Falënderimet e pafundme i takojnë Allahut të Madhërishëm

Falënderimet e pafundme i takojnë Allahut të Madhëruar, që na e zbukuroi përsëri kalendarin e jetës, neve robërve të Tij të dobët, me Ramazanin e Bekuar, në të cilin vërshon falja dhe mëshira hyjnore. Ai Ramazan i Bekuar brenda të cilit gjendet thesari shpirtëror i Natës së Kadrit, e cila ka vlerën e një jete të tërë…

Mirëpo, pjesën më të madhe të ditëve dhe netëve të këtij muaji të çmuar e lamë pas. Tashmë, na ka mbetur veçse pak kohë. Lum ata besimtarë që në këto ditë të bekuara përpiqen:

– Të falin namazet me xhemat, pra me një kujdes më të veçantë dhe me përkushtim të thellë.

– Të marrin pjesë në leximet e përbashkëta të Kuranit me frymëzim shpirtëror.

– Të ngrihen shpirtërisht me agjërim dhe të arrijnë devotshmërinë.

– Të fitojnë përshpirtjen e muzgut të mëngjesit me syfyr.

– Të afrohen me Allahun me anë të zekatit, sadakasë së fitrit dhe dhurimeve.

– Dhe në fund të dalin të pastruar shpirtërisht nga ky muaj i faljes.

Sado që të falënderojmë Zotin tonë, i Cili na fali këtë muaj të bekuar, është shumë pak!..

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“…Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia!..” (Ibrahim, 7) Duke u nisur nga ky ajet fisnik, falënderimi/mirënjohja bëhet shkak i begatimit të mirësive. Për rrjedhojë, për të arritur edhe begatinë e mirësisë së Ramazanit, nuk duhet të neglizhojmë asnjë lloj falënderimi, qoftë me fjalë, e qoftë me vepra.

Për këtë arsye, vlerat shpirtërore që fitojmë në atmosferën frymëzuese të Ramazanit të bekuar dhe që na edukojnë shpirtrat, nuk duhet t’i humbasim pas Ramazanit. Nëse arrijmë që ato që kemi fituar prej Ramazanit t’i shpërndajmë në jetën tonë për gjatë gjithë vitit, kjo do të jetë shprehja më e bukur e falënderimit ndaj Zotit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *