Bishr el-Hafi ishte nga dijetarët e njohur dhe të devotshëm nga shekulli i III hixhrij. Është lindur në Bagdad në vitin 179 h. Emri i tij i plotë është Bishr ibn Harith ibn Abdurrahman ibn Ata ibn Hilal ibn Mahan ibn Abdullah el-Mervezi. Ai njihej me pseudonimin El-Hafi (i zbathuri), sepse shpesh shëtiste pa këpucë. Kishte dëgjuar ligjëratat e shumë dijetarëve të shquar islamikë të asaj kohe, kurse ndikimin më të madh mbi të e kishte bërë bashkëkohësi i tij, Fudajl ibn Ijadi, me të cilin e kishte kaluar shumicën e kohës. Ka vdekur në vitin 227 h. në Bagdad.
Ibn Kethiri, në veprën e tij El-bidaje ven-nihaje (në vëllimin e dhjetë), përmend se në xhenazen e tij kishte aq shumë njerëz, sa që nga sabahu deri në jaci kishin shkuar deri tek varri i tij.
Kur kishte dëgjuar për vdekjen e Bishr el-Hafi, Ahmed ibn Hanbeli kishte thënë: “Ai nuk kishte asnjë të barabartë në devotshmëri, përveç Amir ibn Kajsit. Edhe sikur të ishte i martuar, ai do ta plotësonte personalitetin e tij.”
Bishr el-Hafi (r.a.), la pas vetes shumë vepra të mira dhe mençuri. Nga thesari i pasur i mençurisë së tij, po i citojmë disa si vijon:
“Nuk është i devotshëm, ai i cili e lakmon reputacionin tek njerëzit.” [Sifetus-safve, II/613]
“I lumi ai, i cili e lë pasionin e dukshëm, për shpërblimin e premtuar, të cilin nuk e ka parë.” [Sifetus-safve, II/617]
“Është më mirë të japësh sadakë sesa ta kryesh vullnetarisht haxhillëkun dhe umren, sepse kush e kryen vullnetarisht haxhillëkun ose umren, e bën atë para syve të njerëzve, kurse kush jep sadakë, e bën atë në fshehtësi dhe askush nuk e sheh përveç Allahut.” [Sifetus-safve, II/617]
“Tri gjërat më të vështira për t’i bërë janë: (1) të jesh bujar në varfëri, (2) të jesh i devotshëm në vetmi dhe (3) ta thuash të vërtetën para atij që i frikësohesh ndëshkimit të tij.” [Risaletul-kushejrijje, fq. 59]
“Shoqërimi me njerëzit e prishur prodhon urrejtje ndaj njerëzve të mirë dhe të zgjedhur.” [Risaletul-kushejrijje, fq. 147]
“Nëse njeriu e redukton bërjen e veprave të mira, atij do t’i shtohen shqetësimet e tij.” [Hiljetul-evlija, X/344]
“Fshihi veprat tua të mira ashtu siç i fsheh veprat e këqija.” [Hiljetul-evlija, X/346]
“Vetë-kënaqësi do të thotë, kur ti i sheh veprat tua të mira të mëdha, ndërsa veprat e mira të njerëzve të tjerë të vogla.” .” [Hiljetul-evlija, X/346]
“Dy gjëra e bëjnë zemrën të ngurtë: bisedat e shumta dhe ushqimi i shumtë.” [Hiljetul-evlija, VIII/350]
“Unë nuk njoh asnjë njeri që ka dashur të jetë i njohur dhe me famë, e që Allahu të mos e ketë turpëruar.” [Hiljetul-evlija, X/343]
Përkthim: Miftar Ajdini
Abdusamed Nasuf Bušatlić;