Namazi, vepra e parë për të cilën do pyetemi përpara Allahut të Lartësuar

Namazi, që nuk paraqet vetëm lidhjen e robit me Krijuesin, por edhe rrugën që kanë ndjekur profetët, të cilët e adhuruan Allahun me sinqeritet duke ia përkushtuar adhurimin vetëm Atij. Ibrahimi, Musai dhe Isai, siç shkruhet nëpër shumë vende në Teurat dhe Ungjill, lutjet dhe adhurimin e kryenin vetëm për Allahun e Lartësuar. Po ashtu, Islami na urdhëron për faljen e pesë namazeve gjatë ditës dhe natës.
Namazi përfshin veprimet vijuese: qëndrimin në këmbë (duke lexuar Kuran), përkuljen (rukunë), vënien e ballit në tokë (sexhden), leximin e pjesëve kuranore, madhërimin e Allahut, përmendjen e Tij, kërkimin e mëshirës, faljes dhe Xhenetit nga Allahu, Falësi dhe Mëshiruesi. Profeti ﷺ e donte namazin shumë. Thoshte: “Kënaqësinë shpirtërore e gjej në namaz!” Bilalin e thërriste të lajmëronte për t’u përgatitur në faljen e namazit, duke i thënë: “Na fresko (na çlodh)me të, o Bilal!” Të folurit për bukurinë dhe ndikimin e fuqishëm të namazit te njeriu nuk mjafton kurrë. Me pak fjalë, namazi na furnizon me qetësi, prehje dhe kënaqësi shpirtërore e psikike.
Ajo që ia shton namazit bukurinë dhe pozitën madhështore është se kryerja e tij nga muslimanët bëhet duke pasuar profetët dhe të dërguarit, alejhim selam, të cilët faleshin dhe bënin sexhde për Allahun. Kjo tregon se muslimanët ecin gjurmëve të profetëve dhe të të dërguarve të Allahut, alejhim selam. Krahas kësaj, namazi ngërthen edhe domethënie e mësime të tjera madhështore, si përshembull: -dashurinë, respektimin, dorëzimin dhe përfilljen e urdhrave të Allahut;
– shprehjen e njësimit të Allahut duke e adhuruar dhe duke lutur vetëm Atë;
-barazinë ndërmjet robërve të Allahut (që shprehet në radhitjen e kryerjes së namazit: pozita të papërcaktuara për të gjithë nëpër safa, dhënien përparësi të diturit, pavarësisht ngjyrës, etnisë apo pozitës shoqërore etj.);
-sinqeritetin;
-durimin;
-modestinë;
-përkuljen dhe përgjërimin;
-madhërimin e kërkim faljen;
-meditimin dhe përsiatjen gjatë leximit të Kuranit etj.
Në fakt, përmendja e Allahut me sinqeritet, modestia, lutja, kërkim falja dhe namazi me përkushtim janë çelësa të mëdhenj dhe të rëndësishëm të rehatisë dhe qetësisë shpirtërore, si dhe të begatisë e mirësisë. Allahu ka thënë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Err Rrad,28) “Zoti juaj ka thënë: “Lutmëni Mua, se do t’ju përgjigjem…” (Gafir, 60)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *