• Tue. Apr 23rd, 2024

Një skenë për të kujtuar

Bylexopress

Apr 14, 2020

Disa javë më parë, pas namazit të xhumasë e vura re një skenë. Një grua e moshuar e bukur ishte ulur në një karrige ndërsa lexonte Kur’an, dhe herë pas here bënte pushim dhe i çonte duart për të bërë dua.

Mënyra se si ajo e çonte kokën drejtë qiellit, mënyra se si i mbante duart gjatë duasë, sytë përplot shpresë dhe lutje, buzët që pëshpëritnin nevojat më të thella të zemrës deri sa e shkëlqente dielli, ishte një skenë për ta dëshiruar, skenë e rrallë, e sinqertë, e qetë; ndërsa ajo nuk ishte aspak e vetëdijshme për këtë.

Ishte e preokupuar në vetminë e saj me Fjalët e Allahut dhe kërkimin nga Ai, dhe herë pas here vente buzën në gaz deri sa lexonte dhe lutej.

Çfarë kënaqësie, mendova në vete deri sa e shikoja…

Sot, ne e kemi humbur dhikrin (kujtimin e Allahut). E kemi humbur për shkak të celularëve, mendjeve tona të preokupuara, për shkak të zakoneve tona të pakuptimta për zgjidhjen e problemeve dhe ritualeve të “lumturisë”. Fundjavat vijnë dhe shkojnë, por ndjenja e pakënaqësisë ngelet brenda në ne. Kërkojmë diçka që do t’i kënaq shqisat tona, por kënaqësia është gjithmonë sipërfaqësore. As Netflix-i, ëmbëlsira, pushimi, blerjet, shkuarja në restorantin e preferuar apo  shfletimi i internetit nuk e plotësojnë zemrën tonë, dhe nuk mund ta qetësojnë siç bën vetmia me Allahun.

Me gishtërinjtë tonë rrëshqasim me orë të tëra ekranin e celularit që t’i ikim rutinës së përditshme, por lehtësimi që e kërkojmë nuk vjen assesi. Kjo, ngase nuk ulemi qetë në sixhaden dhe nuk i shfrytëzojmë gishtërinjtë për dhikër, gojët për madhërim dhe falënderim Allahut.

Kujtimi është dhikër. Gjithçka tjetër na largon nga kujtimi i Allahut. Harresa e Allahut ne na merr kënaqësinë. Kujtimi i Tij në punë dhe jetën e përditshme na plotëson dhe na jep esencën të cilën e kërkojmë.

“…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” [Er-Ra’d, 28]

Të gjitha burimet tjera të kënaqësisë janë të përkohshme. Vetëm dhikri mund në të vërtetë mund t’i plotësojë zemrat tona.

Autore: Zaynab Chinoy
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Islampress.ch]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *