• Fri. Apr 19th, 2024

Personat që nuk do të hyjnë në xhenet pa dënim, andaj ruhu mos u bëj njëri prej tyre!

Bylexopress

Nov 6, 2020

Pejgamberi (savs), në transmetime të besueshme ka përmendur disa persona, të cilët, për shkak të cilësive të tyre të shëmtuara, nuk do të hyjnë në xhenet …

Duke pasur parasysh qëndrimin e ehli-sunetit, mbi atë se, çdo person që ka vdekur duke pranuar Njëshmërinë e Allahut (tevhid), nuk do të jetë përjetësisht në zjarrin e xhehenemit, atëherë ‘mos hyrja në xhenet’, mund të kuptohet në dritën e sqarimit të mëposhtëm nga dijetarët e respektuar islamë (r.h.).

“Ata nuk do të hyjnë në xhenet, dmth. me hyrje të drejtpërdrejtë, ose në momentet e para kur do të hapen dyert e tij dhe kur do të hyjnë banorët e xhenetit.” (Sherhu Muslim, Tuhvetu – Ahvezi, Avnul-Meabud) Pra, nuk do të hyjnë direkt në xhenet me cilësitë e shëmtuara që do t’i përmendim, derisa të pastrohen prej tyre, dhe atë, së pari me pendim në dynja, ose me ndonjë dënim në ahiret, ose nëse i falë Allahu i Madhëruar dhe i fut direkt në xhenet.

Në vijim të tekstit, me lejen dhe ndihmën e Allahut, në kontekstin e sqarimit të mëparshëm, do t’i theksojmë disa transmetime të besueshme, të cilat tregojnë për disa persona, të cilët nuk do të hyjnë në xhenet, duke i sqaruar termat e paqarta në hadithe, me qëllim që të na inkurajojnë, për t’i lënë cilësitë e shëmtuara të përmendura, ashtu që të mos jemi në mesin e atyre që janë privuar nga mundësia për të hyrë drejtpërdrejt në xhenet dhe për të shpëtuar nga vuajtjet e xhehenemit.

1. Personi mendjemadh

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet, personi në zemrën e të cilit ka qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie.”  Dikush e pyeti: “Me të vërtetë njeriu dëshiron të ketë rroba dhe këpucë të bukura.” Për këtë Pejgamberi tha: “Me të vërtetë Allahu është i bukur dhe e do bukurinë, ndërsa mendjemadhësia është refuzim i së vërtetës dhe poshtërim i njerëzve.” (Muslimi)

2. Personi i vrazhdë dhe i ashpër

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet personi ‘xhevvaz’ dhe ‘xhezeri’.” (Ebu Davudi, Albani ka thënë se hadithi është autentik, Sahihu ve Daifu Suneni Ebi Davud)

Xhevvaz’ do të thotë: i pasjellshëm dhe i ashpër, ose ai që mbledh shumë dhe refuzon shumë ose që është arrogant në të ecur.

Xhezeri’ do të thotë: ai që ha shumë, është arrogant dhe krenohet me atë që ka. (Avnu Mabud)

3. Ai që i shkëput lidhjet farefisnore

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet, ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.” (Muttefekun alejhi)

4. Ai që merret me thashetheme

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet, ai që merret me thashetheme (nemmam)” – personi që i bartë fjalët e huaja. (Muttefekun alejhi)

Kanë thënë: “Nemami është ai, i cili ulet me një grup të caktuar njerëzish, bisedon me ta, dhe pastaj fjalët e tyre ua përcjell të tjerëve…” (Tergib ve Terhib, Hafidh Ibn Haxher në Fethul-Bari)

5. Ai që ushqehet me haram

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet personi (trupi) që është ushqyer me haram.” (Ebu Jeala, Taberani, Albani ..hadithi është i besueshëm, Silsile Sahihea, 2690)

6. Alkoolisti kronik

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet alkoolisti kronik.” (Nesaiu, Albani thotë se hadithi është autentik, Sahihu-xhamia, 7676)

7. Ai që beson në sihir

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që beson në sihir.” (Ibn Hibani, Albani ka thënë se hadithi është hasen li gajrihi, Sahihu Tergib ve Terhib, 3050)

8. Personi i pabindur ndaj prindërve të tij

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Në xheneti Firdevs nuk do të hyjë ai që nuk i respekton prindërit e tij.” (Bezar, Albani thotë se hadithi është hasen li gajrihi, Sahihu Tergib ve Terhib, 2363). Ndërsa në transmetimin e Ahmedit (r.h.) thuhet: “Allahu ua ka ndaluar xhenetin tre vetave: alkoolistit kronik, atij që nuk i respekton prindërit e tij, dhe atij që nuk ka xhelozi dhe lejon shthurjen në familjen e tij.” (Ahmedi, Albani thotë hadithi i besueshëm, Sahihu Xhamia, 3052).

9. Personi që ankohet

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Në xheneti Firdevs nuk do të hyjë ai që ju ankohet të tjerëve.” (Bezar, Albani thotë se hadithi është hasen li gajrihi, Sahihu Tergib ve Terhib, 2363).

10. Personi që nuk ka xhelozi

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Me të vërtetë, Allahu ua ka ndaluar xhenetin tre personave: alkoolistit kronik, atij që nuk i respekton prindërit e tij, dhe atij i cili nuk ka xhelozi dhe aprovon shthurjen  në familjen e tij.” (Ahmedi, Albani thotë se hadithi është i besueshëm, Sahihu Xhamia, 3052),

Kurse në transmetimin me Hakimit, thuhet:  “Tre veta nuk do të hyjnë në xhenet: ai që është i pabindur ndaj prindërve të tij, ai që nuk ka xhelozi, dhe gratë që i imitojnë burrat.” (Hakimi, Albani thotë se hadithi është i besueshëm, Sahihu Xhamia, 3063)

11. Gratë që i imitojnë burrat

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Tre veta nuk do të hyjnë kurrë në xhenet pa ndëshkim, prandaj, mos u bëj ti njëri prej tyre! Nuk do të hyjë në xhenet: ai që nuk ka xhelozi (ndaj familjes së tij), gratë që i imitojnë burrat dhe alkoolisti kronik.” (Taberani, Albani thotë se hadithi është i besueshëm, Sahihu Xhamia, 3062)

12. Personi që e shqetëson fqinjin

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, nga e keqja e të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.” (Muslimi)

13. Ai që mohon caktimin e Zotit

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet  ai që nuk i respekton prindërit e tij, alkoolisti kronik, dhe ai që e mohon caktimin (e Zotit).” (Ahmedi, Albani ka thanë se hadithi është i besueshëm, Silsiletu Sahiha, 675)

Dhe Allahu e di më së miri.

Përshtati: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *