Si mund të bëhesh ti gruaja ime, nuk je aspak e bukur

Një burrë shkoi nga Egjipti në Emiratet e Bashkuara arabe për punë. Atje i kaloi 4 vjet. Ai vinte nga një familje shumë e varfër, por përmes punës arriti të pasurohet. Pasi që fitoi pasuri, ia dërgoi një letër babait të tij, në të cilën i thoshte: “O baba, unë dua të martohem. Kanë kaluar kaq shumë vite, dhe unë ende kam mbetur i pamartuar. Tani ka ardhur koha, dhe unë dua që ti ta zgjedhësh një grua për mua. Ti gjithashtu e ke lejen time për të kontraktuar martesën me të në emrin tim. Unë do të vij në ditën e dasmës, dhe nuk dua ta shoh nusen para martesës.”

Ai kishte shumë besim tek babai i tij, i cili ishte njeri shumë i ndershëm dhe ishte imam në xhami.

Në kërkimin e një gruaje për djalin e tij, babai e ndoqi këshillën e Pejgamberit (savs), i cili ka thënë: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për atë se i takon familjes së ndershme, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidhe atë që ka fe, të lumshin duart!” (Buhariu dhe Muslimi)

Ashtu edhe ndodhi. Babai ia zgjodhi një grua të devotshme dhe besimtare, por që nuk ishte posaçërisht e bukur dhe tërheqëse.

Djali erdhi në Egjipt në ditën e tij të martesës! Ata e pritën në aeroport dhe menjëherë e çuan tek gruaja e tij, e cila ishte e veshur me nikab. Kur ata mbetën vetëm në dhomë, ajo e hoqi velin nga fytyra e saj. Ai u tmerrua kur e pa fytyrën e saj: “A kjo është ajo gruaja që ma zgjodhi babai im!? A kjo qenka ajo! Po ti nuk qenke aspak e bukur! Ti nuk po më pëlqen mua!”

Gruaja e tij, kur e dëgjoi këtë u pikëllua shumë, dhe e kuptoi se çka po e shqetësonte. Ai shumë u pikëllua, dhe shtoi: “Pas 4 vjetësh, unë po kthehem në shtëpi, i gëzuar dhe plot entuziazëm, kurse ja çka po më pret!”

Shpejt pas kësaj, ai ra dhe e zuri gjumi, nga pikëllimi dhe lodhja.

Kur erdhi e treta e fundit e natës, ajo u përpoq ta zgjonte nga gjumi për namazin e natës, por ai vazhdoi të flinte. Ajo u përpoq përsëri, por ai përsëri nuk dëshironte të ngrihej; pas kësaj ajo e spërkati pak me ujë. Këtë herë ai u zgjua, meqë rast ajo i tha: ‘Unë e di se sa je zhgënjyer ti, dhe e di se nuk jam e bukur. Por a din çka? Doja të martohesha vetëm për një arsye… Doja ta zbatoja në praktikë hadithin e Pejgamberit (savs): ‘Allahu e mëshiroftë një burrë, i cili ngrihet për namazin e natës dhe më pas e zgjon gruan e tij. Nëse ajo nuk pranon të ngrihet, ai butësisht e spërkat me ujë në fytyrën e saj. Allahu e mëshiroftë një grua, e cila ngrihet për namazin e natës dhe më pas e zgjon burrin e saj, dhe nëse ai nuk pranon të ngrihet, ajo butësisht e spërkat me ujë në fytyrën e tij.” (Hadith sahih, i regjistruar nga Ebu Davudi)

Pasha Allahun, unë të falënderoj shumë që më ndihmove për ta realizuar dëshirën time. Unë shumë kam dëshiruar që ta zbatoja këtë hadith, dhe pothuajse e kisha humbur shpresën për t’u martuar ndonjëherë. Sepse e di që nuk jam e bukur dhe tërheqëse … Të lutem, a mund ta plotësosh tash me mua pjesën tjetër të hadithit? A mund të ngrihesh në këmbë dhe të më udhëheqësh në namaz? A don ta falesh me mua namazin e natës?”

Ai u zgjua dhe e fali namazin e natës me të. Ky njeri u betua për Allahun se sapo dha selam dhe e shikoi gruan e tij, ai kurrë nuk kishte parë grua më të bukur se ajo.

Vëllezër dhe motra në Islam, kjo familje, sot kanë nipër e mbesa që janë hafëzë të Kuranit dhe disa prej tyre janë në rrugën e arritjes së njohurive dhe titullit dijetarë të këtij umeti.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *