• Sat. Apr 20th, 2024

Nëse Allahu është me ne, atëherë ku janë problemet tona!?

Bylexopress

Apr 13, 2020

Të dashurit e mi, ne jemi të gatshëm t’i ankohemi njëri-tjetrit me orë të tëra, ndërsa mes nesh dhe Allahut ka një zbrazëti. Tjetërsimi dhe zbrazëtia janë midis nesh dhe Allahut. Në vend se të bëjmë një orë ankesë te njerëzit, pse nuk e shtrojmë sexhaden dhe të falemi 10 minuta, dhe më pas të themi:

“O Ti që je afër, o Zot, o Allah, më jep rrugëdalje nga çdo brengë, më jep rrugëdalje nga çdo ankth, më shpëto nga çdo sprovë!”

Abdullah ibn Abasi (r.a.), ka udhëtuar, nuk ka pasur telekomunikime, nuk ka pasur telefon celular, as nuk ka mundur ta verifikojë sesi e ka familjen e tij. Ai e kishte një vajzë, e cila për të vlente sa dynjaja dhe gjithçka që ka në të. Kur u kthye nga udhëtimi për në shtëpi, sapo hyri brenda, një burrë e befasoi duke i thënë:

“O Ibn Abas, Allahu ta shtoftë shpërblimin për vajzën tënde, ajo ka vdekur!”

Shikoni çfarë tronditje dhe shikoni çfarë befasie! Kush e ka shijuar këtë, ai e di se për çka po bëhet fjalë. Dhe ai zbriti nga kali, e mori për litari dhe e lidhi në një palmë. Mori abdes, pastaj fali namaz. Kur e mbaroi namazin, njerëzit nxituan drejt tij:

“O Ibn Abas, ty të erdhi lajmi për vdekjen e vajzës sate, ti nuk pyete as nuk shkove në shtëpi për të pyetur për lajmin sesi vdiq ajo!? Menjëherë hyre në namaz!”

Dëgjoni përgjigjen! Ai tha: “Allahu i Madhëruar thotë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtetë, ajo është e madhe (e vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin). Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet dhe se ata do t’i kthehen Atij.” (el-Bekare, 45-46)

Po, përveç të bindurve që e shijuan ëmbëlsinë e namazit. O Allah, të lutemi na dhuro ëmbëlsi në namaz!

Kështu që ai u tha atyre: “Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: ‘Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz’ dhe unë bëra durim dhe pastaj u fala, dhe u rehatova.”

Çka mendoni, çka ka thënë ai në sexhde? Allahu e di më së miri.

Edhe neve, mua dhe ty, na vijnë lajme. Kur papritmas jemi goditur nga lajmet e këqija dhe fatkeqësitë, të cilat na kanë tronditur zemrat, sa herë ne jemi ngritur dhe kemi falur dy rekate namaz dhe jemi ankuar te Allahu, kur do t’i luteshim Allahut, që të na i forcojë zemrat?!

Betohem në Allahun, kush e bën këtë, do të shpëtojë.

“O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me namaz, se vërtetë Allahu është me durimtarët.” (el-Bekare, 153)

Nëse Allahu është me ne, atëherë ku janë problemet tona!?

Përkthim: Miftar Ajdini

Dr. Abdulmuhsin el-Ahmed;

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *