• Fri. Apr 19th, 2024

Tre gjëra që njeriu nuk ngopet

Bylexopress

Nov 8, 2020

Me tri gjëra njeriu nuk mund të ngopet: me jetën, me shëndetin dhe me pasurinë

**** Thuhet se në tre raste dëmi nuk mund të riparohet me asnjë mashtrim: në rast të armiqësisë në mes të familjarëve, në rast të zilisë së ndërsjellë të atyre që janë të barabartë në pasuri dhe famë, dhe në mungesë të mendjes dhe maturisë.

Tri llojet e mirësisë dhe drejtësisë nuk mund të prishen nga asnjë mashtrim: devotshmëria tek dijetarët e sinqertë, mendjehollësia dhe maturia tek të dijshmit e vërtetë, dhe bujaria tek njerëzit fisnikë dhe të virtytshëm.

Me tri gjëra njeriu nuk mund të ngopet: me jetën, me shëndetin dhe me pasurinë.

Aliu (r.a.) ka thënë: “Duaje mikun tënd me maturi, mbase një ditë ai mund të bëhet armiku yt, dhe urreje armikun tënd me maturi, mbase një ditë ai mund të bëhet miku yt.”

**** I ishte thënë një sundimtari, i cili kishte arritur kulmin e fuqisë dhe lavdisë në kohën e tij: “Çka të solli në atë pozitë?”

Ai ishte përgjigjur: “Kam falur atëherë kur kam pasur mundësi (fuqinë) të ndëshkoj, kam treguar butësi në gjendje zemërimi, kam zbatuar drejtësinë, e kam qortuar vetveten dhe kam lënë hapësirë të mjaftueshme për dashuri ndaj atij që e kam urrejur, dhe anasjelltas.”

**** Fadl ibn Mervani ka thënë: “Unë e pyeta të dërguarin e perandorit bizantin për karakteristikat e perandorit të tyre, dhe ai u përgjigj: ‘Ai është i gatshëm të heqë dorë dhe në betejë gjithmonë është i pari, kështu që ai i ka fituar zemrat njerëzore dhe njerëzit e duan dhe respektojnë. Ai nuk e shtyp ushtrinë e tij dhe nuk i turpëron vartësit e tij, është i lehtë në dhurata, kurse i butë në ndëshkim. Shpresa dhe frika janë në dorën e tij.’

Unë i thashë: ‘Çfarë është sundimi i tij?’

Ai u përgjigj: ‘Ai e parandalon zullumin dhe e pengon zullumqarin, secilit ia jep të drejtën e tij, andaj vartësit e tij jenë të kënaqur dhe të lumtur.’

**** Një njeri e kishte pyetur një urtak: ‘Cila është vlera e sinqeritetit?’

Urtaku ishte përgjigjur: ‘Vazhdimësia në këtë botë.’

Njeriu: ‘Po cila është vlera e gënjeshtrës?’

Urtaku: ‘Vdekja e shpejtë.’

Njeriu: ‘Cila është vlera e drejtësisë?’

Urtaku: ‘Pushteti i vazhdueshëm.’

Njeriu: ‘Cila është vlera e padrejtësisë?’

Urtaku: ‘Jeta poshtëruese.’

**** Një mbret kishte kërkuar nga një urtak që ta këshillonte, kështu që urtaku i kishte thënë: “Mbret i nderuar, dije se kjo botë është shtëpi e përpjekjeve dhe punës, kurse bota e ardhshme është shtëpi e shpërblimeve. Ai që nuk ka ruajtur asgjë (për botën e ardhshme), nuk do të gjejë asgjë, andaj përgatitu për shijimin e kënaqësive të përjetshme duke i lënë kënaqësitë kalimtare.

Dije se frenat e shëndetit janë në duart e sprovave dhe belave, kurse siguria dhe paqja janë nën krahët e rrezikut dhe shkatërrimit.

Dera e sigurisë është e mbuluar me frikë, andaj mos ia lejo vetvetes që të jesh në gjendje të shëndetit, paqes dhe sigurisë, e të mos jesh i sigurt nga të kundërtat e tyre.

Mos e ekspozo veten ndaj shigjetave të shkatërrimit, sepse koha është armiku i njeriut, andaj mos lejo që armikun tënd ta presësh i pa përgatitur.”      

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *