• Sun. Apr 28th, 2024

Kush mbështetet në Allahun, ai do ta ruajë dhe shpëtojë, edhe nëse gjendet në barkun e peshkut

Bylexopress

Apr 13, 2020

Këto janë disa reflektime mbi mrekullitë e krijimit të Allahut, mbi caktimin e Tij, dhe mbi fuqinë e pakufishme dhe mëshirën e Tij, në tregimin për pejgamberin e Zotit, Junusin (a.s.), kur atë e gëlltiti balena, si dhe mbi atë se si Allahu e ruajti dhe ia nënshtroi atij disa gjëra dhe krijesa, të cilat në një moment të caktuar u sollëm në kundërshtim me natyrën e tyre.

Allahu i Plotfuqishëm e përcaktoi situatën dhe momentin në të cilin Junusi (a.s.), u hodh në det, kurse pastaj ia nënshtroi atij një balenë të caktuar saktësisht, e cila erdhi në një kohë të caktuar saktësisht, e cila e hapi gojën dhe e gëlltiti drejtpërdrejt Junusin (a.s.).

Sikur balena të ishte vonuar për disa çaste, ose sikur ta kishte penguar ndonjë pengesë, që Junusi (a.s.) të mos hynte në gojën e balenës në atë çast, Junusi (a.s.) do të ishte mbytur, pasi që të ishte hedhur në det. Në një situatë të tillë, do të ishte e vështirë që dikush t’i shmangej vdekjes në thellësi të detit, edhe nëse do të ishte notar i shkathtë, sepse pa marrë parasysh sa kohë do të notonte, atij në fund do t’i mbaronte fuqia dhe do të mbytej.

Natyrisht, përveçse nëse Allahu nuk e ka përcaktuar ndryshe. Në dorën e Allahut është caktimi dhe askush nuk mund ta pengojë atë, dhe kur Ai të vendos që diçka të ndodhë, Ai vetëm thotë: “Bëhu!”, dhe ajo bëhet.

Prandaj, Allahu i Plotfuqishëm ka vendosur që në mesin e të gjithë udhëtarëve, Junusi (a.s.), të jetë ai që do të hidhet në det, Allahu është Ai që e zgjodhi balenën e caktuar midis të gjithë balenave dhe peshqve në det, dhe e dërgoi, ndoshta nga një largësi e madhe dhe nga thellësia e detit, në kohën dhe vendin e caktuar saktësisht.

Allahu i Plotfuqishëm, nga mëshira dhe mirësia e Tij e pakufishme, e frymëzoi balenën që ta hapte gojën dhe ta gëlltiste Junusin (a.s.), dhe ta ruante trupin e tij, ashtu që mos t’i bëhej asnjë dëm.

Vetëm Allahu i Plotfuqishëm e shpëtoi Junusin (a.s.), në një vend ku në esencë nuk ka shpëtim, sepse balena ishte e uritur, kishte nevojë për ushqim, por edhe përkundër kësaj, Allahu dëshiroi që barku i balenës të ishte mbrojtje dhe shpëtim për Junusin (a.s.).

Vetëm Allahu i Plotfuqishëm, nga i Cili nuk fshihet asgjë as në qiej as në Tokë, as në tokë as në det, e dinte se Junusi (a.s.), nuk vdiq dhe ishte në vend të sigurt, edhe nëse ai vend quhej barku i balenës, ndërsa pasagjerët në anije ishin të bindur se ai ishte mbytur, ose se e kishin ngrënë peshqit.

Vetëm Allahu i Plotfuqishëm e shpëtoi Junusin (a.s.), nga mbytja në det, pastaj e shpëtoi nga balena, që mos ta mbyste dhe mos ta hante si një kafshatë të këndshme, pastaj ia nënshtroi balenën për ta hedhur në breg, pastaj e shpëtoi dhe e ruajti në tokë, duke e bërë që lozja e kungullit të dilte në vendin ku balena e hodhi jashtë, dhe në të gjitha situatat dhe kushtet që ai kaloi gjatë kësaj sprove të madhe, Junusi (a.s.), ishte nën mbrojtjen e Allahut, ashtu që prej tyre nuk pati pësoja të dëmshme.

Vetëm Allahu i Plotfuqishëm e frymëzoi atë që ta thërriste Zotin e tij, me lutjen dhe thirrjen e cila e tronditi tërë universin, me thirrjen në të cilën ai e shprehu gjithë pafuqinë e tij dhe nevojën për Atë, në dorën e të Cilit ishin çelësat e gjithçkaje, me thirrjen, në të cilën ai pranoi se kishte gabuar dhe i kishte bërë zullum vetvetes, me thirrjen dhe lutjen, të cilën Allahu e përmend në Kuran dhe, të cilën e bëri mjet shpëtimi për çdo besimtar, i cili gjendet në telashe dhe të cilin e rrethojnë sprovat dhe brengat, duke shpallur:

“Dhe, (kujtoje) Dhen-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar (nga populli i vet), e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar (ndaj vetes)!” (el-Enbija, 87)

Prandaj, le të mbështetemi në Allahun e Plotfuqishëm, në dorën e të Cilit është i tërë pushteti dhe caktimi. Sa më shumë, le ta lavdërojmë dhe madhërojmë, le të kërkojmë strehim tek Zoti ynë i Mëshirshëm me lutje, dhe do të shohim se Allahu do të na japë, atë që do të na gëzojë dhe do të mbjellë gëzim në zemrat tona.

Le ta dimë me siguri, se nëse Allahu dëshiron të na ruajë dhe shpëtojë, Ai do të na ruajë pa marrë parasysh se me çfarë telashe jemi pikëlluar dhe nga sa anë jemi sulmuar, Ai do të na japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do të na furnizojë prej nga nuk shpresojmë.

Gjithmonë, le ta kemi në mendje hadithin e Pejgamberit (savs), në të cilin thotë:

“Ruaje Allahun, dhe do ta gjesh Atë para teje, kujtoje Allahun në mirëqenie, Ai do të kujtojë ty në nevojë. Dije se ajo që të ka anashkaluar, nuk ka mundur të të ndodhë, ndërsa ajo që të ka ndodhur, nuk ka mundur të të anashkalojë. Dije se fitorja është me durim, se pas telasheve vjen çlirimi, kurse pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Ahmedi)

Përkthim: Miftar Ajdini

Halid ibn Abdur-Rahman el-Dugajri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *