• Fri. Apr 19th, 2024

Pasuria që vlente sa dy gota ujë

Bylexopress

Dec 26, 2020

Një herë e një kohë jetonte një mbret që posedonte një pasuri përrallore. Në çdo udhëtim ai merrte me vete një pjesë të pasurisë dhe ndjente kënaqësi të madhe duke e ekspozuar atë në mesin e njerëzve.

Mbreti kishte shumë këshilltarë dhe shërbëtorë, por nuk u besonte asnjërit prej tyre. Mirëpo kur i nevojitej të këshillohej për ndonjë çështje, përherë trokiste në derën e një plaku të urtë të cilin e vlerësonte për diturinë dhe maturinë prej dijetari.
Një ditë mbreti e pyeti: “O njeri i urtë! Ti që ke arritur majat më të larta të diturisë, ti që je më i pasur se mbretërit dhe më i fortë se ushtarët! Lejomë të të pyes: Çfarë mendimi ke për pasurinë dhe fuqinë time?”
I urti vështroi thellë në sytë e mbretit dhe pa hezitim foli: “Mbreti im! Mendo sikur gjendesh në mes të një shkretëtire të paanë dhe po vdes nga etja! Nëse do të të ofroja një gotë ujë, a do më jepje në këmbim gjysmën e pasurisë tënde?”

“Natyrisht që po” ­ u përgjigj mbreti.
“Tani mendo sikur kaluam edhe një ditë tjetër në mes të shkretëtirës dhe ti përsëri je i pashpresë dhe i etur. Nëse do të të ofroja gotën me ujë, a do ma jepje edhe gjysmën tjetër të pasurisë?”

Mbreti mendoi pak dhe përsëri tha: “Po do ta jepja, kjo do ishte e vetmja shpresë për të shpëtuar nga vdekja.”
Pas kësaj duke buzëqeshur i urti tha: “Atëherë nuk ka vend për fjalë të tepërta. Madhëri! Pasuria juaj vlen sa dy gota ujë!”

Pasuria, pushteti, posti, fuqia, fama, paraja… Sa tërheqëse janë për egon e njeriut… Por, e vërteta është se për të mos vdekur të gjitha këto vlejnë vetëm pak ujë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *