Tani me këtë kapital, do të kënaqem për vite

Jezid ibn Mejsere (r.h.), ka thënë:

“Në njërin nga popujt e kaluar kishte qenë një njeri, që kishte fituar dhe kursyer një pasuri shumë të madhe, kështu që, në një rast, derisa po qëndronte ulur me familjen e tij, kishte thënë: ‘Tani me këtë kapital, do të kënaqem për vite.’

Mirëpo, së shpejti erdhi Meleku i vdekjes në fizionomi të personit të varfër dhe trokiti në derë. Njëri nga njerëzit e shtëpisë doli për të parë se kush ishte, dhe kur e hapi derën, Meleku i vdekjes i tha: ‘Ma thirr pronarin e kësaj shtëpie.’

Njeriu u përgjigj: ‘A mendon ti se pronari i kësaj shtëpie do të dalë për shkak të një njeriu të varfër si ti?!

Pasi priti pak, më pas trokiti përsëri në derë dhe tha: ‘Ma thirrni pronarin e shtëpisë, unë jam Meleku i vdekjes!’

Kur pronari i shtëpisë e dëgjoi atë zë, u ul nga frika dhe u tha anëtarëve të shtëpisë: ‘Silluni mirë dhe me butësi me të.’

Ata dolën dhe i thanë: ‘Pse nuk shkon te dikush tjetër dhe nuk e lë gjyshin tonë të qetë?’

Meleku i vdekjes tha: ‘Jo! ‘

Pastaj hyri në shtëpi dhe pronarit të shtëpisë i tha: ‘Ngrihu, dhe nëse do, mund ta lësh testamentin tënd të fundit, sepse unë do ta marr shpirtin tënd përpara se të largohem nga kjo shtëpi!’

Familjarët e tij filluan të qajnë, kurse ai urdhëroi që ta hapin arkën në të cilën i ruante thesaret e tij. Kur e hapën arkën, ai filloi ta mallkonte thesarin e grumbulluar, duke thënë: ‘Unë jam shkatërruar shkaku yt, ti je fajtor që unë e harrova Allahun, dhe ti më ke dekurajuar, që  mos të bëj asgjë për ahiret, derisa më erdhi vdekja.’

Atëherë pasuria e tij foli: “Mos më mallko mua! A nuk ishe ti i përçmuar në sytë e njerëzve, dhe unë të bëra të respektuar. A nuk ishe ti në shoqërinë e sundimtarëve, dhe, a nuk organizove gosti për nder të tyre, kurse me njerëz të mirë dhe të devotshëm as nuk je shoqëruar, as nuk i ke gostitur!? Vajzat tua i ke martuar për djemtë e pushtetarëve dhe të pasurve, kurse kur t’i kanë kërkuar vajzat tua besimtarët e mirë, ti i ke refuzuar! A nuk më ke shpenzuar në mëkat dhe unë nuk të kam kundërshtuar? Nëse do të më kishe shpenzuar në rrugën e Allahut, gjithashtu, unë nuk do të kundërshtoja ty… kurse ti përsëri po më fajëson mua! Edhe unë edhe ju, o bijtë e Ademit, jemi të krijuar nga dheu, dhe keni qenë të lirë të veproni edhe mirë edhe keq…” (Ibnul-Kajjim el-Xhevzij, “Udetus-sabirin ve dhehiretush-shakirin”)

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *