• Fri. Apr 26th, 2024

Mos u betoni në Allah, veçse kur thoni të vërtetën!

Bylexopress

Apr 6, 2020

Ky rregull ka lidhje me ato betime të cilat bëhen për të vërtetuar: fjalët, lajmet, deklaratat, dëshmitë etj dhe betimet në raste të tilla nuk duhen bërë veçse kur ato janë të vërteta.

Profeti -alejhi selam- thotë:

“Ai i cili betohet në Allah, të thotë vërtetën!”[1].

Dhe gjithashtu thotë:

“Mos u betoni në Allah, veçse kur thoni të vërtetën!”[2].

Kjo, sepse betimet janë madhërime që i bëhen emrit të Allahut dhe besimtari kur përmend emrin e Tij duhet të thotë gjithmonë të vërtetën.

Porositë e Allahut të madhëruar dhe të profetëve të Tij gjithmonë kanë qenë që njeriu të thotë të vërtetën dhe e kanë ndaluar atë nga gënjeshtra si domosdoshmëri e jetës në tokë, sepse në një shoqëri ku të gjithë gënjejnë dhe nuk thonë të vërtetën, jeta në tokë bëhet e vështirë. Kështu njeriu aq më tepër duhet të thotë të vërtetën kur betohet në Zotin e tij, sepse kjo prek jetën e tij në dy aspekte kryesore: në aspektin e besimit dhe në aspektin e marrëdhënieve me të tjerët.

E prek atë në aspektin e besimin, sepse ai duke u betuar betime të rreme ka nënçmuar Zotin e tij duke mos e vlerësuar emrin e Tij siç e meriton të vlerësohet.

Dhe e prek atë në aspektin e marrëdhënieve me të tjerët, sepse njerëzit zakonisht e respektojnë emrin e Zotit të tyre, kur Ai përmendet dhe kështu i betuari me betime të rreme merr prej tyre atë që nuk i takon, apo bëhet shkak që dikush të marrë prej tyre atë që nuk i takon etj.

Në lidhje me këtë të fundit profeti -alejhi selam- ka gjykuar se ky veprim është prej gjynaheve të mëdha.

Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- tregon:

“Një banor i shkretëtirës erdhi te profeti -alejhi selam- dhe e pyeti: cilat janë gjynahet e mëdha?

Profeti -alejhi selam- iu përgjigj: Ti bësh ortak Allahut.

Burri i tha: po pastaj?

Profeti -alejhi selam- i tha: pastaj keqtrajtimi i prindërve.

Burri i tha: po pastaj?

Profeti -alejhi selam- i tha: pastaj betimi zhytës.

E pyeta: çdo të thotë betim zhytës?

Profeti -alejhi selam- më tha: ai betim me të cilin i merret një pasuri ndonjë myslimani dhe i betuari ka gënjyer”[3].

Fjala e profetit -alejhi selam- [betimi zhytës], Ibn Haxheri (komentuesi i njohur i haditheve -Allahu e mëshiroftë-) në lidhje me të, thotë: “Është thënë se ky betim është quajtur me këtë emër, sepse ai e zhyt atë që betohet në gjynah, pastaj e zhyt atë në zjarrin e xhehenemit”[4].

Ky lloj betimi, nuk përfshin vetem rastin kur do ti marrësh një pasuri dikujt me pa të drejtë, sepse dijetarët e islamit në lidhje me të thonë: Betimi zhytës është kur betohesh betim të rremë duke ditur atë: ose për të kënaqur dikë, ose për tu shfajësuar para dikujt, ose për ti marrë diçka dikujt etj[5].

Pra, ky lloj betimi përfshinë të gjitha rastet kur i betuari betohet betim të rremë dhe e përdor betimin e tij për të përfituar diçka me pa të drejtë nga çështjet e dynjasë.

Pasojat e betimeve të rreme kur përdoren për fituar diçka me pa të drejtë.

Betimi i rremë në raste të tilla është me pasoja të rënda për atë që është betuar edhe në dynja edhe në ahiret.

Për sa i përket dynjasë pasojat e betimeve të rreme janë dënim për atë që është betuar dhe shërim i zemrës së atij që i është cenuar e drejta e tij.

Profeti -alejhi selam- në lidhje me këto betime, thotë: “Betimet zhytëse i lënë shtëpitë bosh”[6].

Fjala [Bosh] dmth: pa njerëz dhe pa begati[7] që të kënaqet ai të cilit i është bërë padrejtësia. Ja një ngjarje e vërtetë e treguar nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- e cila vërteton në praktikë hadithin e profetit -alejhi selam-!

Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon:

“I pari betim i bërë në lidhje me një gjak në kohën e injorancës (dmth: ajo paraislame) ka lidhje me ne bijtë e Hashimit (emri i gjyshit të tyre dhe emri i fisit të afërt të profetit -alejhi selam-).

Një burrë prej bijve të Hashimit shkoi të punojë qiraxhi te një kurejshit i një barku tjetër ( dmth: rrjedh nga një degëzim tjetër i Kurejshëve). Ai doli me të dhe me devetë e tij dhe pranë tyre kaloi një burrë tjetër nga bijtë e Hashimit të cilit i ishte këputur lidhësja e torbës.

Burri iu lut atij: më ndihmo me një lak, të shtrëngoj mbajtësen e torbës që të mos më trembet deveja!

Ai ia dha lakun dhe ai shtrëngoi me të torbën dhe iku.

Kur ata qëndruan për të pushuar, i lidhën devetë me leqe me përjashtim të njërës dhe pronari i tha atij: si është puna e kësaj deveje e cila nuk është lidhur si tjerat?

Ai i tha: Nuk ka lak.

Pronari i tha: ku është laku i saj?! Dhe i gjuajti atij me shkop, gjuajtje e cila do ti shkaktonte vdekjen (dhe u largua).

Aty më pas kaloi një burrë nga Jemeni dhe ai e pyeti atë: a do të prezantosh në haxh?

Burri i tha: jo nuk do të prezantoj, por edhe mundet.

Ai i tha: a do të ma përcjellësh një porosi, kur të mundësh?

Burri i tha: Po.

Atëherë ai i diktoi dhe i tha: Kur të prezantosh në haxh, thirr: O Kurejsh! Kur ata të përgjigjen, thirr: O bijtë e Hashimit! Kur ata të përgjigjen, pyet për Ebu Talibin dhe njoftoje se filani më ka vrarë për një lak! Dhe vdiq.

Kur u kthye pronari i cili e kishte marrë atë në punë, shkoi Ebu Talibi dhe e pyeti: çfarë i ka ngjarë të afërmit tonë?

Ai i tha: u sëmur dhe vdiq. Jam kujdesur shumë mirë për të dhe e kam varrosur vetë me duart e mia.

Ebu Talibi në shenjë mirënjohje i tha: Kështu e prisja prej teje!

Pas një farë kohe vjen burri të cilin e kishte porositur për të përcjellë lajmin e tij dhe qëllon kohë haxhi. Ai thirri: O Kurejsh! Dhe njerëzit i thanë: Ja ku janë Kurejshët! Pastaj thirri: O bijtë e Hashimit! Njerëzit i thanë: ja ku janë bijtë e Hashimit! Pastaj pyeti: ku është Ebu Talibi? Njerëzit i thanë: ky është Ebu Talibi! Dhe ai i tha atij: filani më ka porositur të të përcjell një porosi se filani e ka vrarë atë për një lak.

Atëherë Ebu Talibi shkoi dhe i tha atij (vrasësit): zgjidh njërën prej tre gjërave: ose na jep njëqind deve si shpagim, sepse ke vrarë të afërmin tonë, ose në daç të betohen pesëdhjetë burra nga të afërmit e tu se ti nuk e ke vrarë e nëse refuzon do të të vrasim për të.

Burri shkoi te të afërmit e tij dhe ata i thanë: do të betohemi.

Një grua prej bijve të Hashimit e cila ishte e martuar me njërin prej tyre dhe i kishte lindur atij një fëmijë, shkoi te Ebu Talibi dhe i tha: O Ebu Talib, kërkoj për hir të djalit tim ta heqësh nga betimi një burrë prej të pesëdhjetëve dhe të mos i kërkohet betimi te vendi i betimit! Dhe ai e pranoi. Pastaj erdhi një burrë prej tyre dhe i tha: O Ebu Talib, kërkove pesëdhjetë burra për tu betuar në vend të njëqind deveve dhe secilit prej nesh i takojnë dy deve. Ja ku i ke dy deve dhe pranoji ato prej meje dhe mos më kërko të betohem te vendi i betimit! Dhe ai ia pranoi. Pastaj erdhën dyzet e tetë veta dhe u betuan.

Ibn Abasi thotë: Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im, nuk kaloi viti dhe ndonjëri prej dyzet e tetëve të lëvizte sytë”[8].

Fjala e tij [të lëvizte sytë] do të thotë se ndëshkimi i tyre ishte i fortë dhe i shpejtë, Allahu na ruajt prej zemërimit të Tij!

Ndërsa në lidhje me pasojat e betimeve të rreme në ahiret profeti -alejhi selam- në një hadith, thotë:

“Ai i cili betohet betim pengimi për t’i marrë një pasuri ndonjë myslimani dhe ai gënjen, ka për ta takuar Allahun të zëmëruar me të”[9].

Detajet e këtij zemërimi janë përmendur në Kuran, ku thuhet:

“إِنَّ الَّذِينَ يَشْتَرُونَ بِعَهْدِ اللهِ وَأَيْمَانِهِمْ ثَمَنًا قَلِيلًا أُولَئِكَ لَا خَلَاقَ لَهُمْ فِي الْآخِرَةِ وَلَا يُكَلِّمُهُمُ اللهُ وَلَا يَنْظُرُ إِلَيْهِمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلَا يُزَكِّيهِمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ”

“Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë ata Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë ata prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm”[10].

Pra zemërimi i Allahut më ata për këtë veprim do të jetë shkak që Allahu, as të mos i bëjë atyre pjesë në ahiret, as të shohë drejt tyre për mëshirim dhe as ti pastrojë ata nga gjynahu ku janë zhytur dhe në fund t’i dënojë ata në zjarrin e xhehenemit.

Ky gjynah te shumica e dijetarëve është i pashlyeshëm që do të thotë se sheriati nuk ka caktuar ndonjë punë për shlyerjen e tij me përjashtim të pendimit të sinqertë për të mos e përsëritur më atë veprim dhe duke ju kthyer robve të Allahut të drejtat e tyre.

El-Esh’ath bin Kajs El-Kindij -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ajet tregon:

“Ky ajet ka zbritur për mua. U grinda njëherë me një burrë te profeti -alejhi selam- në lidhje me një burim uji i cili ishte i imi, por që e përdorte ai. Ai ma mohoi të drejtën time dhe profeti -alejhi selam- më tha: sill fakte që ai burim është i yti, ose përndryshe të betohet ai tjetri! Dhe më tha: A ke fakte? Unë i thash: jo, o i dërguari i Allahut! Atëherë profeti -alejhi selam- tha: të betohet tjetri. I thashë: o, i dërguari i Allahut! Ç’më duhet mua betimi i tij? Nëse do të gjykosh me betimin e tij, do të ma marrë burimin. Kundërshtari im është burrë i poshtër. Nuk e vret mendjen se për çfarë betohet dhe as e vret ndërgjegjja për ndonjë gjë. Profeti -alejhi selam- më tha: Nuk të takon gjë tjetër veç betimit të tij. Burri u bë gati për tu betuar dhe kur u ngrit për ta bërë, profeti -alejhi selam- tha: nëse do tia marrë atij burimin me pa të drejtë me betim të rremë do të jetë prej atyre të cilët nuk do ti shohë Allahu ditën e kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm. Kështu Allahu e zbriti ajetin dhe burrin filloi ta vriste ndërgjegjja. Ai iu drejtua profetit -alejhi selam- dhe i tha: çfarë ka për atë që e le atë? Profeti -alejhi selam- i tha: ka xhenetin. Atëherë burri i tha: dëshmoj se ia kam lënë të gjithin atij!”[11].

Ndikimi i kohës në betimin e rremë.

Koha ndikon shpesh herë në rëndimin e gjynaheve siç ndikon edhe vendi ky kryhen. Jemi njoftuar nga profeti -alejhi selam- se prej atyre të cilëve nuk do tu flasë Allahu ditën e kiametit, as do të shohë te ata, as do ti pastrojë ata nga gjynahet dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm, është edhe: “Një burrë që bën pazar me dikë për një mall pas ikindisë (koha e pasdites para perëndimit të diellit) dhe i betohet atij në Allah se e ka marrë atë me kaq e aq (dhe një transmetim tjetër: i kanë dhënë për të kaq e aq) dhe ai ia beson ndërkohë që e vërteta është ndryshe”[12].

Komentuesi i njohur Ibn Battal -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e hadithit thotë: “Hadithi tregon se kjo kohë është kohë në të cilën gjynahet rëndojnë më shumë, sepse në atë kohë ngjiten melaiket me punët e robëve te Allahu i madhëruar dhe ata e konsiderojnë të madhe të ngjiten prej robit me ndonjë gjynah që të jetë shpërblimi i tij sipas punës së fundit që ka kryer”[13].

Për shkak të këtij realiteti që përcjell komentuesi i njohur i haditheve në lidhje me këtë kohë, të gjithë ymetet që kanë njohur ligjet e Allahut e kanë vlerësuar atë dhe njeriu duhet të jetë i kujdesshëm për të mos e nënvlerësuar me punën e tij të keqe atë që e ka vlerësuar Allahu i madhëruar dhe besimtarët e Tij brez pas brezi.

Betimet ngarkojnë me përgjegjësi në raste akuzash jo vetëm atë që betohet, por edhe kundërshtarin e tij kur nuk ka fakte për vërtetimin e të drejtës së tij.

Përgjegjësia e atij që betohet është siç u tha më lart, ose të thotë të vërtetën, ose në të kundërtën do të ketë zemërimin e Allahut, ndërsa përgjegjësia e kundërshtarit është ta pranojë betimin e tij dhe t’ia dorëzojë çështjen e Tij Allahut të madhëruar.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Kur dikush të betohet në Allah, pranoje atë, se kush nuk mjaftohet me Allahun nuk është prej Tij”[14].

Es-Sindij komentuesi i njohur i haditheve të Ibn Maxhes -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Kuptimi i tij është se ata që janë të afërt me Allahun ia besojnë betimin atij që betohet në Allah dhe kjo për shkak të madhërimit që kanë për të dhe ai që nuk e bën këtë punë duke e pasur atë mundësi nuk prej tyre”[15].

Ja si e ka zbatuar këtë gjë një prej profetëve të Allahut Isai -alejhi selam- siç tregon atë profeti ynë -alejhi selam-: “Isai i bri i Merjemes pa një burrë duke vjedhur dhe i tha: Po vjedh? Ai iu përgjigj: Jo, pasha Atë të cilin nuk ka zot tjetër veç Tij! Atëherë Isai tha: I besoj Allahut dhe përgënjeshtroj sytë e mi”[16].

Kështu duhet të jetë reagimi i besimtarëve kur përmendet emri i Allahut, zotit të tyre duke e lënë çështjen e tyre në dorën e Tij i cili është gjykuesi më i drejtë dhe hakmarrësi më i mirë dhe më i shpejtë.

Së fundi: Lusim Allahun e madhëruar të na bëjë prej atyre që vlerësojnë betimet e tyre duke thënë gjithmonë të vërtetën, sepse betimet janë madhërime të emrin e Tij dhe pasqyrë e devotshmërisë së zemrave të besimtarëve. Amin!

[1] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

[2] E transmeton Ebu Daudi, Nesai dhe e saktëson shejh Albani.

[3] E transmeton Buhariu.

[4] Shih fjalët e autorit në librin Fet’h El-Barij: 11/555.

[5] Shih librin sherh El-Buharij të Ibn Batalit: 6/130, Sherh El-Buharij të Ibn Mulekin: 30/319 dhe Sherh El-Buharij të El-Ajnij: 23/193.

[6] E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson sheijh Albani.

[7] Shih komentimin e hadithit te El-Mula Alij El-Karij në librin “Sherh Musned Ebij Hanife”: 1/536 dhe komentimin e El-Menauij në librin “Fejd El-Kadir”: 5/365.

[8] E transmeton Buhariu.

[9] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[10] Suretu Ali-Imran: 77.

[11] E transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[12] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[13] Shih fjalët e autorit në shpjegimin e tij të Buhariut: 6/500.

[14] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

[15] Shih librin Hashijet Es-Sindij ala Ibn Maxhe: 1/646.

[16] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *