• Fri. Apr 26th, 2024

NËSE SULLTANI NUK MA KTHEN TË DREJTËN QË MË ËSHTË MARRË, UNË DO T’I ANKOHEM ATIJ QË ËSHTË MË I FUQISHËM SE SULLTANI

Bylexopress

Jan 11, 2021

Transmetohet se në kohën e halifit abasid el-Mensur, një nga guvernatorët e tij kishte uzurpuar pronën e një muslimani të devotshëm dhe mendjemprehtë, kështu që ai shkoi për t’u ankuar te halifi el-Mensur. Kur kishte ardhur para halifit, i kishte thënë atij:

“O udhëheqësi i besimtarëve, a doni t’ua parashtroj kërkesën time për të cilën kam ardhur apo së pari t’ju theksoj një shembull?”

El-Mensuri i tha: “Së pari ma theksoni shembullin.”

Njeriu i tha:

“O udhëheqësi i besimtarëve, nëse një fëmije i ndodh diçka që e frikëson dhe tmerron, ai kërkon strehim dhe ndihmë te nëna e tij, sepse mendon se askush tjetër nuk mund t’i ndihmojë përveç nënës tij.

Kur fëmija forcohet pak, nëse i ndodh diçka që e frikëson, atëherë ai ik për tek babai, sepse është i bindur se vetëm babai i tij mund ta ndihmojë atë.

Kur të rritet, nëse i ndodh diçka që e frikëson, atëherë ai kërkon ndihmë nga valiu ose guvernatori, sepse e di se ai është më i fortë dhe më i fuqishëm se babai i tij.

Ndërsa kur piqet më tepër intelektualisht, nëse i ndodh diçka që e përçmon apo i frikësohet, ai i ankohet sulltanit, sepse e di se sulltani është më i fuqishëm se guvernatori.

O udhëheqësi i besimtarëve, mua më ka ndodhur një problem, më është uzurpuar prona dhe më është marrë e drejta ime, dhe unë nuk di tani askënd më të fuqishëm se ty, përveç Allahut, prandaj, ose do të ma zgjidhni ju rastin tim dhe të ma riktheni të drejtën e uzurpuar, ose unë do t’i ankohem Allahut, pranë Qabesë, sepse kam planifikuar që këtë vit të shkoj në haxh.”

Kur e dëgjoi shembullin të cilin ia tregoi njeriu i mençur, halifi el-Mensur i tha atij:

“Jo, mos u anko tek Allahu, sepse unë do ta zgjidhë rastin tënd.”

Pastaj ia shkroi një letër guvernatorit dhe e urdhëroi atë që menjëherë t’ia rikthejë në posedim njeriut, atë që i ishte uzurpuar.

Përshtati: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *