Tregim interesant: Fshatari, djali dhe gomari

Një ditë një fshatar bashkë me djalin e tij morën gomarin ta shpinin në treg për ta shitur.
Rrugës duke ecur takuan dy të rinj:
– “Shiko këta”, tha njëri prej tyre duke bërë me gisht. “Sa pa mend, kursejnë gomarin ndërsa e mundojnë veten e tyre”.

Me të dëgjuar, fshatari hipi djalin mbi gomar ndërsa vet vazhdoi të ecte këmbë.
Nuk kaloi shumë dhe takuan një grup burra që ishin duke diskutuar. Njeri prej tyre doli para të tjerëve dhe tha: “Shihni burra, kjo argumenton atë që thashë më parë. S’ka më respekt për të vjetrin. Djali ulur mbi gomar ndërsa babai ecë këmbë.”

Me të dëgjuar këto fjalë, fshatari i tha djalit të zbriste nga gomari, dhe hipi vetë mbi të.
Kështu bënë një copë rrugë, djali në këmbë ndërsa babai hipur mbi gomar, derisa takuan një grup gra me fëmijë.

“Pse ti burrë, je ulë mbi gomar, ndërsa djali mezi ecë pas gomarit”, i bërtiti një grua.
Fshatari mendoi pak për fjalët që i tha gruaja. E mori djalin dhe të dy hipën mbi gomar.

Duke iu afruar qytetit një burrë ua tërhoqi vërejten:
“Sa keq! Ky gomar duket se nuk është i juaj”.
Fshatari i tha se ishtei tij.

“Sikur të ishte i juaj, nuk do ta ngarkonit kështu”, ia ktheu burri. “Shikoni se si jeni. Ju të dy jeni aq të fortë, sa që më mirë do të ishte ta bartni ju gomarin se sa gomari t’ju bartë juve.”
Atëherë të dy zbritën nga gomari. Ia lidhën këmbët me litar, e vunë në një trung dhe e hodhën mbi shpatulla. Ashtu iu afruan urës pranë qytetit.

Njerëzit përreth nuk kishin parë diçka të tillë dhe filluan të qeshnin me zë. E qeshura e tyre e trembi gomarin i cili nga frika filloi të shqelmonte. Litari me të cilin i kishte lidhur këmbët u këput dhe gomari ra nga ura në ujë.
Kështu fshatari bashkë me të birin u kthyen në shtëpi duarthatë.

“Ai i cili mundohet t’i kënaqë të gjithë, nuk arrin të kënaq asnjë…!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *