• Fri. Apr 26th, 2024

Tregim interesant: Divorci më i çuditshëm në histori!

Bylexopress

Jan 16, 2021

Zubejde ishte gruaja e halifit të famshëm abasid Harun al-Rashidit. Harun al-Rashidi e donte jashtëzakonisht shumë Zubejden dhe ajo luante një rol të rëndësishëm në jetën e tij, si private ashtu edhe publike.

Ai u martua me të në lulen e saj të rinisë, pesë vjet para se të bëhej halife. Historianët, të cilët janë marrë me biografinë dhe jetën e halifit abasid Harun al-Rashidit, flasin shumë për dashurinë e tij për Zubejden, disa madje kanë pohuar se dashuria e tij për Zubejdën ishte më e madhe sesa për halifatin që e mori pa e kërkuar madje as pa luftuar për të.
Por, përkundër dashurisë së madhe, ai një herë e kishte divorcuar Zubejden.
Historia e divorcit të tyre është historia më e çuditshme e këtij lloji.
Thuhet se Harun ar-Rashidi u divorcua nga gruaja e tij Zubejde në një mënyrë dhe në rrethana shumë të çuditshme. Njëherë, ata të dy u grindën dhe ajo, ndoshta për ta kritikuar atë për luksin e tij i tha: “Unë mendoj se ti nuk do të hysh në Xhenet”. Kjo e zemëroi shumë Harun al-Rashidin dhe nga zemërimi ai iu përgjigj: “Pasha Allahun, dije se ti je e divorcuar nëse unë nuk do të jam banor i Xhenetit!”
Shpejt Harun al-Rashidi u pendua për atë që tha, sepse ai e donte atë jashtëzakonisht shumë. Atë e shqetësonte nëse, pas betimit të tij dhe fjalëve të përmendura, Zubejde ishte ende gruaja e tij, apo fjalët e tij llogariteshin si një divorc?
Prandaj, ai mblodhi dijetarët dhe juristët islam (fakih) dhe ua paraqiti atyre problemin rreth betimit të tij në lidhje me divorcin, duke thënë, “Unë në asnjë mënyrë nuk dua të divorcohem nga Zubejdeja ime, por si mund të gjej një garanci se do të jem banor i Xhenetit, në mënyrë që ta mbaj në kurorë?”
Dijetarët nuk mund t’i jepnin një përgjigje të kënaqshme, por ata e sugjeruan që ta ftonte dijetarin e famshëm egjiptian Lejs ibn S’adin. Harun al-Rashidi mori këshillën e tyre dhe e ftoi Lejs ibn Sa’din, por përsëri i ftoi edhe dijetarët tjerë të merrnin pjesë në debatin rreth divorcit.
Të gjithë dijetarët shprehën mendimet e tyre, vetëm Lejs ibn Sa’di rrinte i heshtur. Harun al-Rashidi u befasua nga kjo, prandaj kërkoi nga ai që të shprehte mendimin e tij për këtë çështje, sepse mu për këtë e kishte ftuar. Lejs ibn Sa’di kërkoi që t’i sillej Kur’ani dhe kur ia sollën, ai ia dha Harun al-Rashidit, duke i thënë: “O prijës i besimtarëve, hape Kur’anin!” Harun ar-Rashidi e hapi dhe e shfletoi faqe për faqe derisa erdhi te Sureja Er-Rahman. Atëherë Lejs ibn Sa’di i tha: “Lexoje atë sure!” Harun er-Rashidi e lëxoi Suren Er-Rahman derisa erdhi te ajeti 46: “Dhe për atë që ka frikë të qëndrojë para Zotit të tij, do të ketë dy Xhenete.”
“Ndalo”, tha Lejs ibn Sa’di, dhe pastaj pyeti: “O prijës i besimtarëve, a ke vërtet frikë nga qëndrimi para Allahut?” Harun al-Rashidi u përgjigj: “Pasha Allahun, kam frikë të qëndroj para Allahut në Ditën e Gjykimit”, duke e përsëritur këtë disa herë. Për këtë, Lejs ibën Sa’di tha: “Për sa kohë ti ke frikë të qëndrosh para Allahut, e ti je betuar se ke frikë nga ajo gjendje, ti je ndër ata që si shpërblim do të kenë dy, e jo vetëm një Xhenet. Bazuar në këtë, mund të thuhet se fjalët tuaja me të cilat ke liruar gruan tënde janë të pavlefshme dhe se divorci nuk ka ndodhur.”
Përgjigja e këtij dijetari islam e bëri Harun al-Rashidin shumë të lumtur, dhe nga gëzimi tha: “Faleminderit Shejh! Allahu të shpërbleft me të mira!” Pastaj urdhëroi që t’i silleshin dhuratat që i kishte përgatitur. Përgjigjen e Lejsit e kishte dëgjuar edhe Zubejde pas perdes në dhomën e saj, kështu që edhe ajo u gëzua, bile edhe më shumë se Harun ar-Rashidi dhe e shpërbleu shejhun me dhurata dy herë më të mëdha.

(Islamgjakova)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *