• Sat. Apr 27th, 2024

Historia e mollës në vazo

Bylexopress

Dec 26, 2020

Tregohet se një njeri i ditur u paraqit në klasë me një vazo të gjatë dhe me grykë të ngushtë për t’i dhënë një mesazh nxënësve të tij.

E ngriti vazon lart në mënyrë që të shikohej nga të gjithë nxënësit që ndodheshin pranë. Ndërsa në dorën tjetër mbante një mollë.
Pasi e vendosi mollën brenda në vazo e lëshoi në tokë dhe tha:”Kush mund ta nxjerrë mollën nga vazoja do jetë e tija!”

Menjëherë u ngrit një prej nxënësve dhe e futi dorën përmes grykës së ngushtë të vazos. Ai me të vërtetë e kapi mollën, por sa herë mundohej ta nxirrte dorën mbetej e bllokuar në atë grykë të hollë dhe të ngushtë të vazos. Më në fund thirri: “Dora, dora! Nuk arrij ta nxjerr dot!”
Njeriu i urtë buzëqeshi dhe tha: “Nëse nuk heq dorë së shtërnguari aq fort mollën, nuk do arrish ta nxjerrësh dorën që aty.”

Nxënësi u përpoq përsëri, por pa dobi. Në fund u detyrua ta lëshonte mollën dhe kështu e nxori dorën me lehtësi. Më pas e pyeti mësuesin: “A ka ndonjë mënyrë për ta nxjerrë mollën nga vazoja?”
Mësuesi e solli mbrapsht vazon, kështu molla u rrokullis natyrshëm përjashta…

Nxënësit filluan të qeshnin ngaqë zgjidhja ishte kaq e thjeshtë, ndërsa mësuesi i urtë foli: “Nuk është aq e thjeshtë sa duket, ndonjëherë më e vështirë është të heqim dorë. Kur doni të arrini dicka, nëse ju shfaqet një pengesë, më mirë është të tërhiqeni për pak, dhe të vëzhgoni me durim. Mbase ajo për të cilën mundohen aq shumë, mund t’ju jepet natyrshëm…”
Gjatë rrjedhës së jetës, ka gjëra që medoemos doni ti keni, por nuk e kuptoni se shpesh ato arrihen ju duke rendur pas tyre, por duke i lënë natyrshëm të vinë tek ju. Nganjëherë është më mirë të mos ndërhyni aspak. Për sa kohë ndryshoni këndvështrimin tuaj, do të shihni se nuk ka vetëm një mundësi zgjidhjeje, por shumë mundësi zgjedhjeje…

Përktheu dhe përshtati: Elona Sytari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *