Një mëkat është shumë, kurse njëmijë vepra të mira janë pak

Imam et-Taberani regjistron një transmetim nga Ali ibn Husejn (Zejnul-Abidini r.a.), në të cilin ka thënë:

Kur të vijë Dita e Gjykimit, një thirrës do të thotë: Le të veçohen të dalluarit!

Dhe do të veçohen një grup njerëzish, të cilëve do tu thuhet: Shkoni në xhenet!

Para se të hyjnë në xhenet, ata do të takohen me melekët dhe ata do t’i pyesin: Për ku jeni nisur? Ata do të përgjigjen: Për në xhenet!

Melekët të habitur do t’i pyesin: A para se të jepni llogari?!

Ata do të thonë: Po!

Atëherë melekët do t’i pyesin: Po kush jeni ju?

Ata do të thonë: Ne jemi një grup të dalluarish dhe bamirësish (ehlul-fadl).

Melekët do t’i pyesin përsëri: Dhe pse e keni marrë këtë gradë?

Ata do të thonë: Kur na injoronin neve në dynja, ne përgjigjeshim me butësi, kur na bëhej padrejtësi, ne bënim durim, kur ndonjëri ndaj nesh bënte gabim, ne e falnim.

Atëherë melekët do t’u thonë: Hyni në xhenet! Sa shpërblim i mrekullueshëm është për ata që janë angazhuar shumë.

Pastaj thirrësi do të thotë: Le të veçohen durimtarët!

Dhe do të veçohet një grup njerëzish, të cilët do të urdhërohen që të hyjnë në xhenet.

Gjatë rrugës për në xhenet, ata do të takohen me melekët, të cilët do t’ua bëjnë të njëjtat pyetje sikurse që i bënë grupit të parë. Dhe kur ata do të thonë se janë grupi i durimtarëve, melekët do t’i pyesin ata: Në çka reflektohet durimi juaj?

Ata do të thonë: Ne kemi qenë të durueshëm në bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm, në largimin nga mëkatet dhe në ditët e sprovës dhe fatkeqësisë.

Ata do t’u thonë: Hyni në xhenet! Sa shpërblim i mrekullueshëm është për ata që janë angazhuar shumë.

Pas kësaj, thirrësi do të thotë: Le të veçohen ata që do të jenë të afërt me Allahun në xhenet! Dhe do të veçohet një grup, i cili do të jetë i pakët.

Melekët do t’i pyesin ata: Me çka ju e keni merituar që të jeni në afërsi me Allahun?

Ata do të thonë: Ne e kemi vizituar njëri-tjetrin në emër të Allahut dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin në emër të Allahut.

Atyre do t’u thuhet: Hyni në xhenet! Sa shpërblim i mrekullueshëm është për ata që janë angazhuar shumë. [Zejnul-Abidin, fq. 111-112]

Përmendet se Zuhriu kishte bërë një mëkat, i cili e kishte hedhur në dëshpërim, aq sa ishte izoluar nga familja e tij dhe i kishte lënë punët e përditshme. Në fytyrë i shihej një brengosje e paparë dhe një pashpresë e papërshkrueshme. Kur ishte takuar me të Zejnul-Abidini dhe kur e kishte parë pikëllimin e tij në fytyrë, i kishte thënë: “O Zuhri, dije se humbja e shpresës tënde në mëshirën e Allahut, e cila përfshin gjithçka, është mëkat më i madh sesa ai, për të cilin ti je pikëlluar!” [Zejnul-Abidin, fq. 69]

Zejnul-Abidini ishte i njohur për bamirësinë ndaj nënës së tij. Ai ishte aq i vëmendshëm ndaj nënës së tij, saqë njerëzit i thanë: “Ti aq shumë po bën bamirësi ndaj nënës tënde, saqë kemi vërejtur se ti as nuk han ushqim me të nga e njëjta enë!?” Ai u përgjigj: Unë kam frikë se mos më shkon dora kah kafshata të cilën ajo e ka shikuar me sytë e saj, në mënyrë që ashtu të mos tregoj mosbindje ndaj nënës sime.” [Zejnul-Abidin, fq. 115]

Ka thënë Amër ibn Osman el-Mekkij“Allahu i Plotfuqishëm i ka qortuar besimtarët të cilëve ju ka mbaruar durimi në fe, duke ua kujtuar atyre fjalët e jobesimtarëve (idhujtarëve), të cilët patën thanë: “Shkoni dhe bëhuni të durueshëm pranë zotave tuaj.” (Sad, 6.) Ky është një paralajmërim i qartë për çdo musliman, të cilit i mungon durimi në rrugën e Islamit.” [Sifetu safve, II/683]

Suvejd ibn Gafele ka thënë: “Melekët shkojnë përpara çdo xhenazeje dhe thonë: ‘Vallë, çka ka përgatitur ky njeri për ahiret?’ Kurse njerëzit që qëndrojnë pas tij thonë: ‘Vallë, çka ka lënë ky pas veti nga pasuria e dynjasë?’” [Sifetu safve, III/5]

Një burrë i tha Fudajl ibn Bezvanit“Filan dhe filan muslimani të kanë përfolur ty.” Fudajli u përgjigj: “Në këtë moment unë do ta dëshpëroj atë që i ka urdhëruar. Unë i lutem Allahut që ta falë vëllain tim që më ka përfolur.” Burri e pyeti: “E kush është ai që i ka urdhëruar?” Ai u përgjigj: “Ai është shejtani i mallkuar.” [Sifetu safve, III/47]

Ishte pyetur Muhamed ibn Fadl el-Belhi“Cilat janë shenjat e mjerimit dhe vuajtjes?” Ai ishte përgjigjur: “Ka tre shenja të mjerimit dhe vuajtjes: zotërimi i dijes pa vepra, bërja e veprave pa sinqeritet ndaj Allahut, shoqërimi me njerëz të mirë dhe të devotshëm, duke mos treguar respektin e merituar për ta.” [Risaletul-kushejrijje, fq. 22]

Ka thënë Ebu Seid ibn el-Arabi“I shkatërruari më i madh është ai që paraqitet para njerëzve me vepra të mira, kurse në formën më të shëmtuar (me mëkate) paraqitet para Atij i Cili është më afër se damari i qafës së tij.” [Risaletul-kushejrijje, fq. 30]

Muhamed ibn Sirrini ka thënë: “Padrejtësi ndaj një vëllai musliman ka bërë ai që ia përmend atij gjërat e shëmtuara që di për të, ndërsa e heshtë çdo të mirë që gjendet tek ai.” [Sifetu safve, III/171]

Është thënë: “Nëse i keni shtatë cilësitë e mëposhtme, trupi dhe zemra juaj do të pushojnë dhe ju do ta ruani nderin dhe fenë:

(1) Mos u pikëlloni, për atë që ka kaluar,

(2) Mos e ngarkoni veten, me brengë dhe barrë përtej mundësive tuaja,

(3) Mos i fajësoni njerëzit, për të metat që i keni edhe ju vetë,

(4) Mos kërkoni shpërblim, për atë që nuk e keni bërë,

(5) Mos e shikoni me pasion, atë që nuk e zotëroni,

(6) Mos u zemëroni me dikë, të cilin nuk do ta dëmtojë zemërimi juaj,

(7) Mos e lavdëroni atë që për veten e tij e di të kundërtën e asaj që ju e thoni.”

Gjithashtu është thënë: “Një mëkat është shumë, kurse një mijë vepra të mira janë pak.”

Përkthim: Miftar AjdiniAbdusamed Nasuf Bušatlić;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *