• Fri. Apr 26th, 2024

Thesaret e humbura

Bylexopress

Dec 26, 2020

Një ditë sulltani vendosi të dilte në rrugët e qytetit së bashku me vezirin e tij. Vërejti se të gjithë ishin të përkushtuar duke i bërë shërbimin e duhur punës dhe për këtë i shprehu një lloj kënaqësie vezirit i cili e shoqëronte.

Rrugës vendosën të vizitojnë një treg dhe mu në hyrje të tij u përballën me një farkëtar i cili nuk pushonte së qari. Qante aq shumë saqë gjatë gjithë ditës nuk i afrohej më as edhe një klient. I habitur, sulltani tha me vete: «-Çudi! Çfarë halli mund të ketë ky njeri? Sikur ta dinim do e ndihmonim sado pak.»
Menjëherë iu drejtua vezirit duke i thënë:«-Mësojeni hallin e këtij të gjori dhe më tregoni sa më parë!»
Vazhduan ecjen duke shëtitur në çdo rrugë të qytetit teksa u përballën me një bahçe pemësh frutore. Nuk po u besonin syve të tyre! Kopshtari priste nën një pemë molle, më pas i ngjitej pemës me gëzim por më vonë zbriste duke qarë. Sulltani nuk arriti t’i jepte një domethënie kësaj pamjeje.

«-Çfarë ka ky kopshtar? Përse vepron kështu? Nuk po kuptoj asgjë!»- mendoi ai i habitur dhe menjëherë iu drejtua përsëri vezirit: «-Përse vepron kështu ky njeri, mësoje menjëherë!»
Sulltani vazhdoi përsëri rrugën së bashku me vezirin e tij. Klima ishte aq e përshtatshme sa nuk po i bëhej të ndalonte. Gjelbërim, aromë lulesh, kthjelltësi qielli, ishte një mrekulli… Rrugës u përballën me një lypsar të verbër. E çuditshme ishte që njerëzit i falnin diçka në dorë por asnjëri nuk kalonte pa e goditur me shuplakë në qafë. Sa herë goditej lypsari thoshte: «Ju falënderoj, ju falënderoj!»
Sulltani i habitur mendoi: «A thua janë çmendur këto njerëz dhe unë akoma nuk e di? Pastaj i inatosur me veten tha:«Unë jam sulltani i këtij vendi! Këto njerëz duhet të kenë një arsye që veprojnë kështu, por unë nuk di asgjë! Kush e di edhe sa e sa të tjerë mund të jenë si këta.»
U kthye përsëri nga veziri dhe i tha:«Dëgjoje hallin e këtij lypsari dhe menjëherë më informo!»

Sulltani u kthye në saraje por atë nuk e zuri gjumi nga ajo çfarë kish parë. Të nesërmen veziri urdhëroi të silleshin në saraje të tre, farkëtari, kopshtari dhe lypsari. Të frikësuar ata u detyruan t’i përgjigjeshin thirrjes së sulltanit dhe kur mbërritën në saraje i pari filloi të tregonte farkëtari: «Një ditë para dyqanit tim kaloi një person që shiste pula. E ndala dhe bleva dy prej tyre. E thirra ndihmësin dhe e porosita t’i dërgonte në shtëpinë time për t’i gatuar. Njërën e lashë për familjen time ndërsa tjetrën e mora për vete. «Kam shumë punë», i thashë atyre. Mbase do punoj tërë natën.»
Pak para kohës së akshamit çiraku më solli pulën e gatuar. Isha aq i uritur saqë menjëherë shtrova tryezën dhe fillova të haja. Në atë moment u shfaq një mace. Nuk e kuptova nga erdhi. E kuptova që edhe ajo ishte e uritur dhe nuk pushonte së mjaullituri. Por prapë së prapë unë nuk i dhashë asgjë. Më kishte mbetur vetëm një kofshë dhe një krah i pulës. Sapo kisha filluar të haja krahun kur macja foli:«Nëse ma jep atë krah do të të jap njëqind monedha ari.»

E folura e saj më habiti por përsëri nuk e dëgjova. Tanimë kisha marrë në duar kofshën kur përsëri ajo foli: «Mos e ha atë! Ma jep mua! Në këmbim do të të jap një thesar!»
Por, unë e dëbova macen dhe e hëngra edhe kofshën. Sapo e kisha ngrënë kur macja u zhduk dukë lënë pas një rreze drite. U afrova, ç’të shoh! Një vrimë, dhe nga kjo vrimë dukej një thesar. Sa herë zgjatja duart thesari humbiste. Po çmendesha! Sa herë largohesha thesari shfaqej përsëri, por sa herë afrohesha ai humbiste. Prandaj që nga ajo ditë unë nuk pushoj së qari…»

Tani e kishte radhën kopshtari. Ai filloi të tregonte: «Një mëngjes hyra në bahçe për të mbledhur frutat. Kisha hipur në një pemë molle ku vërejta një zog. Nuk kisha parë asnjëherë një të tillë kaq të bukur. Zgjata dorën për ta kapur, por papritmas ai më rrëmbeu dhe e pashë veten duke fluturuar. Pasi fluturuam për një copë herë zbritëm në një kopsht trëndafilash. Ishte i mrekullueshëm! Nuk kisha parë e as imagjinuar të ketë trëndafila në ato ngjyra aq të bukura. Po çmendesha! Duke u endur në kopsht para m’u shfaq një i moshuar. U ulëm në një qoshe bashkë dhe ai filloi të më fliste:«Atë zog ta dërgova unë! I kërkova të të rrëmbente dhe të të sillte tek unë. Të kam birësuar.»

Më pas më mori dhe më dërgoi në një saraj madhështor. Aty ndodhej një thesar i papërshkrueshëm. Plaku foli përsëri:«Tanimë jam moshuar mor djalë! Së shpejti do më trokasë vdekja! Nëse pranon të bëhesh biri im, e gjithë kjo pasuri është e jotja.»
E pranova me shumë dëshirë propozimin e tij dhe sapo u largua unë menjëherë rrëmbeva një unazë dhe e futa në xhep. Nuk vonoi shumë dhe plaku u kthye, por fytyra i kishe ndryshuar dhe i mërzitur e thirri zogun duke i thënë:«Ktheje këtë njeri nga e ke marrë! Unë nuk dua një pasardhës të tillë!Zogu më rrëmbeu dhe më solli tek pema. Tani e shoh atë sa herë jam nën pemën e mollës. Ngrihem mbi pemë por zogu zhduket. Dhe kështu unë zbres duke qarë… »

Kjo ishte historia e kopshtarit. Sulltani dhe veziri po i dëgjonin me habi teksa radhën e kishte tashmë lypsari:
«Unë isha një njeri që gëzoja shëndet të plotë. Nuk isha i verbër. Isha i lumtur. Zotëroja 70 kuaj me të cilët transportoja mallrat e tregtarëve. Kisha një punë që më jepte shumë para, nuk kisha nevojë për askënd. Por, për shkak të pangopësisë sime humba gjithçka.»
«Një ditë një tregtar kërkoi nga unë që t’i transportoja mallrat në një qytet tjetër. Ramë në ujdi në këmbim të një pagese të mirë. Rrugës tregtari më tregoi që i tërë malli që transportonte përbëhej nga monedha ari.

Papritmas dëshira për të zotëruar një pasuri të tillë m’i errësoi sytë dhe fillova të mendoja gjëra që kurrë nuk i kisha imagjinuar. Vendosa ta vras tregtarin dhe ndalova kuajt. Me tha që nuk kishte kohë të humbiste dhe se duhet të lëviznim sa më shpejt. Por unë nuk e dëgjova dhe i thashë: «Do të të vras dhe e gjithë kjo pasuri do jetë e imja!» Tregtari më propozoi të me jepte gjysmën e arit por nuk pranova. I doja të gjitha! Më duhej ta vrisja! As unë nuk e dija se zotëroja një zemër të tillë kaq të sëmurë…Në momentin kur kisha marrë thikën për ta vrarë, «Ndal!»- tha ai. «Kam diçka që kur e lyen njërin sy mund të shikosh të gjitha thesaret e nëndheshme.»«Ma lyej syrin, ta shohim!» -i thashë. Ah sikur mos t’i thoja.

Nxori nga xhepi i tij një lloj lapsi për sy dhe me të vërtetë fillova të shoh thesare të padukshme. I kërkova menjëherë të më lyente edhe syrin tjetër. «Jo, nuk bën!»- tha ai,«Nëse lyen edhe syrin tjetër do verbohesh.» Por unë nuk e besova dhe i rrëmbeva nga duart lapsin më cilën lyva edhe syrin tjetër. Nuk vonoi shumë dhe sytë mu errësuan. U verbova! Tregtari mori kuajt e mi dhe u largua. Sa herë njerëzit më falin diçka i kërkoj atyre të më godasin me shuplakë për të shpaguar gabimin tim.»- përfundoi historinë e tij dhe lypsari…

Sulltani i dëgjoi me vëmendje të tre historitë, të farkëtarit, kopshtarit dhe lypsarit. U ndihmoi me pasurinë e tij dhe u dha nga një detyrë në saraj: Secili do tregonte historinë e tij njerëzve. Do u tregonte që njerëzit të zinin mend!

Përktheu dhe përshtati:
Elona SYTARI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *