetëm një herë, dhe të gjithë ne e ndiem ndihmën dhe bamirësinë e tij, kështu që e falënderuam shumë herë për ndihmën dhe bamirësinë e tij. Unë tash e kuptova se Allahu i Plotfuqishëm po më mbulon me fisnikërinë dhe dashamirësinë e Tij tash 80 vjet, por fatkeqësisht, unë nuk e kam ndierë mirësinë e Tij në këtë mënyrë. Mjeku një herë në jetë ma largoi dhimbjen dhe unë i jam mirënjohës pamasë, ndërsa sa herë Allahu mi ka larguar dhimbjet dhe vuajtjet për 80 vjet, dhe unë nuk jam mirënjohës ndaj Tij!?

Ne jemi mësuar aq shumë me begatitë që na ka dhënë Allahu, sa që, edhe kur dikush na pyet për gjendjen tonë, ne thjesht i themi: “Nuk ka asgjë të re!”, sikur me këtë dëshirojmë të shprehim pakënaqësi për gjendjen tonë, edhe pse asgjë nuk na mungon. Si nuk i ndiejmë begatitë e panumërta të Allahut dhe mëshirën, të cilat Ai na i dhuron, dhe pse nuk jemi falënderues ndaj Tij për këto begati?!

Para disa ditësh, e pashë një djalosh, të cilit ia kishin amputuar duart, dhe ai pjesën më të madhe të punëve i bënte me këmbët e tij, edhe pse ende ishte fëmijë.

Le ta krahasojmë vetveten me atë djalosh!

Le t’i krahasojmë mundësitë tona me mundësitë e tij dhe trupin tonë me trupin e tij!

Atëherë do të na bëhet e qartë se sesa begati e madhe është begatia e duarve që na i ka dhënë Allahu.

Le të mos harrojmë se begatitë zgjasin dhe mbijetojnë duke e falënderuar Allahun e Plotfuqishëm.

/Saff.ba; Dr. Hasan Shemsi Pasha/

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *