• Fri. Apr 26th, 2024

O Ti, pushteti i të cilit nuk kalon, fale atë që pushteti i ka kaluar

Bylexopress

Nov 8, 2020

“Kohërat ndryshojnë” – janë vetëm dy fjalë të thjeshta, por përplot me kuptime dhe mesazhe të fuqishme. Ka shumë shembuj në historinë e njerëzimit që konfirmojnë vërtetësinë e kësaj thënie, dhe ne do ta citojmë vetëm një shembull të tillë, i cili është i mjaftueshëm për të marrë mësim.

Në fakt, Ibn Kethiri në veprën e tij kapitale “El-Bidaje ven-nihaje”  ka regjistruar transmetimin për Vail ibn Huxhr el-Hadremi, pasardhës i mbretërve të Jemenit, i cili erdhi te Pejgamberi (savs), për ta shfaqur pranimin e Islamit.

Pejgamberi (savs) ju tha sahabëve të tij para mbërritjes së Vailit: “Tash do të vjen tek ju një nga pasardhësit e mbretit.”

Kur Vaili erdhi në Medine, Pejgamberi (savs), i shprehu mirëseardhje dhe e trajtoi shumë bukur. Pas kësaj, ia dha disa prona me vlerë të barabartë, si pronat të cilat mbretërit e Jemenit ia kishin lënë në trashëgimi dhe bashkë me të e dërgoi Muaviun birin e Ebi Sufjanit për t’ia treguar pronat e tij. Në atë kohë, Muaviu ​​ishte aq i varfër sa që nuk kishte as këpucë të mira. Kur u nisën për te prona e Vailit, Muaviu e pyeti: “A mund të hipi mbi devenë tënde pas teje?”

Vaili u përgjigj: “Jo, kjo nuk është për shkak të koprracisë, por unë nuk mund të lejoj ta bësh këtë, sepse ti nuk je nga linja mbretërore.”

Pastaj Muaviu i tha: “Po a mund të mi japësh këpucët tua (që të mos eci zbathur në rërën e nxehtë)?”

Vaili u përgjigj: “Jo, kjo nuk është për shkak të koprracisë, as pse po më dhimbsen këpucët, por t’i nuk je i denjë për të mbathur këpucë mbretërore, andaj shiko dhe ec nëpër hije të devesë (e cila do të bëjë hije).”

Koha kaloi dhe rrota e saj vazhdoi të sillet, kështu që hz. Omeri, gjatë sundimit të tij, e emëroi Muaviun guvernator të Shamit. Muaviu është në atë pozitë mbeti edhe në kohën e hz. Osmanit, dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi në mes të hz. Aliut dhe Muaviut, që më në fund Muaviu u bë halif i perandorisë islame.

Një ditë Vail ibn Huxhr (r.a.), erdhi në Sham, atëherë ai i kishte kaluar të 80 -at, dhe kërkoi që halifi Muavi ibn Ebi Sufjani ta pranojë. Muaviu e pranoi dhe e priti mirë, pastaj e ftoi që të ulët në fronin mbretëror, përkatësisht në fronin e halifit, dhe e shpërbleu me dhurata të shumta, duke ia përkujtuar kohërat e shkuara, si  dhe atë momentin kur Muaviu e dërgoi për t’ia treguar pronat të cilat Pejgamberi (savs) ia kishte dhuruar.

Atëherë Vail tha: “Jepja ti këtë pasuri atij që është më i nevojshëm se unë, kurse unë do të doja, pas kësaj mikpritje dhe bujarie që ke treguar ndaj meje, që të mund ta kthej kohën dhe të vendosi ty mbi devenë mbretërore para, jo prapa vetes.”

Allahu qoftë i kënaqur me Omer el-Farukun, me Osman bin Affanin, me hz. Aliun, me Vail ibn Huxhrin, dhe me Muavije ibn Ebi Sufjanin!

Nuk ka pasuri që është e përhershme, as varfëri që është e përjetshme, as shëndet, e që nuk do ta zëvendësojë sëmundja, as pozitë në pushtet, e që të mos vjen dita kur atë pozitë ta zë tjetërkush. Një sundimtar apo ministër vjen, tjetri shkon, dikush sot është president ose kryeministër, kurse nesër është qytetar i zakonshëm, i cili në një institucion mjekësor pret në radhë për kontroll mjekësor, i cili deri dje ka caktuar termin me një telefonatë të vetme.

Sipas revistës Forbes, sot 10 njerëzit më të pasur në botë, para 40 vjetëve ishin krejtësisht të panjohur. Rrota e kësaj bote sillet vazhdimisht, koha kalon në mënyrë të pashmangshme, ajo ndryshon dhe na përgatit surpriza të reja, por në fund, secilin prej nesh e pret vdekja dhe ndarja nga kjo botë, atëherë pse na duhet arroganca dhe mendjemadhësia!?

Transmetohet se Harun el-Rashidi ka thënë: “Nuk ka asgjë më të bukur se pushteti, por mos të ishte vdekja!”

Me atë rast dikush i thotë: Vdekja, pikërisht është zgjidhja më e mirë, sepse sikur të ishte pushteti i përhershëm, nuk do të vinte në duart tua!”

Janë të njohura fjalët e tij në shtratin e vdekjes: “O Ti, pushteti i të cilit nuk kalon,
fale atë që pushteti i ka kaluar!”

Prandaj, përparo sa më shumë që mundesh në jetë, shko në majë, bëju më i pasuri, themelo kompaninë tënde dhe rrjetin tregtar, por përparimi yt (politik apo cilido tjetër) dhe ngjitja kah maja, le të jetë në shenjë të moralit, si dhe mos harro se, askush nuk ka mbetur në majë. Shumë nga ata që i ke takuar duke u ngjitur për në majë, do t’i takosh në rrugën tënde teposhtë.

Edhem Sherkavi;

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *