Ibnul-Kajjim el-Xhevzij ka thënë:
“Kurani dhe Suneti na mësojnë se shpërblimi është në përputhje me veprën, dmth. se shpërblimi është i të njëjtit lloj si vepra, pavarësisht se a bëhet fjalë për vepër të mirë apo të keqe, e cila shihet qartë nga transmetimet e mëposhtme:
– Kush e mbulon turpin e një muslimani, Allahu do ta mbulojë turpin e tij.
– Kush e lehtëson një të zhytur në borxhe (duke ia shtyrë ose falur borxhin), Allahu do ta lehtësojë atë edhe në dynja edhe në ahiret.
– Kushdo ia largon një telashe besimtarit në këtë botë, Allahu do t’ia largojë atij një telashe në Ditën e Gjykimit.
– Kush i hulumton të metat e një muslimani, Allahu do t’ia zbulojë të metat e tij.
– Kush i bën dëm një muslimani, Allahu atë dëm do t’ia kthejë vetë atij.
– Kush ia vështirëson gjendjen një muslimani, Allahu do t’ia vështirësojë gjendjen e tij.
– Kush e tradhton një musliman kur ai ka nevojë për ndihmë, Allahu do të bëjë që edhe ai të tradhtohet kur të jetë më i nevojshëm.
– Për ata që janë të mëshirshëm, do të ketë mëshirë Mëshirëploti. Mëshira e Allahut është më e afërt me ata që janë të mëshirshëm.
– Kush jep, edhe atij do t’i jepet.
– Kush e tejkalon fyerjen dhe fal, Allahu atë do ta falë.
Ky është ligji i Allahut, dekreti i Tij, shpallja e Tij, shpërblimi dhe dënimi i Tij, dhe e gjithë kjo bazohet në themelin dhe parimin e përmendur.
Andaj, zgjidhni rrugën dhe llojin e shpërblimit që dëshironi.”
Përkthim: Miftar Ajdini