• Tue. Apr 30th, 2024

Çfarë thotë Profeti Muhamed për embrionin njerëzor?

Bylexopress

Jan 15, 2021

Një degë e re e shkencës mjekësore, embrionologjia, e cila studion zhvillimin e embrionit në barkun e nënës, ka avancuar me hapa galopantë gjatë viteve të fundit. Tani është bërë e mundur për specialistët dhe embrionologjistët të shohin embrionin brenda mitrës dhe të ndjekin hap pas hapi fazat e zhvillimit të tij. Janë të dokumentuara foto të embrionit në javën e tretë, katërt, pestë dhe të gjashtë të zhvillimit.

Ne do të fokusohemi tek pamja e embrionit në fillim të javës së gjashtë. Çfarë mund të shohim? Arrijmë të dallojmë hundën dhe syrin që janë të bashkuara me gojën. Dora duket si një lopatëz e vogël, kurse koka është e shkrirë me trupin. Ja kështu duket embrioni në fillim të javës së gjashtë të zhvillimit.

Por sapo mbaron java e gjashtë, koka paraqitet e shkëputur nga trupi, forma e syve nis të qartësohet, po ashtu edhe forma e hundës, gojës, krahëve dhe këmbëve. Ky është përshkrimi i pamjes së embrionit në fund të javës së gjashtë. Nëse shumëzojmë numrin 6 të javëve me 7 ditët që ka java, del numri i ditëve të moshës së embrionit, pra 42 ditë.

Në këtë kontekst Ibn Mesudi, sahabi i nderuar, ka cituar se Muhamedi a.s ka thënë:

“Kur fara e ngjizur (në mitrën e nënës) është 42 ditëshe, Allahu dërgon një engjëll që i jep formë, i krijon dëgjimin, shikimin, lëkurën, mishin dhe kockat. Më pas engjëlli thotë: “O Zot! Mashkull apo femër?” Zoti yt vendos atë që dëshiron dhe engjëlli e shkruan(atë që ka vendosur Zoti). Më pas engjëlli thotë: “O Zot! Po mosha e tij sa do të shkojë?” Zoti yt vendos atë që dëshiron dhe engjëlli shkruan atë që ka vendosur Zoti. Më pas engjëlli vjen me fletushkën në dorë pa i shtuar dhe pa i hequr asgjë.” (Muslimi)

Vini re përputhjen mes hadithit profetik autentik dhe asaj që ka zbuluar shkenca e re e embrionologjisë, sidomos përshkrimi i pamjes së embrionit në fund të javës së gjashtë në mitrën e nënës. Në këtë kontekst, Allahu thotë në Kur’an: “dhe ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (53:3-4).

Burimi: Nablusi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *