• Sun. Apr 28th, 2024

Paraja është zotëria më i keq, por shërbëtori më i mirë

Bylexopress

Jan 20, 2021

Hakim ibn Hizami (r.a.) i kishte kërkuar Pejgamberit (savs) pasuri, dhe ai i kishte dhënë, pastaj i kishte kërkuar për të dytën herë, dhe Pejgamberi (savs) përsëri i kishte dhënë, por ai i kishte kërkuar edhe për herë të tretë, dhe ai i kishte dhënë, por pastaj i kishte thënë:

“O Hakim, me të vërtetë kjo pasuria është e ëmbël dhe tërheqëse, kush e merr atë me bujari (pa lakmi), do të ketë bereqet në atë pasuri, ndërsa kush e merr me lakmi nuk do të ketë bereqet në të, dhe do të jetë sikurse ai që ha dhe nuk ngopet. Dora e sipërme (ajo që jep) është më e mirë se dora e poshtme (ajo që merr)!”

Atëherë Hakim ibn Hizami kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, pasha Atë që të ka dërguar me të Vërtetën, unë nuk do të lypi nga askush derisa të largohem nga kjo botë.”

Pasi që Pejgamberi (savs) kaloi në jetën e amshueshme, Ebu Bekri (r.a.) u bë halif i muslimanëve dhe kur e ndau pasurinë që u takonte muslimanëve, e ftoi Hakim ibn Hizamin që t’ia jepte pjesën e tij, por Hakimi refuzoi ta merrte atë pasuri.

Kur hilafetin e mori Omer ibn Hattabi (r.a.), edhe ai, kur e ndau pasurinë muslimanëve, e thirri Hakim ibn Hizamin, por ai refuzoi ta merrte atë pasuri. Atëherë hz. Omeri tha: “O muslimanë, po ju marr për dëshmitarë se unë ia dhashë Hakim ibn Hizamit pjesën e tij në pasuri, por ai refuzoi ta merrte.”(Muttefekun alejhi)

Në kohët e hershme është thënë:“Paraja (pasuria) është zotëria më i keq, por shërbëtori më i mirë.”

Kjo do të thotë, se ai që grumbullon pasuri dhe e ka marrë atë si qëllimtë tij, është si rob i pasurisë, sepse qëllimi i tij është ta rrisë pasurinë dhe nuk i intereson se a është ajo pasuri hallall apo haram. Kurse ai që paranë dhe pasurinë e ka bërë mjet, ai jeton me dinjitet dhe vdes me dinjitet. Natyrisht, pasuria dhe grumbullimi i parave nuk është turp, por turp është kur njeriu shndërrohet në makinë dhe vegël për grumbullim të pasurisë.

Bereqet në pasurinë e tij do të ketë ai që e merr me bujari, domethënë, ai që nuk i shqetëson te tjerët duke ju kërkuar, ai që nuk është lakmitar dhe i pangopur; pasuria e tij do të shumëfishohet dhe rritet, dhe ajo është pasuri hallall në të cilën Allahu zbret bereqet, dhe në atë pasuri njeriu ndjen ëmbëlsi dhe kënaqësi.

Por nuk do të ketë bereqet në pasurinë e tij, ai që e merr me lakmi, domethënë, ai që e merr me insistim dhe bezdisje duke kërkuar nga njerëzit, i cili pret të marrë atë që posedojnë të tjerët dhe i ngarkon ata që japin. Në atë pasuri Allahu do ta shkatërrojë bereqetin, dhe pronari asaj pasurie do të jetë i pakënaqur dhe i pangopur.

Një nga skenat e madhështisë së Allahut është edhe ajo, se Ai i ka bërë njerëzit të jenë të nevojshëm për njëri-tjetrin,kurse në të njëjtën kohë, Allahu është i pavarur nga të gjitha krijesat. Po, njeriu ndonjëherë ka nevojë dhe është i detyruar të kërkojë dhe të lypë nga të tjerët, këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse ne jemi të udhëzuar në mbështetje dhe ndihmë të ndërsjellë. Sepse, çka të bëjë i sëmuri që ka nevojë të operohet, të cilin duhet ta paguajë shtrenjtë, ose çka të bëjë personi që ka familje të madhe, e të cilin sëmundja e pengon që të punojë dhe të fitojë për fëmijët dhe familjen e tij?

Është detyrë e jona që t’i kërkojmë të tillët dhe të solidarizohemi me nevojat e tyre. Është edhe më mirë që t’u japim para se ta kërkojnë ndihmën tonë, sepse një shumicë prej tyre nuk i lejon dinjiteti që të kërkojnë,edhe pse kanë nevojë.

Allahu i Plotfuqishëm, duke premtuar shpërblim të pafund për dhënien e pasurisë, pikërisht këtyre kategorive të të varfërve, thotë:

“(Jepni) për të varfrit që janë të angazhuat në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë në tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzisin njerëzit. Pra çka do që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se Allahu e di atë mirë.” (el-Bekare, 273)

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *