• Fri. Apr 26th, 2024

Dobësia e trupit është në sëmundjen e rëndë, kurse dobësia e zemrës është në mëkatbërje

Bylexopress

Nov 8, 2020

Transmetohet nga Abdullah ibn Amër ibn el-Asi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata me zemër të pastër dhe gjuhë të sinqert.” Ata e pyetën: ‘O i Dërguari i Allahut, pastaj kush?’ Ai u përgjigj: “Ata që e përçmojnë dynjanë dhe e duan ahiretin.” ‘Po kush pas tyre?’, e pyetën përsëri.Muhamedi (savs) u përgjigj: “Besimtari me moral të bukur.” (Ibn Maxhe)

Muhamedi (savs), na mëson përmes këtij hadithi se zemra, që është e mbushur me dritën e imanit, është masë themelore e devotshmërisë dhe fetarisë. Këtë e vërteton edhe hadithi tjetër dhe fjalët e Pejgamberit (savs): “Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu!, duke treguar me dorë në gjoksin e tij. (Muslimi)

Esenca e besimit nuk është në sasinë e madhe të veprave të dukshme, formale, por në atë që forcohet në zemër dhe pastaj pasohet me vepra të mira. Prandaj, nuk është çudi që pastërtia e zemrës ka qenë dhe mbetet brenga kryesore i besimtarëve të sinqertë.

Ibrahim el-Havas ka thënë: “Ilaçi për zemrën është në pesë gjëra:
(1) në leximin e Kuranit me reflektim,
(2) në stomakun bosh,
(3) në namazin e natës,
(4) në kërkimin e faljes në agim, dhe
(5) në shoqërimin e njerëzve të ndershëm dhe të devotshëm.”

Mëkatet për zemrën janë sikurse helmi për trupin – edhe nëse nuk e vret, sigurisht e dobëson.

Dhun-nun el-Misri thoshte: “Dobësia e trupit është në sëmundje të rëndë, kurse dobësia e zemrës është në mëkatbërje. Sikur trupi i sëmurë që nuk gjen kënaqësi dhe ëmbëlsi në ushqim dhe pije, ashtu edhe zemra, për shkak të mëkatit, nuk ndjen kënaqësi në ibadet.”

Zemra e besimtarit, nëse është e shndritur me dritën e imanit, është e pastër nga urrejtja, ligësia, smira dhe sëmundjet tjera të këqija. Besimtarët e sinqertë kanë zemër të shëndoshë dhe të pastër, sepse e dinë se në Ditën e Gjykimit nuk do të shpëtojnë, e as nuk do të vendosen xhenet, përveç se ata që shkojnë tek Allahu me zemër të pastër.

Transmetohet nga Enes ibn Maliku (r.a.), se në një rast, ishin duke qëndruar me Pejgamberin (savs), dhe ai për një moment u tha: “Tani në derë do të hyjë një nga banorët e xhenetit!”, dhe këtë e përsëriti tri ditë me radhë. Secilën herë në derë hynte personi i njëjtë. Abdullah ibn Amër ibn el-Asi (r.a.), e intrigoi rastin e këtij njeriu, dhe dëshiroi ta shoqëroi, në mënyrë që ta zbulonte veprën për të cilën ai e meritonte xhenetin. Shkoi tek ai dhe i tha: ‘Unë jam grindur me babanë tim dhe jam betuar se nuk do të hyjë në shtëpinë tonë për tri ditë, kështu që erdha të të pyes, a mund të qëndroj me ty për tri ditë.’

Njeriu e lejoi dhe Abdullahu e përcillte atë se çka bënte, por nuk vërejti se ky musliman i kushtohej ndonjë ibadeti vullnetar, përveç asaj që ishte e urdhëruar dhe asaj që ishte e zakonshme për të gjithë sahabët. Në ditën e tretë, ai ia zbuloi të vërtetën dhe i tha se nuk ishte grindur me babanë e tij, por nga kureshtja qëndroi me të dhe deshi të shihte se çka po bënte, sepse Muhamedi (savs), për tri ditë me radhë, atë e quajti banor të xhenetit. Me atë rast, Abdullahu i tha: ‘Unë po shoh se ti nuk po bën shumë vepra të mira, atëherë, me çka e ke arritur atë për çka na njoftoi neve Pejgamberi (savs)?’

Njeriu u përgjigj: ‘Sa për veprat dhe ibadetet, unë nuk bëj përveç asaj që shikove, përveç se unë në zemrën time nuk ndiej urrejtje apo zili ndaj muslimanëve për begatitë, të cilat Allahu u ka dhuruar atyre.’

Atëherë Abdullah ibn Amri tha: ‘Pikërisht kjo është ajo me çka e ke arritur shkallën e xhenetliut. (Ahmedi)

Cilësia tjetër, sipas të cilës dallohen njerëzit më të mirë është sinqeriteti në të folur. Duke i nxitur besimtarët në sinqeritet dhe vërtetësi, Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran thotë: “O besimtarë, frikësohuni Allahut dhe jini me ata që janë të sinqertë!” (et-Tevbe, 119)

Në biografinë e Rebia ibn Harashit, përmendet se ai kurrë në jetën e tij nuk kishte gënjyer. Ai kishte dy djem të cilët kishin fshehur diçka nga Haxhaxh ibn Jusufi, dhe ai po i kërkonte për t’i vrarë, por nuk po i gjente dot. Dikush nga suita e tij i kishte thënë se babai i tyre ishte i vërtetë dhe kurrë nuk kishte gënjyer në jetën e tij, andaj, do të ishte ide e mirë që ta thërrisni dhe ta pyesni për djemtë e tij – nëse ai e di se ku janë, me siguri do të tregojë! Haxhaxhi e thirri Rebia ibn Harashin dhe e pyeti: ‘Ku janë djemtë e tu?’

Rebia u përgjigj pa hezituar: ‘Ja, atje në shtëpinë time janë!’

Haxhaxhi u mahnit me sinqeritetin e tij, andaj e pyeti: ‘Çka të shtyri ty që ta flasësh të vërtetën, kur e din se unë dua t’i vras ​​ata?’

Ai u përgjigj: ‘Unë e urrej që ta takoj Allahun, qoftë edhe me një gënjeshtër.’

Atëherë Haxhaxhi i tha: ‘Unë po i fali ata për shkak të sinqeritetit tënd!’

Përveç këtyre, cilësitë e njerëzve më të mirë, siç u përmenden në hadith, gjithashtu janë edhe morali i bukur, pastaj përbuzja e dynjasë dhe dashuria për ahiretin.

Kur bëhet fjalë për moral të bukur, mjafton të thuhet se morali i bukur dhe vlerat më të larta morale i kanë zbukuruar njerëzit më të mirë dhe më të zgjedhur, pejgamberët e Allahut, dhe se morali i bukur është gjysma e besimit dhe fryti i fetarisë dhe devotshmërisë së vërtetë.

Muhamedi (savs), ka thënë: “Më të dashur dhe më të afërt me mua në ahiret do të jenë ata që kanë moral më të bukur, kurse më të urrejtur dhe më të largët nga unë në ahiret do të jenë ata që kanë moral më të keq.”(Ahmedi, Taberaniu)

Ai, gjithashtu, ka thënë: “Ju rekomandoj moral të bukur dhe shumë heshtje. Betohem në Allahun, nuk ka asgjë më të mirë se kjo.”(Ebu Ja’la)

Sa i përket përbuzjes së dynjasë, duhet të thuhet se dashuria e verbër ndaj dynjasë është baza e të gjitha mëkateve. Modestia dhe përbuzja e dynjasë, që e ka përmendur Muhamedi (savs), nuk do të thotë heqje dorë dhe lënie plotësisht e dynjasë dhe begative të saj. Ky hadith na tregon, se është i shpëtuar ai, i cili i merr frenat e dynjasë në duart e tij dhe ai, i cili dynjanë e bën mjet për realizimin e qëllimeve të larta, dhe të cilit dynjaja nuk ia ka pushtuar dhe robëruar zemrën.

Sulejmani dhe Davudi (a.s.), kanë qenë njerëzit më të pasur dhe kanë pasur çka kanë dëshiruar në dynja, por edhe përkundër kësaj, ata kanë qenë njerëzit më modest. Gjithashtu, Ebu Bekri, Osmani, Ali ibn Ebi Talibi, Abdurrahman ibn Avfi (r. anhum), ishin njerëz jashtëzakonisht të pasur, por edhe jashtëzakonisht modest.

Ata që e duan shumë dynjanë, ata që e kanë brengë të vetme dynjanë, dhe ata që e kanë harruar ahiretin dhe takimin me Allahun, do të pikëllohen në dy raste:

– nëse nuk e realizojnë në dynja atë që kanë dashur, do të pikëllohen për atë që u ka kaluar,

– dhe, nëse e realizojnë pasurinë e dynjasë, atëherë ata do të frikësohen që mos ta humbasin dhe të pikëllohen, sepse e dinë që një ditë do t’ia lënë atë dikujt tjetër.

Pra, robi i dynjasë, në çdo rast është i mashtruar dhe i mbështjellë me pikëllim dhe dëshpërim.

Transmetohet se Abdullah ibn Abasi (r.a.), ka thënë:

‘Dynjaja do të paraqitet në Ditën e Gjykimit në formën e një gruaje të vjetër të thinjur, të shtyrë dhe të shtrembëruar. Çdokush që do ta shohë atë, do të ndiejë neveritje. Ajo do të dalë para njerëzimit të mbledhur në Ditën e Gjykimit, dhe njerëzit do të pyeten: ‘A e dini kush është kjo?’ Dhe pastaj ata do ta dëgjojnë përgjigjen:

– Kjo është dynjaja për shkak të së cilës jeni krenuar dhe keni luftuar me njëri-tjetrin.’

Pastaj ajo ‘plaka’ e shëmtuar do të hidhet në zjarr, duke pyetur: “O Zot, ku janë ata që më kanë ndjekur dhe më kanë dashur mua?’ Pas kësaj, edhe ata do t’i bashkohen asaj në zjarr.”

Ibnul-Xhevzij ka thënë: “Dynjaja është sihirbaze më e madhe se Haruti dhe Maruti, sepse Haruti dhe Maruti me sihir i kanë divorcuar bashkëshortët, kurse dynjaja e ndanë dhe shkëput lidhjen midis njeriut dhe Allahut të Plotfuqishëm.”

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *