• Fri. Apr 26th, 2024

10 porosi per durimin ne kohe te veshtira

Bylexopress

Apr 25, 2020

DHJETË POROSI PËR DURIM NË KOHË FATKEQËSISH

BISMILAHI RRAHMANI RRAHIM

I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka sjellë një shembull për të ilustruar gjendjen e besimtarit në këtë jetë. Ai ka thënë: Shembulli i besimtarit është si shembulli i një bime të cilën era vazhdimisht e përkul, e kështu besimtarin e godasin fatkeqësitë. Ndërsa shembulli i hipokritit është si shembulli i pemës së Kedrës e cila nuk përkulet derisa të pritet.[i]

Rrënjët e bimës janë të shpërndara në tokë e të kapura fort. Era sado që i përkul nuk i hedh tutje, nuk i thyen e nuk i shkul. Kështu dhe besimtari, fakeqësitë edhe pse i shkaktojnë dhimbje e mërzi nuk e mundin dot e nuk e dëmtojnë atë në besimin e tij sepse besimi në Allahun e mbron prej tyre.

Kjo jetë është e mbushur me ngjarje e me të papritura, me sëmundje e me rrënime. Njeriu sapo gëzohet që ka pranë dikë të rëndësishëm e të dashur befas tronditet me lajmin e vdekjes së tij. Njeriu ndërkohë është me shëndet të mirë, i shpëtuar e pa shqetësime, me të ardhura të bollshme kur befas i shfaqet një sëmundje që i turbullon jetën e i jep fund ëndrrave të tij. Ai mund të humbasë pasurinë ose vendin e punës e me to veniten synimet e tij, i prishen planet dhe i humbasin dëshirat.

Kjo jetë është mundësi dhe sprovë, gëzim dhe hidhërim, ëndrra dhe dhimbje. Të jesh përherë në një gjendje është e pamundur. Kthjelltësinë e pason turbullia, gëzimi në të shoqërohet me mërzi e me ankth. Eh sa e pamundur është të qeshësh e të mos qash, të kënaqesh e të mos vuash, apo të gëzohesh e të mos mërzitesh në këtë jetë!

Kjo jetë kështu është. Besimtari në të nuk ka tjetër veçse durimin. Ai është ilaçi i helmeve të saj. Për këtë Hasan El Basri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “E kemi provuar dhe e kanë provuar edhe të tjerët e nuk kemi gjetur gjë më të dobishme se sa durimi. Me të mjekohen të gjitha çështjet e atë nuk mund ta zëvendësojë diçka tjetër. Askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë e më e mjaftueshme se sa durimi.”[ii]

Çështja e besimtarit mes njerëzve është e çuditshme sepse “Kur i vjen diçka e mirë ai falenderon e kjo është e mirë për të. Kur e godet ndonjë vështirësi duron e kjo është e mirë për të.”[iii]

Allahu na urdhëron të bëjmë durim e atë e ka bërë shkak të përfitimit të ndihmës dhe të përkrahjes Hyjnore. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El Bekare; 153). Pastaj na njofton se kjo jetë ka sprova, frikë, uri, paksim të të ardhurave, pasurisë, njerëzve të afërm dhe fryteve. Allahu përgëzimin ia drejton durimtarëve pasi tregon gjendjen e tyre në raste fatkeqësish dhe pohon shpërblimin për ta.

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë.” (El Bekare; 155-157).

Durimi është motivi i mbajtjes gjallë të vendosmërisë, i vazhdimësisë së përpjekjeve e të punës. Çdo njeri nuk arrin perfeksion për shkak të dobësisë dhe pamundësisë për të duruar e për të përballuar sfidat. Çelësi i vendosmërisë është durimi, ai zgjidh çështjet e bllokuara. Arma më e mirë është durimi në vështirësi.

Çfarë na ndihmon të bëjmë durim gjatë fatkeqësive?

Duke parë nevojën e tërë njerëzve për këtë cilësi dhe nevojën e madhe të tyre për të do të paraqes disa çështje ku do të përmend dhjetë porosi që ndihmojnë muslimanin të bëjë durim në fatkeqësi.

Së pari: Parapërgatitja e vetvetes.

Muslimani duhet ta parapërgatisë veten e tij me fatkeqësitë përpara se ato ti ndodhin. Ai duhet ta disiplinojë veten përpara se të gjendet në to. Ai duhet të punojë për të rregulluar çdo aspekt të saj sepse durimi është gjë e rrallë dhe i çmuar e për çdo gjë të rrallë e të çmuar duhet të ushtrohesh shumë që ta fitosh.

Duhet të sjellësh ndërmend vazhdimisht zhdukjen e kësaj bote dhe mbarimin e shpejtë të saj. Asnjë krijesë nuk mbetet përgjithmonë mbi këtë botë sepse ato kanë moshë kalimtare dhe leje që i mbaron afati. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka ilustruar me një shembull gjendjen e tij në këtë botë: “Si një kalimtar që udhëton në një ditë të nxehtë vere. Ai pushon nën hijen e një peme për një kohë të shkurtër e pastaj ikën dhe largohet prej saj.”[iv]

O musliman mos u mashtro me të mirat e kësaj bote, mos mbaj shpresë të qëndrojë e njëjtë pa ndryshime, pa përmbysje, pa goditje e pa gjendje pamundësie. Kush e njeh jetën dhe lajmet mbi gjendjet e saj e kalon lehtësisht lehtësinë apo mirësinë në të. Disa të mençur kanë thënë: Kush bën kujdes nuk tmerrohet, kush vëzhgon nuk e kaplon ankthi e kush e pret diçka nuk ndjen dhimbje prej saj” Kush dëshiron jetë gjatë le të bëjë gati për fatkeqësitë një zemër durimtare.

Së dyti: Besimi në vendimin dhe paracaktimin e Allahut.

Ai i cili beson në vendimin dhe paracaktimin e Allahut, që e kupton se kjo jetë është vendbanim i sprovës dhe i rreziqeve dhe se vendimi i Allahut nuk kthehet dhe nuk shtyhet është i qetë në vetvete dhe çdo gjë e ka më të lehtë.

Është fakt i njohur dhe i dukshëm se besimtarët janë njerëzit që ndikohen më pak prej fatkeqësive të kësaj jete, me më pak frikë e më me pak çoroditje. Besimi në vendimin dhe paracaktimin e Allahut shërben si garant i sigurisë dhe mbrojtjes për ta – me lejen e Allahut – prej goditjeve psikologjike shokuese.

Ata besojnë atë çka ka thënë i sinqerti i vërtetë (salallahu alejhi ue selem) “Dije se sikur i gjithë ymeti të tubohet të ndihmojnë në diçka nuk do munden të ndihmojnë asgjë veç asaj që ka shkruar Allahu për ty. E sikur të tubohen të bëjnë keq me diçka nuk do të dëmtojnë me asgjë veç asaj që ka shkruar Allahu për ty. Për këtë janë ngritur lapsat e janë tharë fletët e shkruara.”[v]

Mosha dhe të ardhurat materiale të jeriut janë të vendosura e të përcaktuara që kur ai gjendet në barkun e nënës së tij. Nga Enes ibn Malik r.a transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka lënë një melek (engjëll) që kujdeset për mitrën. Ai thotë: O Zot një pikë uji? O Zot një drocë gjaku? O Zot një copë mishi? Kur Allahu dëshiron ta plotësojë krijimin e Tij (engjëlli) thotë: O Zot mashkull apo femër? I lumtur apo i hidhëruar? Çfarë të ardhurash do të ketë? Çfarë moshe? E të gjitha këto i shkruhen që kur është në barkun e nënës së tij.[vi]

Umu Habibeh, bashkëshortja e Profetit (salallahu alejhi ue selem) një ditë tha: O Allah më kënaq me jetë të gjatë me burrin tim të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), me babain tim Ebu Sufjanin dhe me vëllain tim Muavijen! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha: “I kërkove Allahut afate të përcaktuara, ditë të numëruara dhe të ardhura (rrizk) të ndara. Asnjëra prej tyre nuk do të ndodhë para afatit të përcaktuar apo pas tij. Po ti kishe kërkuar Allahut mbrojtje prej ndonjë dënimi në zjarr apo dënimi në varr do ishtë më e mirë e më me vlerë.”[vii]

Imam Nevevij Allahu e mëshiroftë ka thënë: Ky hadith tregon qartë se mosha dhe të ardhurat janë të përcaktuara. Ato nuk ndryshojnë nga ajo që ka përcaktuar Allahu i madhërishëm dhe e ka ditur në (ezel) lashtësi pafundësisht kështu që është e pamundur realisht shtimi apo pakësimi i asaj që ka qenë vendosur.

Ibnu Dejlemij erdhi tek Ubej ibn Ke`ab e i tha: Në kraharorin tim seç më ngacmon në lidhje me përcaktimin (kaderin), kështu që më trego diçka ndoshta Allahu ma largon atë prej zemrës time. Ai tha: Allahu, nëse i dënon të gjithë banorët e qiejve e të gjithë banorët e tokës dije se i dënon ato e nuk është aspak i padrejtë ndaj tyre. E nëse i mëshiron, dije se mëshira e Tij është më e mirë se veprat e tyre. Sikur të shpenzosh në rrugë të Allahut ar, aq sa mali i Uhudit, Allahu nuk do ta pranonte prej teje po të mos besoje në përcaktimin e Tij, të pranoje që ajo që të godet asesi nuk mundet të shpëtoje prej saj dhe ajo prej së cilës ke shpëtuar asesi nuk mund të godiste. Po të vdesësh ndryshe nga ky besim do të hyje në zjarr. Ibn Dejlemij vazhdon e thotë: Pastaj shkova tek Abdullah ibn Mes`ud edhe ai më tha të njëjtat fjalë. Pastaj shkova te Hudhejfe ibnul Jeman edhe ai po ato fjalë më tha. Pastaj shkova te Zejd ibn Thabit e ai më përcolli prej Profetit (salallahu alejhi ue selem) të njëjtat fjalë.[viii]

Së Treti: Kujto gjendjen e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe të parëve tanë të mirë:

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është model për çdo musliman. Allahu i madhërishëm thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Azab; 21).

Po të meditosh në gjendjen e Profetit (salallahu alejhi ue selem) gjen këshillë, forcë dhe ngushëllim. E tërë jeta e tij ka qenë durim dhe përpjekje. Brenda një kohe të shkurtër i vdiq xhaxhai Ebu Talib, i cili e mbronte ndaj çdo mundimi që i vinte prej idhujtarëve, i vdiq gruaja e tij besnike dhe e duruar Hatixhe e pastaj i vdiqën disa prej vajzave, vdiq djali i tij Ibrahimi e ai nuk tha fjalë më tepër, pasi i rrodhën lotët nga sytë, se: “Syri loton, zemra mërzitet por nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë, ne prej ndarjes me ty o Ibrahim jemi të mërzitur.”[ix]

I vdiqën shumë prej shokëve që ai i donte dhe e donin por të gjitha këto nuk ia prenë krahët e nuk ia ulën vendosmërinë dhe durimin.

Hidhe vështrimin në historinë e të parëve tanë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me ta ke për të parë se ata e mbërritën durimin në nivelet e tij më të lartë. Allahu a.xh ka thënë: “Vërtet, ata njerëz janë një shembull i mirë për ju e për këdo që shpreson në Allahun dhe në Ditën e Fundit.” (El Mumtehine: 6).

Imagjnoni gjendjen e Urvetu ibn Zubejr (Allahu e mëshiroftë), në një rast të vetëm u sprovua me disa fatkeqësi njëherësh; iu pre këmba dhe i vdiq djali. Megjithatë ai vetëm disa fjalë tha: O Allah unë kisha shtatë fëmijë, Ti më more një e më le gjashtë. Unë kisha katër gjymtyrë, më more një gjymtyrë e më le tre. Nëse më sprovove tani, shumë ke toleruar e nëse më more tani, më ke lënë mjaft.[x]

Abdul Melik i biri i Umer ibn Abdulaziz vdiq. Babai, pasi e varrosi i qëndroi mbi varr. Kishte dhe njerëz të tjerë rreth tij, e ai tha: Allahu të mëshiroftë biri im! Ti ishe bamirës e i sjellshëm me babain tënd. Pasha Allahun kam qenë i gëzuar me ty që kur Allahu të solli në jetë e të bëri dhuratë për mua. Por jo pasha Allahun unë do të vazhdoj të jem i gëzuar e me shpresë prej Allahut për fatin tim në lidhje me ty edhe në këtë moment që po të vendos në këtë banesë të cilën ta caktoi Allahu.”

Së katërti: Të kesh ndërmend gjerësinë e mëshirës së Allahut dhe të mirësive të Tij.

Besimtari i sinqertë në besimin e tij mendon mirë për Zotin e tij. Allahu a.xh sikurse lajmëron i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Unë jam ashtu si mendon robi për Mua.”[xi] Të jeni të sigurtë në gjerësinë e mëshirës së Allahut ndaj jush, e në realitet vendimet dhe përcaktimet e Tij janë mirësi edhe pse në pamjen e jashtme duken si fatkeqësi të urryera dhe lënduese. Allahu i Lartë ka thënë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El Bekare: 216). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Habi me besimtarin çdo gjë që vendos Allahu ndaj tij është e mirë për të!”[xii]

Reflektoni mbi mirësitë dhe mundësitë që ka dashë Allahu tua japë dhe dijeni se belaja në të cilën gjendeni është si një pikë e vogël në detin e madh të mirësive. Kujtoni se po të dojë Allahu sjell fatkeqësi më të madhe dhe ngjarje më të rënda e më të kobshme.

Gjithashtu duhet të kuptoni se fatkeqësitë dhe ngjarjet e rënda që nuk ju kanë goditur janë shumë më shumë se ato që ju kanë goditur.

Khidri kur vrau një djalë të vogël, Musai reagoi dhe e kritikoi mirëpo kur iu bë e qartë se vrasja e tij ishte bërë për qëllim të madh për të cilin e sqaroi dhe Khidri më pas. Allahu në Librin e Tij tregon dhe thotë: “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (Kehf; 80,81). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) lajmëron se: “Djaloshi të cilin e vrau Khidri do të ishte mohues dhe po të jetonte do ti mundonte prindërit e tij për të qenë arrogantë e mohues.”[xiii] Katade ka thënë: Dy prindërit u gëzuan kur ai lindi dhe u hidhëruan kur u vra mirëpo po të mbetej gjallë do të ishte shkatërrim për të dy prindërit kështu që çdo njeri le të kënaqet me caktimin e Allahut.[xiv]

Së pesti: Ngushëllimi me të tjerë njerëz të goditur me fatkeqësi.

Ngushëllohuni me njerëzit e tjerë. Kujtoni fatkeqësitë e tyre. Vështroni ata të cilët janë goditur me fatkeqësi më të rënda se ju sepse një veprim i tillë është ngushëllues, e lehtëson dhimbjen, e pakëson tmerrin dhe frikën. Gjithashtu kujtoni se “kush mundohet të bëjë durim Allahu do ta bëjë të durueshëm”[xv].

Le të kujtojë ai i cili është prekur nga ndonjë çrregullim fizik apo sëmundje, dikë tjetër që është goditur me ndonjë fatkeqësi më të rëndë. Kush befasohet me ndonjë gjëmë në të dashurin e vet le të kujtojë gjëmën e tjetrit në të dashurit e vet. Kush humbet fëmijën e tij le të kujtojë atë që ka humbur të gjithë fëmijët e tij. Ai i cili ka humbur disa nga fëmijët le të kujtojë atë që ka humbur tërë familjen. Prindërit e brengosur për birin e tyre le të kujtojnë prindër të tjerë të cilët nuk dinë asgjë për fëmijët e tyre, nuk dinë se a janë gjallë që të mbajnë shpresa apo të vdekur që ti harrojnë.

Ja`kubi a.s humbi birin e tij Jusufin a.s dhe kështu mbeti për vite me radhë. Më vonë i shtyrë në moshë dhe i dobët humbi edhe një djalë tjetër. Ai në fillim nuk tha më tepër se këto fjalë: “Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju” (Jusuf; 18). E në rastin e dytë tha: “Unë do të kem durim. Shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjitha, sepse Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”

Një burrë i verbër e me fytyrë të deformuar hyri tek El Uelid ibn Abdul Melik. Kur e pa gjendjen e nuk vërejti shenja çregullimi pyeti për shkakun e fatkeqësisë së tij. Ai tha: Unë kisha shumë pasuri e shumë fëmijë. Një natë bujtëm në një luginë. Gjatë natës na morën përpara prurjet e mëdha të luginës. Aty humba tërë pasurinë dhe të gjithë fëmijët e mi përveç një djaloshi të vogël dhe një deveje. Deveja më iku e në dorë kisha djalin. E lashë përdhe dhe shkova të kap devenë. Kur u ktheva pashë ujkun me kokë në barkun e djalit, e kish ngrënë. E lashë djalin aty e pastaj u ktheva të ndjek devenë e kur e arrita më shkelmoi me një shkel e ma dërrmoi fytyrën e më mori shikimin. E kështu mbeta pa pasuri, pa fëmijë e pa shikim. Ai tha: Merreni dhe çojeni te Urvetu që të dijë se ka njerëz që u ka rënë fatkeqësi më e madhe se ai.

Së gjashti: Dije se fatkeqësitë janë tregues i vlerës.

Fatkeqësitë janë tregues të vlerave, dhe dëshmi të klasit të lartë. E si nuk janë të tilla ndërkohë që Sa`d ibn Ebi Uekas r.a kur pyeti të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) se cilët njerëz përballen me fatkeqësitë më të mëdha, ai i tha: “Profetët, më shembullori e më shembullori. Personit i vijnë fatkeqësitë sipas nivelit të tij fetar. Nëse fenë e ka të fortë atëherë fatkeqësia është më e fortë. Nëse është i dobët në fe atëherë sprovohet sipas nivelit të tij fetar. Fatkeqësitë nuk i ndahen robit derisa të ecë mbi tokë i pastruar prej gjynaheve.”[xvi]

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu, atij që i do të mirën e godet me fatkeqësi.”[xvii] Ai (salallahu alejhi ue selem) na lajmëron se “Allahu kur i don disa njerëz zbret mbi ta belatë.”[xviii]

Së shtati: Kujto shpërblimin e mirë.

Seicili prej nesh të mendojë për shpërblimin e mirë e kështu do të lehtësohet barra e fatkeqësisë. Shpërblimi vjen sipas mundit. Kënaqësitë nuk arrihen me dëfrime. Rehatia fitohet vetëm pasi të kalosh mbi urën e lodhjes. Kushdo që përballon vështirësi të momentit atë e bën të marrë fryte të mëvonshme. Durimi ndaj diçkaje të hidhur momentale të mundëson shijimin e ëmbëlsisë më vonë. “Shpërblimi i madh vjen me fatkeqësinë e madhe”[xix].

Ebu Bekri r.a pyeti të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) me droje për një paqartësi. Ai tha: O i Dërguar i Allahut si mund të shpëtojmë pas këtij ajeti: “(Shpëtimi në jetën tjetër) nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o myslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut.” (Nisa:123). Për çdo të keqe që bëjmë do të shpaguajmë? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Allahu të faltë o Ebu Bekër! A nuk sëmuresh?! A nuk mundohesh?! A nuk mërzitesh?! A nuk vuan?! Ai tha: Po. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Me ato shpaguani.[xx]

Kujto se Allahu për të sprovuarit durimtarë ka pregatitur shpërblim e shpagim, falje gabimesh, ngritje gradash dhe kompensim të mirë.

Sa i përket shpërblimit dhe shpagimit nuk ka më të mirë e më të madh shpërblim e shpagim se xheneti i cili i është premtuar durimtarëve. Xheneti i qe premtuar asaj gruas që i binte të fikët nëse do të bënte durim. Ata’u ibn Ebi Rrabahu tregon se Ibn Abasi një ditë i kish thënë: A të tregoj një grua prej banorëve të xhenetit? Unë thashë po. Ai tha: Kjo grua e zezë, erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: Mua më bie të fikët dhe zbulohem prandaj lute Alalhun për mua: Ai i tha: Nëse dëshiron bëj durim të fitosh xhenetin e nëse dëshiron i lutem Allahut të shërojë. Ajo tha: Unë do bëj durim, por unë zbulohem prandaj lute Allahun të mos zbulohem (gjatë hubjes së vetëdijes): Ai u lut për të mos zbulohej.[xxi]

I njëjti premtim i është dhënë atij që humb shikimin. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij dhe ai bën durim do ja kompensoj ato dy me xhenetin.”[xxii]

Premtim i tillë i është dhënë besimtarit që bën durim kur i vdes një i dashur i tij. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu i Lartësuar thotë: “Për robin Tim besimtarë që i marr të afërmin e tij të ngushtë në këtë jetë e ai bën durim dhe shpreson, do ketë shpërblim vetëm xhenetin.”[xxiii]

Ai i cili humbet fëmijën e tij në këtë jetë përfiton një pjesë të mirë të përgëzimit me xhenet përshkak se Allahu e di mirë se sa fatkeqësi e madhe është një e tillë dhe për faktin se Ai është shumë i mëshirshëm me robërit e Tij.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), një grua të cilës i kishin vdekur tre fëmijë e përgëzoi se ajo tashmë kishte një fortesë të fortë që e mbronte prej zjarrit. Kjo grua erdhi tek i Dërguari i Allahut(salallahu alejhi ue selem) e në dorë mbante një fëmijë të sëmurë. Ajo tha: O Profet i Allahut, lute Allahun për të se unë i kam varrosur tre! Ai tha: I ke varrosur tre?! Ajo tha: Po. Ai tha: “Paske arritur barrierë shumë të fortë ndaj zjarrit”[xxiv]

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo çift muslimanësh që u kanë vdekur tre fëmijë pa mbushur moshën e përgjegjësisë (pjekurisë fetare), ata fëmijë do të jenë për ta mburojë e fortë ndaj zjarrit”. Ebu Dherri tha: Mua më kanë ikur dy o i dërguar i Allahut! Ai tha: Edhe dy. Ubej, babai i Mundhirit një prej recituesve më të mirë të kuranit tha: Mua më ka ikur një o i dërguar i Allahut! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Edhe një, por kjo është kur duron në goditjen e parë.[xxv]

Mahmud ibn Lebid prej Xhabir transmeton se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kujdo që i vdesin tre fëmijë dhe ai bën durim duke shpresuar shpërblim do të hyjë në xhenet. Ne thamë: O i Dërguar i Allahut po kur i vdesin dy? Ai tha: Po edhe dy. Mahmud tregon se unë i thashë Xhabirit: Unë mendoj se po ta kishit pyetur edhe për një ai do të thoshte: Po edhe një. Xhabiri tha: Pasha Allahun edhe unë kështu mendoj.[xxvi]

Për ju o prindër të përvëluar po paraqesim një hadith tjetër i cili duhet tu mjaftojë për ngushëllim e të ndiheni krenar: Allahu, kur një robit i vdes fëmija i thotë engjujve të Tij: A e morët fëmijën e robit Tim? Ata thonë: Po. Ai thotë: A i morët thelbin e zemrës? Ata thonë: Po. Ai thotë: Po robi im çfarë tha? Të falenderoi Ty dhe tha se të Allahut jemi e te Ai kthehemi. Allahu thotë: Ndërtojini robit Tim një shtëpi në xhenet e quajeni ‘shtëpia e falenderimit’.[xxvii]

Jo vetëm kaq por fëmija i dështuar që del prej barkut të nënës së tij pa mbushur afatin e duhur bëhet shkak që nëna të hyjë në xhenet. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, fëmija i dështuar do ta tërheqë nënën e tij për në xhenet me kordonin e kërthizës së tij nëse ajo bën durim dhe shpreson shpërblim.”[xxviii]

Për faljen e gabimeve transmetohet në hadith të saktë se: “Çdo musliman që e mundon diçka, qoftë edhe një gjemb e shumë se aq, Allahu me to i shlyen atij gabimet ashtu sikurse pema lëshon gjethet e saj.”[xxix] Në një tjetër hadith të saktë thuhet: “Çdo mundim që e godet muslimanin, apo lodhje, stress, mërzi, bezdisje, brengë edhe gjembi që e shpon me to Allahu i shlyen atij gabimet.”[xxx] Po kështu: “Fatkeqësitë i  vazhdojnë besimtarit dhe besimtares në vetvete, fëmijë e në pasuri aq sa kur takohet me Allahun nuk i mbetet asnjë gjynah.”[xxxi]

Fatkeqësitë i mundësojnë njeriut të ngrihet në grada të larta. Njeriu me anë të durimit në to arrinë pozitë që nuk mund ta arrinte dot me vepra të tjera. Në Musnedin e imam Ahmedit përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse Allahu ka caktuar për robin një pozitë por që ai nuk e arrin dot atë me veprat e tij atëherë Allahu e sprovon në fizikun e tij, në pasurinë e tij, në fëmijën e tij e robi duron e kështu arrin pozitën që Allahu i kishte caktuar më herët.”

Një ditë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pyeti shokët e tij: Çfarë konsideroni shterp ndër ju? Ata thanë: Atë që nuk lind fëmijë. Ai tha: Kjo nuk është shterpësi, por shterp është një person që nuk përcjellë askënd prej fëmijëve të tij.”[xxxii]

Do të thotë që nuk i ka vdekur ndonjë fëmijë para tij. ky hadith tregon shpërblimin dhe sevapin që përfiton një njeri që i vdes dikush prej fëmijëve të tij. Në këtë rast shpërblimi dhe dobia janë më të mëdha për njeriun se fatkeqësia.

Kjo mund të jetë edhe shkak për shpërblim e kompensim më të mirë. Një person që humb një të dashurin e vet kompensohet me diçka tjetër më të mirë. Kush humbet një fëmijë mund të kompensohet me një fëmijë më të sjellshëm e më të dobishëm. Sa e sa sprova mbartin mirësi.

Umu Seleme tregon se kishte dëgjuar të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Çdo musliman që e godet ndonjë fatkeqësi dhe thotë atë që urdhëron Allahut; Ne jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi, O Allah më shpërble në këtë fatkeqësi e më kompenso me diçka më të mirë se ajo. Allahu do t’ia këmbejë fatkeqësinë me diçka më të mirë. Ajo thotë: Kur vdiq Ebu Selemeh unë me vete thashë: Cili prej muslimanëve mund të jetë më i mirë se Ebu Seleme!? Familja e parë që emigroi për tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem). Megjithatë më vonë unë e thashë atë lutje e Allahu ma zëvendësoi me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).”[xxxiii]

Kështu që vdekja e ndonjë fëmije mund të jetë mirësi për prindërit në disa aspekte.

Ndoshta, sipas dijes së Allahut një fëmijë që vdes mund të kish qenë problematik dhe i mundimshëm ndaj prindërve si rasti i Khidrit me djaloshin e vogël. Durimi i treguar prej prindërve në raste të tilla mund të sjellë kompensim më të mire, si rasti i Umi Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Lutjet e ngushëlluesve dhe vizitorëve tek dy prindërit: O Allah zëvendësoja atyre me diçka më të mirë, rikuperoja dhimbjen me gëzim dhe këmbeja humbjen me më të mirë. Këto lutje mund të jenë shkak që të përmirësohen fëmijët e tjerë të bëhen të suksesshëm e më të sjellshëm.

Së teti: Frenimi i vetvetes nga përkujtimi i fatkeqësisë.

Një njeri që ka kaluar një fatkeqësi duhet të frenojë vetveten nga përkujtimi i saj, nga përmendja dhe vërtitja e saj nëpër mend. Ai duhet ti mënjanojë mendimet dhe ndjenjat ngulfatëse e jo ti ushqejë e ti përjetojë ato sepse ato shndërrohen në shpresa të kota pa asnjë lloj dobie. Këto shpresa janë si kapitali i të falimentuarve sepse ai që ka vdekur nuk kthehet më dhe ajo që ka mbaruar nuk kthehet pas. Umer ibnul Khatab transmetohet se ka thënë: “Mos i nxisni lotët me përkujtime.”

Shumë njerëz që kanë humbur të dashurit dhe të afërmit e tyre mundohen të ruajnë disa gjëra që i përkasin të vdekur me qëllim që ta kujtojnë atë në çdo moment. Kjo pengon mjekimin e plagës së fatkeqësisë dhe ripërtërin brengat dhe mërzitë.

Së nënti: Largimi prej distancimit dhe vetmisë.

Ti o njeri që të ka goditur fatkeqësia mos u distaco nga njerëzit e mos rri në vetmi sepse vesveset ndjekin atë njeri që distancohet dhe rri kot pa ndonjë angazhim. Shejtani e ka më të lehtë të godasë një njeri të vetmuar. Ti duhet ta angazhosh veten me gjëra të dobishme. Mblidhe veten, angazhoje atë me normativë të vazhdueshme, në lexim, në përmendje të Allahut, në namaz etj. Ato bëji prehje dhe shoqërues sepse me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.

Së dhjeti: Mos e shfaq pikëllimin e mos u anko.

Bëni kujdes në fatkeqësi, mos e shfaqni pikëllimin e mos i shtoni ankesat sepse kush nuk tregon kujdes ndaj ngushëllimit dhe veprimet që lehtsojnë përballimin e fatkeqësisë do ti shumëfishohet vështirësia e fatkeqësisë, brenga dhe pikëllimi. Njeriu me këtë sjellje i ngjan atij që përpiqet të shkatërrojë e ti japë fund vetvetes. Një njeri që sillet në këtë mënyrë nuk mund ta përballojë fatkeqësinë e nuk gjen ngushëllim.

Një njeri që e di se caktimi i Allahut do të ndodhë dhe vendimi i tij do të kryhet e ka të kotë shfaqen e pikëllimit madje kjo është një fatkeqësi tjetër. Allahu i madhërishëm thotë:

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” (Hadid; 22,23).

Tregohet se një beduine e ardhur nga shkretëtira dëgjoi ulërima në një shtëpi dhe tha: Çfarë është kjo? Thanë se u ka vdekur një njeri. Ajo tha: Mendoj se ata me këtë sikur po kërkojnë të mbrohen prej Zotit të tyre, prej caktimit të Allahut po ankohen e prej shpërblimit të Tij po largohen.

Dijeni se shfaqja e pikëllimit nuk e kthen pas atë që ka ikur por ai mërzit mikun dhe gëzon armikun. Mërzisë së ngjarjes mos i shtoni humbjen e shpresës sepse kur ato bëhen bashkë nuk ka më vend për durimin e nuk ka kraharor që i përballon.

Për këtë është thënë: Fatkeqësia e humbjes së durimit ajo është më e madhja fatkeqësi.

Një burri e një gruaje u vdiq djali që e donin aq shumë. Burri i tha gruas së tij: Kije frikë Allahun, shpreso në shpërblimin e Tij dhe bëj durim. Ajo tha: Fatkeqësia ime është shumë më e madhe se ta humb atë me shfaqjen e pikëllimit e të jem e paduruar.

Disa të mençur kanë thënë: I mençuri kur i ndodh fatkeqësia bën atë që e bën budallai pas një muaji….përderisa fundi do të jetë durim e njeriu në atë rast nuk lëvdohet për të, a nuk është më bukur që të sillet në fillim ashtu si sillet budallai pas njëfarë kohe!?

Grada e durimit në fatkeqësi fitohet me ato gjëra të cilat njeriu i zgjedh vetë. Kështu që fitohet duke lënë paraqitjen e pikëllimit, shqyerjen e rrobave, goditjen e faqeve me shuplaka, egzagjërimin në ankesa, shfaqjen e pamjes së zymtë dhe në ndryshimin e zakonit në veshje, në fjetje e në ushqim. Njeriu duhet të shfaqë pranimin e caktimit të Allahut. Ai duhet të besojë se ajo ka qenë një amanet që po kthehet tek poseduesi i vet. Le të veprojë besimtari si Umu Sulejm (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur i vdiq i biri. Ajo i tha burrit të saj Ebu Talha (Allahu qoftë i kënaqur me të): Ca njerëz nëse i japin hua diçka një shtëpie e më vonë e kërkojnë atë, a i lejohet njerëve të kësaj shpie të refuzojnë e të mos e japin huanë? Ai tha: Jo nuk i lejohet. Ajo pastaj i tha: Bëj durim për djalin tënd e shpreso shpërblimin. Kur u njoftua me këtë ngjarje i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Allahu u bekoftë për natën e kaluar.[xxxiv]

Së fundmi: Durimi ndaj fatkeqësive i jep rehati durimtarit dhe shpërblim. Ai ose do të arrijë durim duke qenë në bindje ndaj Allahu, ose brengë të vazhdueshme, ose durim me imponim për të cilin konsiderohet gjynahqar. Kush nuk duron në fatkeqësi si një fisnik do të harrojë e do ta përballojë si kafshët.

Ali ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Ti po të durosh lapsi më parë ka shkruar për ty e ti do shpërblehesh mirëpo nëse je i paduruar lapsi më parë ka shkruar për ty e ti ngarkohesh me gjynahe.[xxxv]

Umer ibnul Khatab (Alahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: Ne kemi gjetur jetesën tonë më të mirë, durimin.

Transmetohet se Ali ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Durimi në lidhje me besimin është si pozicioni i kokës në trup, kështu që nuk ka besim ai i cili nuk ka durim.

Hasan El Basri ka thënë: Robi nuk merr ilaç më të mirë se ëmbëlsia në zemërim, e ilaç më të mirë se durimi në fatkeqësi.

Umer ibn Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu i jep mirësi robit e ja heq atë, pastaj në vend të saj i dhuron durim, dije se ky këmbim në këtë rast është më i mirë se mirësia që kishte.

Allahu na bëftë durimtarë dhe mirënjohës. Allahu na mjafton e sa ndihmës i mirë është Ai.

Ahmed Salih El Khalif

Shqipëroi: Arjan Haskasa.

[i] Buhari, Muslim.

[ii] Buhari, Muslim.

[iii] Muslim.

[iv] Musned Ahmed.

[v] Sunen Tirmidhij.

[vi] Buhari.

[vii] Muslim.

[viii] Ebu Daud, Ibn Maxheh, Ahmed.

[ix] Buhari.

[x] Sijer Ealam Nubela.

[xi] Buhari, Muslim.

[xii] Musned Ahmed.

[xiii] Muslim.

[xiv] Tefsir ibn Kethir.

[xv] Buhari, Muslim.

[xvi] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[xvii] Buhari.

[xviii] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[xix] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[xx] Musned Ahmed.

[xxi] Buhari, Muslim.

[xxii] Buhari.

[xxiii] Buhari.

[xxiv] Muslim.

[xxv] Musned Ahmed.

[xxvi] Musned Ahmed.

[xxvii] Tirmidhij.

[xxviii] Ibn Maxheh.

[xxix] Buhari.

[xxx] Buhari.

[xxxi] Tirmidhij.

[xxxii] Muslim.

[xxxiii] Muslim.

[xxxiv] Muslim.

[xxxv] Edab Ed Dunja ued Din.10

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *