• Sun. Apr 28th, 2024

Unë kam ardhur në Medinë për të parë Imam Malikun, e jo për t’i shikuar elefantët

Bylexopress

Dec 26, 2020

Imam Maliku po qëndronte ulur në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) si zakonisht, duke transmetuar hadithet e Pejgamberit (s.a.v.s.), kurse studentët e tij ishin rreth tij dhe dëgjonin.
Për një moment, dikush bërtiti: “O njerëz, në Medinë ka ardhur një elefant i madh!”

Kur e dëgjuan këtë, studentët e lanë imam Malikun dhe shkuan për ta parë elefantin. Në fakt, për banorët e Medinës ishte interesante, sepse para kësaj nuk kishin pasur mundësi të shihnin elefant.
Me imam Malikun, mbeti vetëm një nga studentët e tij, Jahja bin Jahja el-Lejthi.
Imam Maliku e pyeti: – Pse nuk shkove edhe ti me ta? Apo ndoshta ke parë më herët elefant?

Jahja ibn Jahja el-Lejthi u përgjigj: – Unë kam ardhur në Medinë për të parë imam Malikun, e jo për t’i shikuar elefantët!

Nëse mendojmë më mirë për këtë tregim, do ta kuptojmë se vetëm njëri nga studentët e dinte se pse kishte ardhur në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe cili ishte qëllimi i tij. Për këtë shkak, ai nuk e harxhoi energjinë e tij majtas-djathtas, ashtu siç vepruan studentët tjerë. Dallimi midis tyre është i dukshëm.

Kështu ne kemi zbuluar se ai që i përcakton vetes qëllim dhe beson në Allahun, ai do të arrijë në cak. Është e njohur se transmetimet që i përcjell Jahja ibn Jahja el-Lejthi nga imam Maliku janë ndër transmetimet më të mira dhe më autentike, të cilat mbështeten në veprën Muvetta të imam Malikut, ndërkohë që historia nuk ka regjistruar transmetime nga nxënësit të cilët kanë ikur për ta parë elefantin.

Tubimet pa vlerë, humbja e kohës kot, shikimi i serive të ndryshme dhe filmave, përgojimi, bartja e fjalëve të huaja, marrja me atë që nuk na përket, si dhe shumë lloje të tjera të “elefantëve” na e tërheqin vëmendjen dhe na konsumojnë energjinë e një shumice prej nesh.

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *